Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sabit Brokaj: Venecia legjitimoi 30 qershorin, Meta u rreshtua hapur në krah të opozitës, Berisha kërkon revolucion sepse e di që do i dalin zullumet

Postuar: 29/09/2019 - 09:20

Ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Brokaj deklaroi se raporti paraprak i Komisionit të Venecias legjitimoi 30 qershorin, ndërsa theksoi se kjo është një fitore për mazhorancën, e cila sipas tij, mund të tërhiqet nga shkarkimi i Presidentit. Sa i takon pretendimeve të Presidentit Meta se i anuloi zgjedhjet nga frika se do të digjej Kuvendi, Brokaj u shpreh se këto pretendime nuk qëndrojnë dhe se kreu i shtetit është rreshtuar hapur krah opozitës. Duke komentuar thirrjet e ish-kryeministrit Sali Berisha për revolucion, Brokaj deklaroi se ato bëhen nga frika që ka ai nga reforma në drejtësi. Sipas tij, Berisha do kaos dhe dhunë në mënyrë që të bllokohet reforma, pasi e di që do i dalin zullumet.

-Zoti Brokaj, Bundestagu gjerman ka votuar pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ndërkohë që ka vendosur 9 kushte që qeveria shqiptare duhet të plotësojë. Si e cilësoni këtë vendim dhe a mundet që Shqipëria t’i plotësojë këto kushte?

Mua nuk më shqetësojnë kushtet shtesë që vuri Gjermania. Kjo pasi katër nga kushtet mund të realizohen brenda 2-3 muajsh. Pra, mbeten po ato kushte që kanë qenë, të cilat janë kushte standarde për çdo vend, në mënyrë që të integrohen në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Kodi Zgjedhor zgjidhen maksimumi për dy muaj. Të gjitha këto nuk janë problem, pasi të gjitha janë në fund të procesit për t’u ngritur. Kështu që, unë mendoj që gjermanët për të bindur vendet evropiane, që janë skeptike ose hezituese, shtuan pika për t’u treguar atyre se ne shtuam edhe ca pika, kështu që votoni pro. Unë kështu i kuptoj kushtet e vendosura nga Gjermania për Shqipërinë. Pra, me këtë lëvizje Gjermania tregon se ajo është dashamirëse ndaj Shqipërisë, pasi ajo e di shumë mirë që SPAK-u, Byroja e Hetimit dhe Kodi Zgjedhor janë detyrime imediate që do të mbarojnë duan apo nuk duan politikanët shqiptarë. Nga ana tjetër, mua nuk më shqetëson fakti, sa i takon kushteve të tjera që duhet të përmbushen, pasi të hapen negociatat. Sepse këto kushte të mbetura nuk janë të dobishme vetëm për integrimin evropian të Shqipërisë, por janë kushtet që duhet të përmbushen në të mirë të shqiptarëve, në të mirën tonë të përbashkët. Të gjitha këto kushte në tërësi kur të plotësohen e shndërrojnë shtetin tonë në një shtet demokratik dhe të përafërt me vendet e zhvilluara, sikundër janë ato të Bashkimit Evropian. Kështu që, të gjitha këto kushte duhet t’i bëjmë dhe plotësojmë për vete ne, jo për Gjermaninë, Francën, Holandën, apo vende të tjera. Si përfundim, më lejoni të them se unë nuk shoh asnjë problem lidhur me shtimin e kushteve, pasi për mua e gjitha kjo lëvizje e Gjermanisë është një gjest i matur politik, në mënyrë që të inkurajojë vendet që hezitojnë, duke dashur që t’u thonë se ne nuk kemi më çfarë t’i bëjmë Shqipërisë, kështu që votoni pro.

- Një nga kushtet që Gjermania ka adresuar për Shqipërinë është procedimi penal për gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kaluan procesin e vetingut. Sa e realizueshme është kjo?

 Në këtë kërkesë që Gjermania ka parashtruar për Shqipërinë ka një të vërtetëtë madhe. Deri më tani shumë prokurorë dhe gjyqtarë janë flakur jashtë sistemit, pasi gjatëprocesit të rivlerësimit kalimtar ose sikundër quhet vetingu, janë gjetur me shkelje në të tre komponentët që hetohen. Shumë prej tyre kanë ngelur për shkak se nuk justifikojnë pasurinë, ndërsa pjesa tjetër për shkak se ka ngelur në aspektin e figurës apo profesional. Pra, që të hyj në brendi të pyetjes, shumë prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë shkelur ligjet e kohës dhe natyrshëm duhet të dalin para drejtësisë dhe të hetohen. Kështu që, kjo është një kërkesë e drejtë dhe qëndron. Pra, të gjithë këtë gjyqtarë dhe prokurorë kanë bërë aq shumë shkelje profesionale dhe ligjore, sa që normalisht secili duhet të gjykohet dhe të dalë para drejtësisë. Madje, dua të shtoj se nëse të gjitha këto shkelje do të rëndonin mbi qytetarin e thjeshtë, ky i fundit do të dilet para drejtësisë. Kështu që, i njëjti standard duhet të ndiqet edhe për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

-Një tjetër kusht që Gjermania i kërkon Shqipërisë që ta plotësojë është bërja e një bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit, duke çuar para drejtësisë shumë pushtetarë të korruptuar. Mendoni se kjo kërkesë do bëhet realitet?

 Intensifikimi i luftës anti-korrupsion që të ketë si target pushtetarët e korruptuar për mendimin tim është një nga kërkesat më elementare të artikuluara jo vetëm nga Gjermania, por nga të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Ky kusht për mendimin tim ka qenë parashtruar edhe më parë për vendin tonë. Kështu që, të hyj në temë, dua të them se kjo është një nga kërkesat më të qëndrueshme dhe më të dëshirueshme, të cilën e duan edhe vetë qytetarët shqiptarë. Madje, dua të them se mosndëshkimi ndaj pushtetarëve të korruptuar është një nga faktorët që Shqipëria ka mbetur në vend numëro. Kështu që, lufta kundër korrupsionit për mendimin tim është baza, në mënyrë që shteti shqiptar të nisë të rregullohet. Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria për pushtetarët e korruptuar është një problem kardinal dhe shumë nevralgjik, që duhet të marrë zgjidhje sa më parë. Në këtë pikë dua të them se sikur të ishin dënuar ata që bënë Gërdecin, apo “21 janarin”, apo edhe shitjen e detit dhe tokës, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje, në të cilën ndodhet sot. Prandaj mendoj se kjo kërkesë është oksigjeni dhe jetike për qytetarët shqiptarë dhe vetë Shqipërinë. Kështu që, mendoj se ka ardhur koha që në Shqipëri të marrë fund pandëshkueshmëria, sidomos për politikanët e korruptuar.

-Ish-kryeministri Sali Berisha ditët e fundit ka bërë thirrje për revolta dhe mosbindje civile. Përse Berisha nuk ndahet nga thirrjet për dhunë?

Mendoj se thirrjet e krerëve të opozitës, e sidomos ish-kryeministrit Sali Berisha që të rikthehen revoltat dhe mosbindja civile janë absurde. Këto thirrje për mendimin tim dëmtojnë shumë rrugën evropiane të Shqipërisë, sikundër edhe e kanë dëmtuar. Dua të sjell në vëmendje këtu protestat e organizuara nga opozita joparlamentare, ku gjuheshin institucionet me bomba molotov, digjeshin Parlamenti dhe Kryeministria, si dhe refuzimi që i kanë bërë reformës në drejtësi ishin elementë që dëmtonin imazhin e vendit, sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu që, të gjitha këto janë bërë qëllimisht nga opozita. Ndërkohë që paralajmërimet për të nisur revolucionin pas 18 tetorit, janë të paramenduara dhe kanë si qëllim që të godasin Shqipërinë në momentin final. Ky është revolucioni që kërkon Saliu me shokë. Po ashtu, dua të them se është e papranueshme që një opozitë, e cila pretendon të vijë në pushte kërkon revolucion. Në pushtet vihet me alternativë dhe me votë, jo me dhunë dhe kaos.

-A kanë këto thirrje për mosbindje civile lidhje me frikën që ka Berisha nga reforma në drejtësi, e sidomos SPAK?

 Absolutisht që po. Një nga arsyet që Saliu me shokë kërkojnë revolucion është frika që kanë nga reforma në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj. Të gjithë zyrtarët e opozitës bëjnë thirrje për revolucion, pasi duan që të bllokojnë dhe zhbëjnë reformën në drejtësi, nga frika se po iu ngushtohet lagu, pasi do të ndëshkohen prej saj për të gjitha zullumet që kanë bërë, për korrupsionin që kanë bërë dhe për të gjitha abuzimet që kanë bërë me pushtetin. Kështu që, këto thirrje janë të gjitha të paramenduara. Mendoj se opozita nuk e do integrimin e vendit dhe këtu do të jemi, që kur Shqipëria të jetë në momentin final, ata do të ringrejnë sërish pretendime absurde dhe alibi artificiale në mënyrë që të bllokojnë integrimin. Pra, opozita joparlamnetare është kthyer në një pengesë me paramendim për të goditur Shqipërinë në momente të rëndësishme, sikundër finalja është integrimi. Kështu që, të gjitha këto lëvizje nga Saliu me shokë bëhen, pasi ata kanë frikë nga drejtësia.

-Dy ditë më parë Komisioni i Venecias i ktheu përgjigje Kuvendit përmes raportit paraprak, ku mes të tjerash theksonte se Presidenti Ilir Meta tejkaloi kompetencat dhe shkeli Kushtetutën me anulimin e 30 qershorit. A mendoni se mazhoranca qeverisëse do t’i shkojë deri në fund shkarkimit të Presidentit Meta nga detyra?

Përderisa mazhoranca qeverisëse e ka çuar deri këtu nismën e saj, mendoj se do ta çojnë deri në fund nismën e saj. Por mbërritja e raportit paraprak të Komisionit të Venecias mendoj se e bën të diskutueshme vendimmarrjen e mazhorancës, për arsye se mazhoranca përfitoi legjitimitetin e padiskutueshëm të zgjedhjeve të 30 qershorit, mund edhe t’i mëshojë faktit që ta zbusin qëndrimin për Presidentin Ilir Meta. Kështu që, e gjitha kjo do të varet nga përgjigjet dhe nga argumentet se si mazhoranca do ta mbrojë dhe justifikojë shkarkimin e Metës nga detyra. Këtu mund të ketë ndonjë lepur që fle.

-Pak ditë më parë Presidenti Meta deklaroi para komisionit hetimor se një nga arsyet që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit ishte frika se do digjej Parlamenti, pasi kishte një informacion të kësaj natyre. Sa qëndrojnë këto pretendime?

 Pretendimet e Presidentit Ilir Meta se anuloi zgjedhjet e 30 qershorit se kishte marrë një informacion nga agjencitë ligjzbatuese, se në datën 8 qershor gjatë protestës së opozitës do të digjej Parlamenti, nuk qëndrojnë. Për mendimin tim Presidenti Meta gjatë dëshmisë së tij që dha para komisionit hetimor që po heton shkeljet e tij, u mbrojt dobët. Arsyetimi i tij nuk ishte bindës dhe shteruese. Kjo pasi në këtë rast në qoftë se informacioni i administruar nga kreu i shtetit se do të digjej Kuvendi i Shqipërisë do të ishte i vërtetë, sikundër pretendon ai, sjell të tjera lëvizje. E para këtë duhet ta pohojë kryeministri. Dhe në këtë pikë është Presidenti i Republikës, ai i cili i ndodhur përpara kësaj situate duhet të thërriste Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Pra, në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë Presidenti është i detyruar të thërrasë Këshillin e Sigurisë, ku kryeministri është anëtar i thjeshtë dhe duhet të japë llogari në lidhje me pretendimet e ngritura nga kreu i shtetit dhe se çfarë masash ka marrë ekzekutivi në lidhje me këtë informacion. Por Meta nuk e bëri një gjë të tillë. Kështu që, mendoj se mbrojtja e tij para komisionit hetimor ishte tejet e dobët dhe aspak bindëse. Madje, dua të shtoj se Presidenti i Republikës ka dalë nga kostumi i tij dhe është pozicionuar me kohë si një opozitar, kjo nuk ka as të voglin dyshim.

-Ish-kryeministri Sali Berisha është dorëhequr nga Partia Demokratike 6 vite më parë. A mendoni se Berisha ka ende ndikim mbi PD?

Për mendimin tim kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në rolin e tij si kryeopozitar apo edhe kreu i kësaj partie, luan apo është në rol brenda kornizës që i ka lënë Saliu. Pra, Basha luan në PD aq sa i lë litarin të lirë Berisha. Kështu që, mendoj se Sali Berisha ka akoma ndikim dhe frenat e Partisë Demokratike, edhe pse në krye të kësaj partie është Lulzim Basha. Berisha ka litarin dhe kur bën ato thirrjet revolucionare, natyrisht që Basha është xholi dhe i përdoruri në këtë mesele.

Intervistoi:Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2019 - 23:59

Kryeministri Edi Rama ka nisur aksionin pas mos hapjes së negociatave me BE.

Postuar: 21/10/2019 - 23:52

Kreu i LZHK-së, Dashmair Shehi  tha se është i gatshëm për të hyrë në zgjedhje të parakohshm

Postuar: 21/10/2019 - 23:45

Deputeti socialist Taulant Balla tha se Partia Socialiste nuk mbron askënd, por vë drejtësinë të

Postuar: 21/10/2019 - 22:55

Deputeti socialist Taulant Balla u shpreh se Kodi i Ri Zgjedhor do të votohet deri në fund të kët

Postuar: 21/10/2019 - 22:33

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma tha se opozita ia la të gjitha pushtetet Edi Ramë

Postuar: 21/10/2019 - 22:20

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi  tha se kryeministri Rama po synon që çdo pushtet ta ketë nën

Postuar: 21/10/2019 - 22:15

Gazeta prestigjioze amerikane Financial Times ka sulmuar në mënyre të ashpër vendimin e Këshillit