Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rama paralajmëron shkrirjen e LSI: Vetëm për PD jam i sigurt që nuk zhduket, plani ishte të digjeshin gjithë KZAZ, gati për dialog pas 30 qershorit

Postuar: 29/06/2019 - 07:51

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar dje shkrirjen e LSI. Prej muajsh flitet se gjithë këto zhvillime mund të sjellin fundin e LSI dhe kryeministri Edi Rama duke se e ka forcuar këtë bindje. Duke folur në një intervistë për Sokol Ballën në “Vizion Plus”, ai tha se vetëm për PD ka bindje se nuk zhduket, ndërsa për partitë e tjera nuk është i sigurt. Po ashtu, ka thënë se plani i PD dhe LSI ka qenë që të digjen të gjitha KZAZ në vend. Ndërkohë ka treguar gatishmëri për të dialoguar pas 30 qershorit.

-Nëse nuk i fitoni zgjedhjet do jepni dorëheqjen?

Këto zgjedhje u kthyen në moment historik për shkak të kulmimit të një përplasje që ka filluar prej kohësh dhe kanë gjenezën e vetë drejtësinë. Në këto zgjedhje nuk është çështja kush do zgjidhet, se ka vetëm 1 kandidat, çështja është si do jetë Shqipëria e nesërme. Unë besoj se tani përgjigjen e kemi marrë, por të dielën duhet të presim. Ne do vazhdojmë të angazhuar me gjithë kapacitete se siç më thanë që, në Dibër Xhemal Gjunkshi ka tentuar sulm paramilitar ndaj KZAZ. Xhemal Haxhi Gjunkshi, gjeneral i ushtrisë së vdekur. Ka të tilla lëvizje sporadike se ka njerëz budallenj që nuk e dinë se çfarë do bëjnë, si ata të Shkodrës që do rrinë për një kohë të gjatë jashtë hapësirës së lirisë. Kjo sepse kanë shkelur disa vija të kuqe të Kodit Penal. Sfida mbetet e hapur, por është e fituar.

-Por ankthi qëndron, sepse 30 qershori mund të mos jetë...

Nuk kam pasur ankth, sepse e kam pasur të qartë si do venë gjerat. Jo se jam parashikues fati, por i njoh lojtarët në fushë dhe di të luaj shah. Ndërsa ata kanë kaluar nga dama në mendje të lirë.

-Ne e diskutuam se sa mund të ndikonte një 30 qershor i paqetë në ato që do ndodhin pas 30 qershorit. Mendoni se është diçka e organizuar apo spontane?

Merrni në pyetje kryebashkiakun e shkarkuar të Vaut të Dejës dhe dëgjojeni se çfarë thotë ai. Ndërsa Basha thotë se e organizuam ne, ai thotë e organizoi partia. Unë them e organizuan të dy. Kreu i PD hedh gurin e fsheh dorën në një trysni nga SHBA. Ndërsa këta elektronet e lirë përpiqen të bëjnë aktet e fundit të heroizmit të besnikërisë ndaj partisë. Kjo është pjesë e një plani që ka dështuar, po ka pëlcitje këtu dhe aty. Pasi nëse plani nuk do kishte dështuar, atë që pamë në Vaun e Dejës do ndodhte në gjithë Shqipërinë. Plani ishte të digjeshin gjithë KZAZ.

-Pra ju thoni që nuk ka tensione më 30 qershor?

Kjo botë nuk është e frikacakëve, por e kurajozëve. Nuk ka arsye për të pasur frikë. Mund të ketë provokime e gjëra sporadike. Ne kemi marrë masat dhe kushdo shkel ligjin do përballet me pasojat. Askush nuk mund të pengojë tjetrin të zgjedhë. Një pjesë njerëzish që janë votues dhe simpatizantë të atyre që nuk janë në garë mund të jenë krejtësisht në pamundësi për të votuar, por nuk ja u hoqi qeveria. Ja u hoqi partia e tyre. Ata ja u hoqën. Ne po bëjmë detyrën sipas Kushtetutës dhe ligjit. Nuk ka sens të dalësh të pengosh të tjerët të bëjnë zhurmë. Është e drejta të mos marrësh pjesë apo kontestosh mungesën e garës. Faktikisht nuk janë zgjedhje të mira të mundshme. Secili ka të drejtën të thotë se unë nuk kam zgjedhje dhe skam punë me këto zgjedhje, ose të thotë do shkoj të hedh votën time.

-Ky 5-6 mujor që kulmon të dielën, ndiheni fajtor, aktor apo fitues i krizës?

Asnjë. Unë ndihem mirë që Shqipëria do e kalojë këtë test. Plani i turpshëm për ta marrë peng procesin zgjedhor që pastaj Shqipëria të futej në rrugë pa krye dhe të dështonte në çeljen e negociatave, dështoi. Mund të ketë dëmtuar çeljen e negociatave, por nuk ka imponuar një rregull të ri, që një palë imponon rregull të pashkruar për palën tjetër. Kjo ka dështuar një herë e mirë. Nuk do kemi pas 30 qershorit që parti politike do ëndërrojnë fitore duke djegur mandate apo duke braktisur zgjedhje. Duke e ditur se ky film ka këtë fund dhe ky është fundi i një seriali që ka vite që zhvillohet, do fillojë një seri e  re. Nuk përjashtohen dhe tensione dhe konflikte se jemi në demokraci, por jo një demokraci e zhvilluar, por ama jo më kështu. Nuk kanë për të parë më shqiptarët në Parlament dhe politikë situata e skena që kanë parë deri më tani.

-Ju thoni që ishte leksion demokracie?

Një leksion historik demokracie. Çeta që e këndonte këngën është bërë verem. E meritojnë dhe duhet ta mbajnë dhe tresin dalëngadalë veremin. Sepse kërkuan të veremosin Shqipërinë dhe morën atë që meritojnë dhe akoma nuk ka mbaruar ajo që meritojnë. As unë nuk mendoj se pas 30 qershorit do zhduken parti. PD nuk mendoj se do zhduket, por për parti të tjera nuk e di. PD do dalë e rrënuar nga kjo histori. Do duhet të reflektojnë, analizojnë dhe rikthen si alternativë e besueshme. Këtu jemi në kushte kur kemi zgjedhje pa kundërshtarë sepse kundërshtarët kanë braktisur zgjedhjet. Për këtë nuk fajësohet pjesa që bën zgjedhjet. Sa i takon dekreteve të Ilir Metës, janë njësoj si të Haxhi Qamilit, me ndryshimin që Baba Haxhiu vuloste me tokzën e rrypit ku shkruhej “Kompani kafeje import eksport” dhe ai nuk e dinte se çfarë shkruhej aty. Ndërsa Meta përdor vulën për dekrete marrëzie. Ato nuk janë dekrete, janë marrëzi. Shqipëria ka institucione dhe ka një proces që vlerëson dhe vlefshmërinë e këtyre dekreteve, sot ka zgjedhje në 30 qershor. Nëse do i ishim vënë një procesi ligjor, të jeni i sigurt që BE e SHBA nuk do ishin kaq fuqishëm kundër përpjekjeve destruktive të opozitës. Do ishim në të kundërt. Askush nuk bën për budalla popullin dhe partnerët strategjikë. E kuptoj që nuk është gjëja më e mirë mundshme. PD është kthyer në ato çetat e Enverit që u dilnin atyre që ishin populli demokrat. Kjo kërkon të kthejnë sytë nga udhëheqësit e PD. Udhëheqësi merr përsipër të tregojë një pikë në horizont dhe asnjë nuk e sheh, ai duhet të marrë përgjegjësi.

-Ju parashikoni fundin politik të Bashës?

Unë vetë kam qenë i vendosur dhe u kam thënë bashkëpunëtorëve të mi se atje është pika, atje do shkojmë. Unë mora përgjegjësinë dhe nëse dështoja, përgjegjësia binte mbi mua. Ata nuk djegin asgjë. Ata do djegin vetëm veten e tyre. Tani do i lëmë mbështetësit e PD të djegin partinë, apo do u thonë ikni tani.

-Ju folët për reflektim të zotit Basha, i cili sapo ka folur, ai ka gjetur përgjegjësi te shoqëria.

Unë po ju them sinqerisht se nuk jam të bëj propagandë. Po ju them që në 2013 ja vunë fajin popullit, ndërsa në 2017 na i vunë fajin ne. Ata ja vunë fajin tij sepse bëre ti marrëveshje. Tani e paska fajin populli që nuk u bashkua me Lulin për të djegur Shqipërinë. Po në 2011. Ne kemi bërë bojkot, protesta. Ne dolëm nga një traumë e 21 janarit. Nuk bëj tani krahasime se ne bojkotuam për një komision hetimor dhe jo Berisha ik. Në 2011 na u mor Bashkia e Tiranës në tavolinë me një maskaradë që e panë të gjithë. Kishte njerëz të tunduar se lufta politike të çon në ca pika që e humbet kthjelltësinë. Një tundim që ishte brenda grupit ishte t’i shkonim deri në fund. Pra ta djegim. Jo Shqipërinë, por t’i shkojmë deri në fund. Rruga tjetër ishte ajo që ndoqëm. Ne e ngritëm çështjen e zgjedhjeve në shqetësim kombëtar dhe 2 vite punuam për partinë dhe ne i ftuam zgjedhjet sepse kemi organizimin kapilar shumë të mirë dhe jo se vjedhim.

-Kur nuk reflektuat pas letrës së Metës, unë nuk pres reflektim nga ju...

Cila është letra e Metës ore? Historia e kazanëve nuk ka filluar as nga Tahiri dhe as nga Gjiknuri, por tek reforma në drejtësi. Unë jam i vendosur dhe i palëkundur për zbatimin e reformës në drejtësi dhe të gjithë këta janë me poture të mbushura nga reforma në drejtësi. Unë e kam, thënë dhe e përsëris gjithmonë: Miqtë e mi unë jam me shpatë për mbrojtjen tuaj për punën që bëjmë bashkë, kush merret me punë të tjera që nuk kanë lidhje me punët tona, e ka individuale dhe mund t’i dalë për zot. Unë nuk them që jemi një grup engjëjsh dhe përballë kemi një grup djajsh. Këtë nuk e them fare. Biseda ime që ka dalë është 100 për qind e vërtetë. Zëri është i imi dhe do ta bëja prapë dhe është biseda më e rëndomtë që një kryeministër e bën me një koordinator. Por në asnjë bisedë nuk kam dëgjuar unë që të flitet më jep, të jap. A ka ndodhur, a s’ka ndodhur i takon hetimit. Një parti politike nuk mund të bëhet as prokuror dhe as gjykatës.

-Ju në intervistën e fundit në studion tonë thatë që nuk ka negociata deri në 30 qershor. A do të thotë kjo që do të ketë negociata pas? Sepse kriza vazhdon..

Kriza është një krizë e thellë e Partisë Demokratike, ata u përpoqën ta kthejnë në krizë të vendit. A do të ketë apo jo dialog dhe marrëveshje bashkëpunimi, kjo varet nga ata. Unë jam dhe do të jem i hapur, por do të varet nga ata.

-Deri në ç’pikë jeni ju gati të lëshoni?

Unë nuk jam këtu për të zgjidhur krizën e PD. Opozita bojkotoi zgjedhjet në Mal të Zi dhe akoma nuk e ka marrë veten. Populli nuk i ha këto. Shqiptarët nuk kanë votuar kurrë gabim. Shqiptarët kanë votuar gjithmonë saktë. PS nuk shet vota. LSI është tjetër gjë. Partitë e vogla janë tjetër gjë. A ka fenomene sporadike brenda nesh? Patjetër.

-Ju jeni në politikë që nga 1998. Këto ditë keni akuzuar Bashën, Berishën, Kryemadhin dhe Metën që kanë frikë nga reforma në drejtësi. Pse ju jeni kaq i qetë që keni në anën tuaj pastërtinë morale?

Unë nuk bëj asnjëherë superioritet. Politikanët nuk janë të gjithë njësoj. Por është fakt, nuk është diçka që unë e imagjinoj, unë e di është fakt që këta njerëz janë të tmerruar nga reforma në drejtësi. Ky është fakt. Në të gjithë ecurinë e reformës në drejtësi kanë qenë vazhdimisht kundër, vazhdimisht sabotator të reformës në drejtësi. Amerikanët i morën zvarrë dhe i kërcënuan dhe ju thanë se nëse nuk e votoni këtë, jeni kundër interesit të vendit. Dhe erdhën zvarrë, e votuan sikur të ishin në pushkatim. Këtu nuk është çështja e SPAK dhe BKH. Çështja është se nëse hapen negociatat, fillon presioni i BE për besueshmërinë që reforma në drejtësi po funksionon. Unë mezi e pres reformën në drejtësi. Procesi i negociatave shoqërohet me hetime të nivelit të lartë dhe arrestime të nivelit të lartë. Shkuan në kokërr të burgut gjithë ata zyrtarë të lartë të Kroacisë, të mos flas pastaj për Rumaninë. Pse? Sepse duhet t’ia provosh këtë BE që drejtësia nuk është vetëm çështje letre.

-Vijmë tek 1 korriku. Ju nuk jeni i gatshëm ta negocioni fjalën dialog me fjalën negociatë. Unë them që në 30 qershor duhet votuar. Problemi është që ju thoni që kriza është e PD, por edhe unë them që kriza sot është institucionesh. Sot Parlamenti ka një problem.

Nuk ka asnjë problem. Sot Parlamenti është shumë më dinjitoz në krahasim më barbarinë e atyre që bënin më parë, mungojnë vezët, sharjet, etj., etj.. Pse qenka me probleme? Se iku Paloka dhe Salianji, por është Rudina? Është ai përgjegjësi pse është kjo opozitë sot. Është ai përgjegjësi pse nuk ka kryebashkiakë demokratë në garë. Nëse do t’i kishte në garë, padyshim që do të fitonin disa bashki. Sot PD, me thirrjen haxhiqamiliste tha se do të dalim nga sistemi për fitoren revolucionare, por sot është kurrkund. Është shumë e thjeshtë nuk ka asnjë shkencë. Unë Bashës i kam dërguar 6 letra, i kam kërkuar dialog, jam i gatshëm të ulem në tavolinë të hënën direkt dhe të diskutojmë çfarë marrëdhëniesh bashkëpunimi mund të kemi mes opozitës së rrugës dhe shumicës qeverisëse. S’kam asnjë lloj paragjykimi, asnjë lloj kushti. Ai mund të vijë në tavolinë të thotë Rama ik. Por në tavolinë. Unë jam i gatshëm dhe kjo nuk diskutohet. Unë do ta dëgjoj, do ta dëgjoj dhe po e pash që nuk ka ardhur në vete, do t’i them OK, po iki. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 15:30

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të mblidhet nesër për verifikimin e kandidatëve për vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Postuar: 23/07/2019 - 15:17

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar një mbledhje për emergjencën e ngërçit në Gjykatën e Lartë

Postuar: 23/07/2019 - 15:11

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i ftuar në “News 24” tha se Ilir Meta

Postuar: 23/07/2019 - 15:08

Taulant Balla  i ftuar në studion e 'News 24' ku foli për situatën aktuale në vend d

Postuar: 23/07/2019 - 14:56

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, duke folur për krizën tha se në Shqipëri nuk ka k

Postuar: 23/07/2019 - 14:49

Njoftohet se kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të paraqitet ditën e enjte në Prokurori

Postuar: 23/07/2019 - 14:48

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka folur në lidhje me ndryshime të mundshme në kab