Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sabit Brokaj: Opozita kërkon të vijë në pushtet me banditë e rrugaçë, Ilir Meta pjesë e përgjegjësisë për situatën, ja pse nuk do të ketë trazira më 30 qershor

Postuar: 19/05/2019 - 09:20

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek opozita dhe protestat e saj. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, Brokaj dënoi dhunën e ushtruar nga opozita gjatë protestave të saj ndaj policisë dhe institucioneve të shtetit. Në këtë kontekst, ish-numri një i Mbrojtjes akuzoi opozitën se përmes këtyre skenarëve kërkon të vijë në pushtet me banditë dhe rrugaçë. Megjithatë, kjo sipas tij, nuk ka për të ndodhur. Nga ana tjetër, zoti Brokaj shigjetoi edhe presidentin Ilir Meta, duke e bërë fajtor për krizën politike që ka përfshirë vendin. Sa i takon paralajmërimeve të krerëve të opozitës, se do të bllokojnë zgjedhjet vendore në 30 qershor, ish-ministri i Mbrojtjes theksoi se nuk mund të ketë trazira për disa arsye të qenësishme. Sipas tij, opozita është minorancë dhe nuk e ndjek askush, ndërkohë që ligji është i rreptë dhe godet këdo që tenton të dhunojë procesin zgjedhor. Duke komentuar debatin e fundit për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare, Brokaj theksoi se vlerat e LANÇ nuk mund t’i mohojë instituti i drejtuar prej Agron Tufës, pasi vlerat e saj i kanë njohur SHBA-të dhe vendet europiane.

-Zoti Brokaj, opozita prej tre muajsh ka djegur mandatet dhe ka dalë në rrugë duke protestuar kundër qeverisë, ndërkohë që nuk ka munguar edhe dhuna. Keni një koment?

Opozita ndodhet në një nga periudhat më të vështira të saj, për shkak të gabimeve që ajo ka bërë. Opozita asnjëherë nuk ka ditur të bëjë opozitë. Kjo pasi opozitë do të thotë pjekuri politike, mendim të ri politik dhe mendim reformues në shumë plane, përfshi këtu alternativë qeverisëse. Opozita nuk ka paraqitur asgjë prej këtyre. Por gabimi që çoi drejt përshkallëzimit të dhunës është dalja nga Parlamenti dhe djegia e mandateve. Dalja nga Kuvendi i Shqipërisë, që është djepi i demokracisë, është e papërfytyrueshme dhe e paimagjinueshme. Më lejoni të heq një paralele. PD dhe LSI janë jashtë Parlamentit, njësoj sikur të futesh në një ndeshje, qoftë kjo futbolli apo tjetër dhe më pas të pretendosh që të fitosh ndeshjen, ndërkohë që nuk je duke luajtur, por je duke shikuar nga shkallët e stadiumit. Pra, duke qenë se Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim shpresuan që duke dalë nga Parlamenti do ta vendoste Partinë Socialiste në pozitën e një Parlamenti njëngjyrësh dhe mendonte se kjo situatë do t’i favorizonte këto dy parti. Madje, duke qenë se në jetën normale politike opozita nuk i fiton dot zgjedhjet, luajti me këtë strategji, e cila për hir të së vërtetës po i kthehet në bumerang. Po ju sjell në kujtesë se kjo lëvizje e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për të djegur mandatet dhe dalë nga Parlamenti, si dhe për të shkaktuar protesta të dhunshme është në sinkron me të gjitha strukturat e saj qofshin në parti, pushtetin vendor apo atë legjislativ. Kështu që, të gjitha këto plane të opozitës, sikundër është dalja nga Kuvendi, do ta favorizonte këtë. Por nuk ndodhi aspak kështu. Situata ndryshoi në dëm të tyre, sikundër është hyrja e deputetëve të rinj, por edhe qëndrimi i disa nga deputetëve të PD-LSI. Kjo taktikë asgjësuese për parlamentarizmin u kthye asgjësuese për opozitën. Ndaj kjo e fundit hyri në këtë krizë politike, morale dhe psikologjike, aq sa në kushtet kur ndodhet e hutuar nuk di çfarë qëndrimi dhe sjelljeje të mbajë, ku rrugën më të lehtë e gjen tek dhuna. Si përfundim, unë e dënoj me forcë dhunën e ushtruar nga opozita dhe protestuesit e saj në protesta, kundër institucioneve të shtetit dhe Policisë së Shtetit.

-Pre e sulmeve të opozitës kanë qenë edhe ndërkombëtarët. A është normale kjo gjuhë?

Mendoj se mundësitë politike të opozitës, kuptohet duke dalë nga Parlamenti, u rrudhën për të. Mirëpritja e kësaj lëvizjeje të opozitës nga shumica e shqiptarëve, pas këtij gabimi, nuk ekziston më. Madje, në të njëjtën linjë me qytetarët që nuk e mirëpresin këtë qëndrim të opozitës janë edhe ndërkombëtarët. Fakti që ndërkombëtarët e porositën që mos dil dhe opozita doli nga Parlamenti, duke mos i dëgjuar këshillat e tyre të vlefshme, automatikisht e vendos PD dhe LSI në një opozitë pa mbështetje në çdo aspekt. Kështu që e ka krejtësisht të kotë që i fyen dhe i shan ndërkombëtarët, në një kohë që këshillën e tyre nuk e dëgjoi. Dhe dihet që ata që monitorojnë Shqipërinë, e këshillojnë dhe e ndihmojnë vendin tonë, po nuk i dëgjove të “varin këmborën”. Kjo i ndodhi Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndaj dhe duke qenë përpara kësaj situate, opozita ka zgjedhur protestat e dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes, mjete këto që sipas saj, do ta nxjerrin nga qorrsokaku ku ka hyrë. Opozitën e gënjen mendja se duke shkaktuar kaos edhe dhunë do ta vendosë qeverinë përpara një situate të vështirë për të, duke e detyruar që të pranojë kushtet e saj. Ndërkohë që, po ashtu opozita mendon se me dhunën që shkakton do të detyrojë edhe ndërkombëtarët që nga frika e destabilizimit të vendit, do të thoshin që : “Uluni dhe bëni një kompromis sipas Partisë Demokratike. Kompromis ky që PD-ja do të hynte në pushtet”. Por logjikisht nuk ka moral që opozita të hyjë në pushtet vetëm se tremb qeverinë dhe ndërkombëtarët me ca rrugaçë dhe banditë. Nuk vihet në pushtet me këto skenare. Pra, për mendimin tim kjo është situata kronologjike e deritanishme.

-Protestat e opozitës, sidomos ato të fundit janë zhvilluar në të njëjtën kohë me protestat që zhvillohen në Serbi dhe Malin e Zi. Është rastësore apo ka koordinim?

Konkretisht, unë e kam thënë edhe dikur dhe nuk e rrah atë tezën e një përputhje të zhvillimeve Serbi-Shqipëri. Kjo nuk është e veçantë për mua. Aq më tepër që këtë e kam thënë në vitet ’97-’98 dhe i kam qëndruar kësaj ideje, të cilën këtë logjikë ta sjellin vetë statistikat e numrit të ngjarjeve të rëndësishme e me peshë në Shqipëri, me ato në Serbi. Kështu që, të gjitha këto na detyrojnë të mendojmë dhe besojmë se ka një të përbashkët mes opozitës serbe dhe asaj shqiptare. Por unë do të doja të ndalesha tek dhuna që ka shoqëruar protestat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të cilën ka një sërë politikanësh dhe analistësh krejtësisht të sëmurë që e shohin si arritje të opozitës, kaosin dhe flakën që iu vënë institucioneve të shtetit. Këto analiza pro opozitës janë jashtëzakonisht të dëmshme për vendin tonë. Kështu që, është turp që të mbrosh dhe të ngresh në piedestal opozitën dhe protestat e saj në një kohë kur ato nuk janë demokratike.

-Po hedhjen e bombave molotov nga ana e protestuesve të opozitës kundër institucioneve dhe Policisë së Shtetit si e komentoni?

Kjo është një pyetje e bukur. Kështu që, për një moment le t’i bëjmë një rezyme protestave të opozitës gjatë këtyre tre muajve dhe le të ndalemi tek ajo e të shtunës që lamë pas, ku disa prej institucioneve shtetërore u ndezën flakë. Protesta e opozitës e 11 majit nuk ishte protestë, por ishte një rebelim i dhunshëm, madje shumë i dhunshëm. Më lejoni t’ju kujtoj një fenomen. Kur shikoja bombat molotov që hidheshin tek Parlamenti dhe Kryeministria dhe u përmend termi “molotov”, mua mu kujtua një film rus (sovjetik), i cili quhet “Kodra Malaov”, që e kemi parë në fëmijërinë tonë. Atje një togë ushtarësh rusë për të përballuar tanket gjermanë, pasi ju mbaruan granatat anti-tank, luftuan me bomba molotov. Pra, këto janë armë luftarake të përdorura masivisht nga rusët. Dhe e theksoj këtë, pasi më shqetëson fakti që përdoren armë luftarake kundër uniformave blu, kundër institucioneve dhe këta e quajnë protestën thuajse normale, do të thosha këta banditë, analistë, politikanë, të cilët si duket e duan Shqipërinë të bëhet shkrumb e hi. E theksova këtë se nuk ka ndodhur, asnjëherë që në protestat të përdoren armë luftarake, sikundër janë bombat molotov. Kjo është e rëndë dhe e dënueshme, kushdo duhet të mbajë përgjegjësi. Mos harrojmë që në Shqipëri, që nga dhjetori i vitit 1990 e deri më sot janë bërë shumë protesta, por asnjëherë nuk ka ndodhur që protestat e Partisë Socialiste edhe kur kanë qenë të tensionuara, nuk kanë përdorur armë luftarake në kuptimin molotov, etj. Por këto armë luftarake janë përdorur vetëm nga Partia Demokratike, në kushtet kur kjo parti është në krizë dhe nuk ka çfarë të humbasë, rrugën më të shkurtër e ka që të sulmojë institucionet shtetërore. PD dhe LSI i gënjen mendja se më këtë strategji dhe me këtë lloj opozitarizmi të marrë pushtetin. Por ta harrojnë se mund të vijnë në pushtet, apo të marrë copa pushteti, duke përdorur dhunë.

-A besoni ju se ka ndonjë mundësi që PD dhe LSI do të arrijë të vijë në pushtet?

Absolutisht jo. Përkundrazi unë mendoj se sikundër protestat e PD dhe LSI po tkurren dhe zbehen nga dita në ditë, bashkë me to ka marrë fund edhe dhuna. Për mendimin tim, nuk ka asnjë mundësi që opozita të vijojë më tej që të sulmojë sërish institucionet me bomba molotov, pasi tanimë si shqiptarët, ashtu edhe aleatët ndërkombëtarë i kanë dënuar sulmet ndaj institucioneve, duke i dhënë një “shuplakë” mëse të merituar opozitës shqiptare.

-Krerët e opozitës, me në krye Bashën, Kryemadhi, madje dhe Berisha kanë paralajmëruar dhunë në 30 qershor, duke mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve. Keni një koment?

Unë e thirrjet e Berishës, Bashës dhe Kryemadhit i quaj thirrje kërcënuese për të trembur qeverinë, natyrisht udhëheqjen politike në pushtet me idenë se mos Rama lëshon ndonjë thërrime. Unë e mendoj krejtësisht të pamundur që ata të pengojnë zgjedhjet vendore në 30 qershor. Zgjedhjet, sidomos këto që janë administrative, nuk pengohen dot, pasi numri i njerëzve që konkurrojnë për pushtetin është shumë i madh. Për shembull për Tiranën nuk konkurrojnë 30 deputetë, por konkurrojnë ndoshta 1000 ose 2000 kandidatë për këshillin bashkiak nga të gjitha partitë që janë regjistruar në zgjedhje. Pra, është një fenomen i shtrirë në masë me shumë mbështetje dhe me interesa, jo politike por më shumë qytetare. Nga ana tjetër, e gjykoj që pavarësisht nga marrëzitë e saj, është e pamundur që një veprim kushtetues, sikundër janë zgjedhjet të atakohen nga opozita, në një kohë kur përftimi politik është zero. Është vetëm një dëm politik dhe dëm kundër qytetarëve që të bllokosh procesin zgjedhor. Dhe e fundit nuk ka Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim aq njerëz të tërbuar, agresivë, të dhunshëm, do të thosha unë jo normal nga trutë që në gjithë Shqipërinë të realizojnë bllokimin e qendrave të votimit ose të ushtrojnë dhunë në qendrat e votimit. Dhe të duan nuk e bëjnë dot, pasi edhe matematikën nuk e kanë me vete, e jo më njerëzit. Është e pamundur të bllokohen zgjedhjet vendore. Kështu që, unë kam një apel për të gjithë këta që të mos guxojnë, pasi do të përgjigjen para ligjit.

-A besoni se pas Bashës, fshihet Berisha?

Absolutisht po. Ndikimi i Berishës mbi Bashën, madje mbi Partinë Demokratike nuk do të jetë vetëm kur Berisha të mos ekzistojë si qenie njerëzore, përveç disa reflekse të tij që do t’i mbeten PD-së. Sa të jetë Berisha, Basha dhe kushdo janë kukulla të tij. Berisha e drejton Partinë Demokratike, as mos e vini në dyshim.

-Pak ditë më parë Berisha ka bërë një deklaratë të fortë duke u shprehur se ose do të rrëzohet kryeministri Edi Rama, ose PD do të shkrihet. A janë normale këto thirrje, aq më tepër kur dalin nga goja e një njeriu që ka drejtuar shtetin?

Unë e thashë dhe më sipër që këtu dominon anormaliteti dhe kriza psiko-emocionale. Këto deklarata janë absurde dhe qesharake.

-A duhet të hyjë në lojë Presidenti i Republikës për të ulur palët në dialog?

Për mendimin tim, tani Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka humbur rolin dhe autoritetin do të thosha unë, që të futet në këtë lojë. Meta është bërë pjesë e përgjegjësisë dhe jo zgjidhësi i problemit. Nga ana tjetër, unë mendoj që presidenti Meta ka pasur mundësi që t’i dilte problemit përpara kurse Partia Socialiste fillimisht propozoi që zgjedhjet vendore të mbaheshin në fillim të qershorit, në mënyrë që të mbetej pjesa e turizmit, e lirë nga tensionet apo marrëzitë e opozitës, qofshin këto zgjedhore apo politike. Por përkundrazi Meta e miratoi menjëherë 30 qershorin. Pastaj, pas kësaj kërkesat për të shtyrë zgjedhjet e të tjera lojëra, natyrisht që nuk mund të realizoheshin, se në fund të fundit dekreti kushtetues është imun ndaj lojërave politike.

-Mendoni se kryeministri Edi Rama duhet të lëshojë pe ndaj kërkesave të opozitës, në mënyrë që të ulen në tryezën e dialogut, apo janë ezauruar të gjitha?

Kryeministri Edi Rama është produkt i zgjedhjeve, produkt i politikës së shumicës së shqiptarëve. Pra, ka detyrime ndaj qytetarëve. Ndërsa ndaj opozitës Rama ka detyrimin që të zbatojë ligjin dhe të mos bëjë represion ndaj saj. Por pushtetin Rama e ka nga shumica e shqiptarëve dhe ka detyrime të kryej detyrën dhe ta çojë misionin deri në fund. Kështu që, nuk ka punë fare opozita që ta mësojë apo ta trembë opozita lërë ose merre pushtetin. Në këtë pikë Rama nuk duhet të negociojë fare, po fare. Ramës janë kanë dhënë qytetarët pushtetin dhe nuk e lënë, madje lejojnë që të lërë pushtetin.

-Mazhoranca akuzon opozitën se dogji mandatet dhe doli në rrugë nga frika e reformës në drejtësi. Keni një koment?

Opozita dhe krerët e saj duke filluar nga Lulzim Basha dhe mbaro tek Kryemadhi, apo Sali Berisha kanë frikë, madje do të thosha se janë të tmerruar nga kjo reformë. Në këtë kontekst, më lejoni të them se opozita ka pasur frikë nga reforma në drejtësi që në mëngjesin që është artikuluar si projekt dhe të gjitha veprimet kanë qenë që të mos bëhej, të deformohej apo të mos jepte efekt si reformë. Ky ka qenë synimi i tyre. Megjithatë, kjo lojë e opozitës shumë shpejt do të mbarojë, kur reforma dhe sidomos SPAK do të fillojë veprimin konkret dhe ekzekutiv, duke i çuar të gjithë të korruptuarit para drejtësisë.

-Opozita dhe eksponentët më të lartë të saj kanë intensifikuar sulmet ndaj ndërkombëtarëve. Rasti më i freskët është sulmi ndaj ambasadorit të OSBE në Tiranë. A është normale që një opozitë të sulmojë në mënyrë të paprecedent ndërkombëtarët?

Sulmet e opozitës ndaj ndërkombëtarëve nuk janë vetëm një marrëzi, por janë edhe turpe në planin kombëtar. Është skandal domethënë. Kam frikë se Haxhi Qamili në kohën e vetë arriti në këtë nivel që të merrej me kësisoj gjëra. Asokohe, thoshte: “Dum babën për turqit”, por nuk e di a i shante italianët dhe grekët në këtë gjuhë, sikundër bën opozita sot me partnerët tanë ndërkombëtarë. E theksoj as Haxhi Qamili që sulmonte të huajt, nuk përdoret këtë gjuhë që përdor sot opozita ndaj ndërkombëtareve. Kështu që, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim pas 30 vjetësh, nuk kanë fare kulturë politike dhe nuk kanë asnjë fije sjellje etike dhe përgjegjshmëri në marrëdhëniet me ndërkombëtarët.

-PD dhe LSI dogjën mandatet, por thuajse shumica e vendeve të lëna bosh janë zëvendësuar nga deputetët e rinj. Si ju duket kjo opozitë e re, e cila zëvendësoi atë të vjetrën në Parlament?

Opozita e re në Parlament, me thënë të drejtën, unë e kamë ndjekur me shumë vëmendje dhe duket tërheqëse. Për mua gjuha e artikuluar dhe debati që po bëjnë deputetët e rinj të opozitës është e argumentuar, plotësisht opozitare dhe korrekte. Megjithëse, ata janë të rinj dhe kanë emocione e sallës së Parlamentit ma merr mëndja dhe përballë kanë një mazhorancë të konsiderueshme, sjellja e tyre është plotësisht adekuate do të thosha unë si opozitë, me kurajo dhe mendim politik. Do të doja dhe uroj që kështu që kështu të vazhdonin opozitat si djathtas apo majtas. Opozita e re është e mençur, e ekuilibruar.

-Së fundmi, ju zoti Brokaj, jeni përfshirë në një debat me kreun e ISKK, Agron Tufa. Madje, ky i fundit ju ka paditur juve dhe një grup politikanësh e intelektualësh, ndërkohë që ka hedhur akuza të forta ndaj LANÇ, duke i etiketuar një pjesë të partizanëve si kriminel lufte. Keni një koment për këtë?

Shiko! Kjo është sjellja krejt e zakonshme e armiqve dhe kundërshtarëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, të cilët janë trinomi “Ballistë, nazistë, fashistë”. Kështu që, për arsyen e thjeshtë dhe kjo nuk është e re, që sa filloj pluralizmi dhe u gjallëruan dhe u bënë agresiv këto segmente, me në krye Sali Berishën fillimisht, donin të eliminonin datën, simbolin e çlirimit të vendit. Dhe sot e kësaj dite, pas 30 vjetësh festohen paradoksalisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, 2 data çlirimi. Pastaj, u orvatën që ta bënin luftë civile. Dhe luftuam boll për të nxjerrë argumenta kundër LANÇ. Por realisht LANÇ dhe historia e saj e rrëzon tezën e atyre që kanë dalë kundër luftës. Më pas, u hodhën tek një krim që gjasme kishin bërë gjatë luftës, siç ishte ajo sjellja e Mehmet Shehu. Dhe të inkurajuar nga një gjest jopolitik i Ramës, Tufa me shokë u përpoqën që duke bërë kriminelë udhëheqjen e luftës, LANÇ ta konsiderojnë kriminele, duke i mohuar vlerat. Pra, është një vijim që nga momenti që filloi në ’91 për 29 nëntorin, vazhdoi me idenë e luftës civile dhe tani kriminalizimin e LANÇ për të eliminuar luftën në vet-vete. Dhe gjeste të tilla nuk mund të bëhen nga pozicionet e demokratëve të djathë do të thosha unë, por bëhen nga ekstremistët e djathtë të konkretizuar në lidhjet nazizstoide apo fashiststoide. Ndryshe një politikë anti-fashiste nuk goditet nga asnjë krah i politikës, kur kontingjentet e saj janë demokratë. Sa i takon gjyqit të Tufës ndaj nesh e konsideroj qesharak dhe në dëm të tij apo të kujtdo që është rreshtuar kundër Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ne e kemi detyrë qytetare dhe historike të mbrojnë LANÇ dhe vlerat e saj. Askush nuk mund të na ushtrojë presion për të mbrojtur LANÇ. E thënë më drejtë se çfarë ishte Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe se çfarë roli kishte Balli Kombëtar apo bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit e kanë thanë amerikanët, anglezët, e kanë thënë italianët, e kanë thënë francezët, e kanë thënë gjermanët. Kështu që, sulmet ndaj LANÇ, janë të barazvlefshme mu si sharjet e “jevgave”. Kjo nuk është politikë, pasi katërcipërisht nga faktet brenda luftës dhe nga faktet jashtë, madje nga të gjitha, sidomos në jetën politike botërore nuk ka asnjë rast që bashkëpunëtorët e nazi-fashizmit të rehabilitohen dhe të goditet Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Pra, instituti i drejtuar nga Tufa tregon qartë që nuk po bën asgjë, përveçse po sulmon LANÇ.

Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/08/2019 - 12:30

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi tregoi dje sesi ish-kryeministri Sali Berisha mund të përballet me drejtësinë e re.

Postuar: 25/08/2019 - 12:22

Nënkryetari i PD, Edi Paloka ka përgënjeshtruar kryeministrin Edi Rama, sipas të cilit nuk ka bër

Postuar: 25/08/2019 - 11:30

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë pretendimet e Presidentit

Postuar: 25/08/2019 - 10:47

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka shpërndarë sot një video në rrjetin social Facebook ku shpreh

Postuar: 25/08/2019 - 09:45

Kreu i qeverisë përgënjeshtroi lajmin se ishte larguar për pushime në Greqi, lajm i cili u publik

Postuar: 25/08/2019 - 09:20

Benefitet që u ofron ligji duket se shfrytëzohen mjaft mirë nga pushtetarët shqiptarë.

Postuar: 25/08/2019 - 08:56

Dalin në dritë të tjetra fakte sa i takon skandalit me falimentimin e bankës italiane “Vene