Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Sokol Hazizaj: Gjykatat dhe prokuroritë po zvarrisin çështjet për shkak të vetingut, politika po ndikon në zbatimin e reformës, Lu nuk tha asgjë më shumë se Rama dhe Basha

Postuar: 15/10/2017 - 08:52

Juristi Sokol Hazizaj në një intervistë për gazetën “Sot”, u shpreh se gjykatat dhe prokuroritë po zvarrisin çështjet për shkak të vetingut. Mirëpo, Hazizaj pohoi për gazetën se politika po ndikon në zbatimin e reformës në drejtësi. Ndërkaq, ai u ndal edhe tek deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, të ditëve të fundit, ku deklaroi që ambasadori nuk ka thënë asgjë më shumë se Rama dhe Basha.  

-Parlamenti miratoi javën që lamë pas strukturën e dy komisioneve të vetingut. A ndikon në procesin e rivlerësimit rrudhja e punonjësve?

Para se të flasësh për organikën e Komisionit të Vlerësimit ose komisionerët e vetingut dhe këshilltarët e tyre ose për anën financiare të saj, e rëndësishme është që procesi sot është kushtetues dhe ligjor. Që do të thotë, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, sot është e padiskutueshme mirëfunksionimi i tyre. Problemi financiar është problem tjetër që diskutohet nga mënyra e organizimit nga ajo sesi organizohen ata. E rëndësishme është që, ne sot ose komisioni vlerësimit, komisioni vetingut ka para vetes rreth 700 deri në 800 veta që janë gjyqtarë dhe prokurorë. Domethënë veprimtaria e tyre është shumë e kufizuar. Sot janë ngritur ata. Detyra e ligjbërësit është që ka miratuar ngritjen e komisionerëve dhe Kolegjit të Apelimit. Në këto kushte do të ishte e pafalshme jofunksionimi i tyre. Sa kohë, këto organe janë ngritur sot nëpërmjet procesit ligjvënës dhe ligjbërës është e pafalshme që këto komisione, këto organe nuk veprojnë. Që do të thotë ende ne ose për shkak të mungesës së transparencës ose për shkak të paaftësisë së komisionerëve dhe anëtarëve të kolegjit nuk kanë dal metodikat mbi të cilat duhet të punojnë ata. Veprimtarinë e tyre ligjore bazuar në Kushtetutë në ligjin organik. Kjo është shumë e rëndësishme. Pastaj se sa janë të plotësuar ata ose jo kjo është çështje përsëri e mirëfunksionimit dhe organizimit të tyre.

-Në ligj është përcaktuar se anëtarët e komisioneve do ruhen nga Garda e Republikës. Mendoni se gjatë procesit të vetingut do ketë presion të lartë nga politika dhe njerëzit e drejtësisë?

Situata në të cilën ndodhet Shqipëria, e mbarsur me krimin dhe me populizmi sa institucional edhe revolucionar mund që të sjellë procese të degradimit të personaliteteve që cenohen nga procesi i vetingut. Pa e paragjykuar atë, gjithsesi, sot ne flasim për detyrime kushtetuese. Nuk ka arsye dhe nuk ka sesi të ndodhi që para ligjit kushtetues dhe vullnetit qytetar të ketë revolta të këtij karakteri që do të cënojnë jetën, shëndetin apo sigurinë e qytetarëve që punojnë në Komisionin e vetingut apo në Kolegjin e Apelimit. Gjithsesi fakti që i kushtohet rëndësi të madhe nga ligjbërësit, pse jo dhe nga qeveria shqiptare këtij procesi tregon se, ose është i paragjykuar si proces ose nga ana tjetër me të vërtet presin risk të madh të veprimtarisë së komisionerëve.

-Ditët e fundit ka pasur disa deklarata se gjyqtarët po nxitojnë të mbyllin çështje të rëndësishme para zbatimit të reformës. Në gjykimin tuaj është e vërtetë që po tentohen të mbyllen dosje të rëndësishme dhe dosje me shumë lekë?

E kundërta ndodh sot. Gjykata dhe prokuroria apo organet ligjzbatuese ndryshe janë në mungesën më të plotë të efektivitetit të tyre ose për shkak të paragjykimit ose për shkak të presionit politik pse jo, ose për shkak të ndryshimeve ligjore. Sot ndoshta ka një dëshirë për shkak të presionit për t’i mbaruar, për t’ zgjidhur çështjet shpejt në kohë dhe hapësirë. Por gjykata e ka rënduar më shumë sesa kurrë procesin e vendimmarrjes. Që sot ndodh e kundërta e asaj që duhet të ndodhte nëpërmjet përmirësimit të procesit ligjor. Ndodh e kundërta. Sot nuk merr dot vendime përkundrazi sot gjykata për shkak të presionit është e vonuar në vendimmarrje.

-Një problem i ditëve të fundit është se KLD-ja nuk po punon sa duhet për vetingun. Ky organ duhet të bëj rivlerësimin e gjyqtarëve nga ana profesionale. Por ky organ nuk ka bërë asnjë verifikim me argumentin se ligji është i paqartë. Si i shihni këto veprime të KLD-së?

Këshilli i Lartë i Drejtësisë bashkë me rolin e Presidentit të Republikës sot që po flasim ne, e ka eksufiqo rolin e tij. Që do të thotë nuk parashikohet roli këtyre dy poleve si ajo e kryetarit të KLD-së dhe Presidentit të Republikës, në ndryshimin e punës të ligjit kushtetues. Që do të thotë Komisioni i Verifikimeve ose Komisioni Vetingut dhe Kolegji Apelimit dhe të gjitha institucionet për shkak të riorganizimit të ligjit të ri për drejtësinë nuk kanë arsye fare që si tempus apo si pjesë të diskutimit të procesit të vetingut, të marrin Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Sot ata për shkak të ligjit janë të organizuar. Mund që, në mënyrë të pavarur përpos harkimit të metodikave që mund të marrësh mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për shkak të eksperiencës edhe të Presidentit të Republikës duhet të funksionojnë pavarësisht nga Presidenti, pavarësisht nga Këshilli Lartë i Drejtësisë, pavarësisht nga të gjitha institucionet që nuk janë më në ligj tani në organizimin dhe funksionimin e drejtësisë. Ato kanë pavarësinë e tyre të veprimit. Çdo gjë sot varet nga këto dy komisione. Nuk ka asnjë lloj momenti ligjor që i ngurtëson, i liberalizon, i demokratizon apo i impresionon më Komisionin e Vlerësimit dhe Kolegjin e Apelimit. Domethënë po qe se pret nga KLD-ja sot ende momente vlerësimi do të thotë që veprimtaria jote është joligjore. Tani unë nuk e di çfarë bëjnë këta që thonë ne po presim KLD-në. Këta duhet të organizohen. Sot ka hyrë në fuqi ligji për Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ-ja. Sot është KLP-ja.

-Edhe pse muaj më parë deklarohej se në shtator do niste vetingu të jepte efektet e para, momentalisht puna ende nuk ka nisur. Kur mendoni se do nis të jap efektet vetingu?

Unë mendoj që për shkak të tensionit që bëjnë ndërkombëtarët, se këtu varen nga ndërkombëtarët. Politika shqiptare domethënë në të gjitha format, mënyrat përpiqet që secila prej poleve të bëhet më ortak me ndërkombëtarët. Njëri thotë unë jam me amerikanët e tjetri thotë unë jam me amerikanët. Politika nacionale ka qenë pengesë e procesit të vetingut. Sot është marrëdhënie relacioni drejtpërdrejtë midis Komisionit të Vlerësimit, Kolegjit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Ka kaluar si të thuash nga guaska e politikës shqiptare, e cila nuk mund as ta trysnojë nuk mund as ta evoluojë procesin e vetingut. Nga politika shqiptare varet vetëm momenti financiar, i mbështetjes financiare të organeve të vetingut. Asgjë më tepër. Sot varet nga organet e vetingut, ndaj të cilave unë kam rezervë si në përbërje ashtu edhe në veprimtarinë e tyre. Sot ende ne nuk kemi, ose për shkak të mungesës së transparencës ose jo. Për shkak të pamundësisë së tyre ose kapaciteteve të tyre sot ne ende nuk kemi metodikat, rregullat, rregulloren e organizimit të tyre, mënyrën sesi do të funksionojë ato dhe mënyrën e arritjes së metodikës së konkludimit të tyre. Gjithë veprimtaria sot është jotransparente. Ato duhet të kishin filluar. Detyrimi ligjor i tyre sot është, ambientet i kanë. Raportet financiare i kanë ngritur. Mungon vetëm aftësia ose kapacitetet për të ngritur rregulloren e brendshme dhe mënyrën e funksionimit të tyre.

-Sa e predispozuar është reforma politike shqiptare për zhvillimin e reformës në drejtësi?

Sot ne flasim që një nga dedikimet kushtetuese është krijimi i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi,i cili në veten e vet, në përmbajtjen e vet, në përbërjen e vet ka: që nga anëtarët e kryetarin e Gjykatës së Lartë e deri në kryetarët e gjykatave më në zë. Pengesa ligjore dhe materialet e secilës nuk ka sot dhe përsëri Këshilli Emërimeve sa i përket emërimeve të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk funksionon. Arsyen e di vetëm politika dhe vetëm ajo. Nuk ka asnjë shkak ligjor të pamjaftueshëm të materialeve procedural për të mos u organizuar Këshilli Emërimeve në drejtësi. 

 

-Sipas parashikimeve në ligj KLGJ dhe KLP duhet të ishin ngritur prej kohësh, por po hasin vështirësi me përzgjedhjen e anëtarëve. A mendoni se drejtësia dhe politika po e zvarrisin reformën apo janë aspekte proceduriale?

Sa kohë, komisionet e vlerësimit që është Komisioni Vetingut dhe Kolegji nuk kanë hyrë në funksionin e tyre, KLGJ-ja dhe KLP-ja, sepse duhet të kalojnë anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së në procesin e vetingut, nuk mund dhe nuk kanë sesi të ngrihen. Në këtë kuptim unë mendoj që vonesa në zbatim të ligjit për ngritjen e komisionit të vetingut dhe kolegjit shkaktoi diserte të mëdha kushtetuese. Ritheksoj sot nëse do të shohim në hapësirë dhe kohë diferencën midis efekteve të Kushtetutës dhe produktit të saj ne jemi në rënie të Kushtetutës. Që do të thotë, shqiptarët si anëtarë e Komisionit të Vetingut dhe ata Kolegjit dhe institucioneve të tjera e kanë rrëzuar detyrimin kushtetues. A do të ndodh kjo? Padyshim si çdo proces që ka presion, pse jo dhe politik do të vonohet por do të nxjerr konkluzionet e veta. Dhe madje vonesa e çon në dyshim procesin.

-Pritshmëritë më të mëdha të shqiptarëve janë tek lufta ndaj korrupsionit. Mendoni se SPAK do të jap efektet e pritura apo do shpëtojnë peshqit e mëdhenj?

Atëherë në të vërtetë procesi vetingut duhet të kishte filluar me ata që kanë në dorë apo procesojnë jetën e qytetarëve nga politika. Sepse dihet që gjykata dhe organi proçedurial i hetimit ka qenë, më të mirat dhe të këqijat e tij, ka qenë nën presionin e politikës të ligjbërësit. Gjithsesi duke mos qenë obskurantist dhe pse jo pesimist në realizimin e proceseve ligjore, unë jam i bindur që shumë shpejt produktet e para të betejës ndaj korrupsionit do të jepen nëpërmjet procesit të vetingut dhe pse jo nëpërmjet marrëdhënieve që kanë ndërkombëtarët me mënyrën e funksionimit të këtij procesi. Po kjo nuk do të thotë që faktori shqiptar të mos jetë determinues. Mendoj se sot situata ka ardhur në atë moment numerik sa shqiptarët nuk presin më.

-Si i shihni deklaratat e ambasadorit Donald Lu që duhet të nisin arrestimet e klaneve kriminale?

Unë mendoj që të gjithë diplomatët që vijnë në Shqipëri më tepër janë nxituar të evoluojnë si shqiptarët sesa ngelen nacionalistë nga vendi ku vijnë. Kështu që në këto kushte unë mendoj që ambasadori Lu nuk bën asgjë më tepër se ç’mund të bëj Edi Rama dhe Lul Basha që janë në parlament. Dhe ata flasin për krimin dhe ky flet për krimin.

Intervistoi: Endri Arizi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 16

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 15:17

Kryeministri Edi Rama replikon shpesh me komentuesit në rrjetin social “Facebook”. Kështu, pas postimit të një video në një takim që zhvilloi sot mbi rritjen e punësimit, lumë komentesh nisën në adresë të tij.

Postuar: 23/11/2017 - 14:42

Kryeministri Edi Rama u ka bërë një surprizë 100 mijë punonjësve të administratës shtetërore duke i lënë pushim të hënën e ardhshme në 27 Nentor, në prag të festave të 28 dhe

Postuar: 23/11/2017 - 14:34

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, me anë të një postimi në faqen e tij të Facebook, ka reaguar lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Përgjithshme, pasi

Postuar: 23/11/2017 - 14:13

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla ka akuzuar kryetarin e PD, Lulzim Basha se ka paguar një milion dollarë për lobim në SHBA, nga të cilat 825 mijë dollarë vetëm në tre muaj

Postuar: 23/11/2017 - 13:51

Buxheti i Bashkisë Tiranës për vitin 2018 mund të konsiderohet edhe si buxheti i zonave periferike dhe rurale.

Postuar: 23/11/2017 - 13:50

Kryedemokrati Lulzim Basha ka fol sot në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.