Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Spartak Ngjela: Meta s’pranon të ulë palët në tryezë për shkak të reformës, e di se po i shtrëngohet laku, ja pse Berisha nuk e destabilizon dot vendin

Postuar: 06/06/2019 - 12:30

Kur Shqipërinë e ka kapluar kriza politike, ka nga ata që kërkojnë nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta që të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje situatës. Por avokati Spartak Ngjela e sheh si të pamundur këtë sepse sipas tij, vetë Meta është bashkë me opozitën për të penguar reformën në drejtësi. Gjatë një interviste të dhënë për gazetën “SOT”, Ngjela deklaroi se kërcënimet e Metës me vetëvrasje janë mesazhe që ai iu çon ndërkombëtarëve për të ndalur reformën sepse e ndjen veten në rrezik. Megjithatë, avokati u shpreh i sigurt se reforma nuk ndalet dot. Në vijim të intervistës, Spartak Ngjela komentoi edhe protestat e opozitës. Sipas tij, aktet e dhunës të përdorura në tubime nuk tregojnë gjë tjetër veçse frikë dhe dëshpërim. Spartak Ngjela mohoi se opozita ka mundësi të bllokojë zgjedhjet e 30 qershorit, siç kërcënon. Ai foli edhe për vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg të dielën në Tiranë, pak orë para protestës së opozitës. Sipas Ngjelës, kjo vizitë lidhej edhe me rrezikun e ndikimit rus në vend. Ai theksoi se opozita shqiptare po kërkon ndihmë nga Rusia për të penguar reformën në drejtësi dhe kjo ka shqetësuar NATO-n.

-Të dielën opozita protestoi sërish kundër qeverisë, ku nuk munguan as aktet e dhunës para Parlamentit. Ju si e komentoni tubimin e fundit opozitar?

Protesta e fundit ishte dëshpërim pa shpresë. Opozita është e dëshpëruar. Por edhe vonesa e policisë për t’u kundërpërgjigjur dhe për të hedhur gaz lotsjellës kuptohet që është budallallëku i Ramës. Rama siç duket ka ende shpresë tek ata për destabilizim. Sepse nuk mund të rrijë policia e pambrojtur kur ata hedhin zjarr kundër policisë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo. Ata janë në dëshpërim të thellë. Thonë vazhdimisht që kjo është protesta më masive, por më shumë se 2.500 mbështetës në protestën e të dielës nuk pati. Deklaratat e tyre janë tallje. Nëse i bëjmë llogaritë me metër katrorë: 2.500 metër katrorë ka ajo sipërfaqe. Në këtë sipërfaqe nuk rrinë dot 40.000 veta siç thonë ata. Janë budallenj, janë hajvanë, duan të gënjejnë por nuk dinë. Gënjejnë vetveten. Këta nuk kanë Perëndimin me vete. Ndërkombëtarët i kanë të gjithë kundër. Uashingtoni si pranon, Berlini nuk i pranon, aktin e tyre i konsiderojnë turp politik. Dhe nuk kanë sesi t’i pranojnë sepse ata janë të korruptuar dhe ndërkombëtarët nuk duan t’i shohin me sy.

-Duket sikur e ardhmja nuk është fort e sigurt sepse PD-LSI vazhdimisht kërcënojnë se në 30 qershor nuk do të lejojnë të zhvillohen zgjedhjet vendore. Sa mundësi ka opozita ta bllokojë procesin zgjedhor?

Sesi do të shkojë më tej nuk e di, por zgjedhje do të ketë. Kush do t’i ndalojë? Zgjedhjet nuk ndalohen dot se ashtu thotë Basha me Berishën. Janë rreth 500 qendra votimi, ja ndalove 6 apo 8 qendra. Në rregull, është njësoj sikundër bie tërmet. Si të bjerë tërmet në ato qendra, si të dalin të çmendurit dhe të ndalojnë zgjedhjet, fare mirë mund të përsëriten zgjedhjet në këto qendra që janë prishur. Kjo është e përcaktuar në ligj. Opozita kurrsesi nuk mund të pushtojë të gjitha qendrat e votimit. Kështu që në vendet ku nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për probleme të ndryshme, caktohet një ditë tjetër zgjedhjeje. Atë ditë kur zhvillohen zgjedhjet në këto qendra që i kanë prishur këta, sigurohen me forca policie dhe ushtria. Kaq është! Janë të humbur, nuk bëjnë dot asgjë. Nuk thotë kot Rama që kush i prek zgjedhjet do t’iu ndalohet hyrja në SHBA-BE. Ja kanë thënë që ky do të jetë qëndrimi i Perëndimit dhe do t’i godasë rëndë. Do të ketë goditje nesër a pasnesër, me siguri.

-Rastësi ose jo, protesta e mbajtur ditën e diel para Kryeministrisë erdhi vetëm pak orë pasi në Tiranë zhvilloi një vizitë zyrtare Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Mendoni se vizita e tij kishte në fokus krizën politike apo rrezikun rus që i kanoset Shqipërisë?

Shenjat janë që NATO është e shqetësuar sepse Stoltenberg e tha gati hapur që opozita shqiptare bashkëpunon me Moskën. Kjo e dëmton shumë opozitën. Kemi lobimin në Amerikë që bëri Partia Demokratike përmes Lulzim Bashës. Kjo tregon që Basha kërkoi ndihmë nga Rusia.

-Pse i duhet politikës shqiptare ndihma e Rusisë?

Ata kanë menduar me naivitet që tani do të ketë mundësi Rusia në Ballkan për të penguar reformën në drejtësi. Atje e kanë të gjithë hallin, tek reforma. Një shtet i pakontrolluar dhe një bankë e pakontrolluar vidhen. Ata kanë vjedhur shtetin që ka qenë i pakontrolluar, por janë kapur që të gjithë. Reforma do t’i zbërthejë. Këta janë antireformë. Kjo është esenca. Janë naivë dhe nga një anë dëmton opozitën, por nga ana tjetër rrit shansin e Shqipërisë për të hyrë në BE. Sepse BE ndjen rrezikun rus që e ka konkurrente dhe e merr në mbrojtje Shqipërinë. Shqipëria e ka në favor këtë që bëjnë këta opozitarë. Ai e tha hapur që mbështet qeverinë dhe nuk kishte asnjë mëdyshje në funksion të situatës. Foli edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe tha që vendi ynë është një partner i qenësishëm i NATO. Kjo dha të kuptohet që Shqipëria nuk mund të destabilizohet.

-Pra, ju thoni që kërcënimet e opozitës për destabilizim janë boshe sepse asgjë nuk bëjnë dot...

Por çfarë do të destabilizojnë këta injorantë? Është destabilizuar Shqipëria në 1997, por NATO erdhi këtu për të qetësuar situatën. Kjo ndodhi kur Shqipëria nuk ishte akoma anëtar i NATO, jo më tani. Nuk të lënë destabilizim në një zonë ku është derdhur Rusia për të destabilizuar zonën. Të gjitha këto që po ndodhin në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni dhe në Shqipëri për destabilizim janë dorë ruse. Edhe ai e tha këtë. Por si mund të vazhdojnë këta injorantë tani? Por duhet të keni parasysh një gjë: të dëshpëruarit, idiotët dhe të tremburit nuk iu hyn fare në funksionim logjika. Këta janë edhe të trembur, edhe të dëshpëruar. Edhe ndonjë intelekt të lartë nuk kanë, kështu që mendojnë se mund t’ia hedhin. Por jo, nuk kalohet kështu! Duhet të shikojnë problemin e ndërrimit të trajektores së tyre politike. Flas për PD. Është trajektore e gabuar. Po humbi zgjedhjet, lidershipi duhet të ikë. Fakti që ata nuk bënë dot rinovimin e lidershipit, i pllakosi kriza që kanë. Po reforma në drejtësi? Edhe reforma në drejtësi, me një lidership perëndimor do të sjellë goditje antikorrupsion shumë shpejt. Prisni sepse do të nisë epoka antikorrupsion. Ju ka ardhur fundi këtyre. Por nuk e kuptojnë dot këtë sepse logjika e tyre nuk funksionon.

-Opozita që dorëzoi mandatet në bllok u zëvendësua nga emra të rinj në Parlament. Si e shikoni punën e deritanishme të opozitës së re? Pati akuza se emërimi i tyre nuk ishte i ligjshëm...

Ajo që më bën mua përshtypje është që opozita e re në Parlament është shumë e mirë. Duket shumë konstruktive, opozita e tanishme është më e mirë nga ajo që iku. Këta që kanë dalë në rrugë nuk bënin gjë fare, vetëm bërtisnin e thyenin gjëra. Ndërsa këta të tanishmit diskutojnë dhe miratojnë ligje në të mirë të popullit. Këta janë më të përqendruar, janë më të saktë. Sidomos Rudina Hajdari, e cila tha atë që s’jua ka thënë askush: Ju jeni bashkë ju tha Ramës dhe Bashës. Do të thotë që ajo ka informacion nga politika e lartë e Perëndimit. Edhe emërimi i tyre nga KQZ është i ligjshëm, lëri akuzat pastaj se nuk kanë ç’bëjnë tjetër ata veçse të akuzojnë. Po Rama çdo të bëjë? Rama është i tërhequr pak. Është mirë të tërhiqet fare. Nuk ka perspektivë.

-Ju thoni që opozita ndihet e frikësuar nga reforma në drejtësi dhe prandaj kërkon ta ndalë atë përmes skenarëve të dhunës. Por realisht, sa mund ta pengojë politika reformën?

Reforma në drejtësi do të bëhet. E gjithë kjo sjellje e opozitës vjen për të ndaluar reformën në drejtësi. Janë të frikësuar sepse e dinë që do të ndëshkohen. Është naiviteti i opozitarëve, i Saliut dhe i të gjithë të tjerëve që mendojnë se me anë të kësaj do t’i thonë Uashingtonit që o na lër të mos na kapë reforma në drejtësi, ose ne do të destabilizojmë vendin. Po si destabilizohet Shqipëria? Me fishekzjarrë? Ky është turp, vetëm sa plagosen policët se asgjë tjetër nuk bëjnë dot. Meta është i gatshëm të ndryshojë datën e zgjedhjeve, por nuk e ndryshon dot sepse është akt administrativ i pavlefshëm. Nuk e bën dot. Plus që ku e përfillin ndërkombëtarët atë. Ata kanë marrë datën e zgjedhjeve dhe kanë filluar përgatitjet. Shenjat janë që politika e lartë perëndimore nuk i do as në zgjedhje këta. E kam fjalën për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Nuk po bën asnjë përpjekje që ata të futen në zgjedhje. Shenjat janë që nuk i duan fare. Dhe të drejtë ka sepse në fillim shpëton nga këta dhe më pas vazhdon reformën në drejtësi me këta të tjerët.

-Më të ashprit në opozitë janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, të cilët kërcënojnë vazhdimisht me mosbindje civile. Ju si i shikoni këto deklarata?

Kërcënimet e Berishës dhe gruas së Ilir Metës janë të kota. Proceset zgjedhore siç thonë ata nuk bllokohen asnjëherë. Mendojnë të trembin politikën amerikane dhe destabilizim të Shqipërisë, por SHBA i ka parë që nuk kanë forcë. Këta kërkojnë që t’i shqetësojnë dhe ata të ndalojnë reformën pastaj. Por këtë nuk e realizojnë dot sepse nuk kanë forcë. Nuk destabilizohet Shqipëria, nuk përsëritet një 1997 e dytë ashtu siç thotë Berisha me 2.500 njerëz, shumica të paguar që hedhin fishekzjarrë. Optika e politikës amerikane tallet me Berishën dhe Kryemadhin.

-Kriza politike ka bërë protagonist edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Nga njëra anë ai është i gatshëm të ndryshojë datën e zgjedhjeve, ndërsa nga ana tjetër flet për vetëvrasje dhe dorëheqje. Sipas jush, a duhet që presidenti të ndërhyjë për t’i dhënë zgjidhje situatës?

Flasim që presidenti të ulë palët për të zgjidhur krizën, por si mund ta bëjë ai këtë kur vetë presidenti nuk e do reformën në drejtësi. Ai është kundër për vete. Këtë e kanë kuptuar të gjithë dhe e di edhe politika perëndimore që ai është kundër reformës në drejtësi. Ai ka bërë lloj-lloj budallallëqesh, ka thënë do jap dorëheqjen, do vras veten. Është i dëshpëruar edhe ai si opozita sepse po i shtrëngohet laku. Këtë tregojnë deklaratat e tij. Opozita kërcënon përmes protestave të dhunshme, ndërsa ai me deklarata se do të vrasë veten për të shpëtuar nga reforma në drejtësi. Këta janë njerëz të pushtuar nga frika. Kërkojnë rrugë-dalje pa arsye.

Intervistoi: Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/08/2019 - 09:51

Ish-kreu i degës së Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi i është përgjigjur të gjithë atyre që pretendojnë se kritikët e Bashës, po i shërbejnë Ramës.

Postuar: 21/08/2019 - 09:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu dërguan dje një mesazh shumë të qartë të gjithë pushtetarëve t

Postuar: 21/08/2019 - 09:12

Kryeministri i vendit Edi Rama ka publikuar një reportazh të medias gjermane “Welt.de&rdquo

Postuar: 21/08/2019 - 09:10

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë përditë mesazhe ndaj të korruptuarve.

Postuar: 21/08/2019 - 09:04

Veprim të pastër të një shteti komunist, e ka cilësuar Ylli Manjani, shembjen e lokalit “Pa

Postuar: 21/08/2019 - 09:00

Avokati Spartak Ngjela ka deklaruar ditën e djeshme se presidenti Ilir Meta po tenton të çojë ven

Postuar: 21/08/2019 - 08:50

Ish-ministri dhe ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti, i ka drejtuar një thirrje kryeministrit