Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Vasilika Hysi: Ja pse vetingu s’po ecën me ritme të shpejta, agresiviteti i PD lidhet me problemet e saj të brendshme, po synon bllokimin e reformës

Postuar: 30/05/2018 - 08:10

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja socialiste, Vasilika Hysi, ka treguar arsyet se përse vetingu nuk po ecën me ritmin e pritur. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ajo ka thënë se procesi i verifikimit kërkon shumë punë dhe kohë. Hysi ka folur dhe për protestën e opozitës, duke thënë se agresiviteti i saj lidhet me problemet e brendshme të PD.

-Zonja Hysi, reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e saj finale. Si e shihni ecurinë vetingut, pasi organizata të ndryshme si Komiteti Shqiptar i Helsinkit, është shprehur se vetingu po ecën me ritme të ngadalta?

Reforma në drejtësi është shumë dimensionale. Rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga aspektet e saj më me rëndësi, por jo e vetmja. Unë do dëshiroja të theksoja se reforma  sapo ka filluar në zbatohet. Ka filluar zbatimi i një sërë rregullash të reja në proceset civile dhe penale, ka filluar zbatimi i kodit të drejtësisë penale për të mitur; ligji për ndihmën juridike falas nga shteti fillon të zbatohet së shpejti, ndërkohë që janë në zbatim e sipër ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë etj. Përmenda disa aspekte të reformës, pasi vë re se flitet vetëm për vetingun dhe lihen mënjanë disa ndryshime shumë të rëndësishme për qytetarët dhe aksesin e tyre në sistemin e drejtësisë. Duke u kthyer të pyetja juaj për vetingun, jo vetëm Komiteti Shqiptar i Helsinkit, por edhe shumë të tjerë thonë se procesi po ecën me ritme të ngadalta. Në fakt, vetingu nuk është një proces i lehtë. Në procesin e vetingut duhet të respektohet parimet e procesit të rregullt ligjor dhe ndërkohë barra e të provuarit i ka kaluar subjektit që vlerësohet. Ritmet e ngadalta të procesit mund të kenë arsye të ndryshme, objektive dhe subjektive si: komisioni i kualifikimit ka të drejtë të marrë dokumente ligjore, shkresore, të kqyrë dhe të kontrollojë sende të luajshme dhe të paluajshme, dokumente dhe të dhëna nga shtete të tjera; të aksesojnë të dhëna në shumë burime. Për shumë verifikime, Komisioni ose Kolegji I Apelimit drejton kërkesa në institucione të ndryshme dhe këto të fundit kanë një afat brenda së cilës duhet të japin informacion. Të mos harrojnë, që ky proces ngadalësohet edhe për faktin se në ligjin e vetingut është parashikuar pjesëmarrja e publikut në denoncimin e fakteve. Institucioni i vlerësimit është i detyruar të kontrollojë nëse informacioni është dhënë nga një person i njohur apo anonim.  Gjithashtu, ftesa e personit në seancë dëgjimore merr kohën e vet, pa harruar se pyetjet ose kërkesat për informacion shtesë që mund t’i drejtohen subjektit të vlerësimit para  dhe gjatë seancës dëgjimore. Ndoshta, asetet dhe informacioni që kanë gjyqtarët dhe prokurorët janë të tilla që kanë nevojë për shumë verifikime dhe këto të fundit  kërkojnë kohë. Në vlerësimin tim, është më mirë një proces vlerësimi i saktë dhe i pakontestueshëm sesa  një  proces shpejt dhe i gabuar dhe që mund të ndikojë në humbjen e besimit të publikut te ky proces.

-Rezultatet e vetingut duket se po e thellojnë krizën në Gjykatën Kushtetuese, kjo sepse zyrtarisht ajo ka mbetur me 2 anëtarë, pasi zonjës Vitore Tusha i ka mbaruar mandati. Ndërkohë anëtarët e KED ende nuk po vetohen. Si do zgjidhet kjo situatë?

Është e vërtetë që Gjykata Kushtetuese ka humbur shumicën. Gjyqtarët që kalojnë me sukses vetingun dhe që u ka mbaruar mandate qëndrojnë në detyrë derisa të zgjidhet anëtari  i ri. Presidenti i Republikës dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë filluar procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kandidaturat që kanë aplikuar për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese janë përcjellë  për tu vlerësuar nga organet e vetingut. Përsa i përket anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) sapo ata u zgjodhën nha Kuvendi, u dërguan menjeherë për tu vetuar dhe janë në proces vetingu.  Megjithatë, jam e mendimit se anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, kandidatët për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë si dhe kandidatët për në gjykatë Kushtetuese mund të vetohen më me përparësi, sikurse është parashikuar në ligj. Një tjetër problem është dhe Shkolla e Magjistraturës. Ky organ nuk po funksionon pasi sipas ligjeve janë KLGJ dhe KLP që përcaktojnë kuotat e pranimeve. Ndërsa ju si PS keni propozuar  ndryshime në ligj. Çfarë do sjellin këto ndryshime dhe a i lind e drejta KLD dhe Prokurorisë së Përgjithshme të emërojnë gjyqtarë dhe prokurorë? Shkolla e Magjistraturës po funksionon. Së shpejti përfundojnë studimet një brez i ri i magjistratëve dhe ndërkohë janë përzgjedhur një numër tjetër magjistratësh për të filluar studimet në Shkollën e Magjistraturës në muajin shtator të këtij viti. Dy shqëtësime janë  adresuar nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës dhe magjistratët që presin të emërohen. Së pari, nevoja për rritjen e numrit të pranimeve në Shkollën e Magjistraturës të parashikohet në ligj dhe së dyti, parashikimi në ligj i emërimit të magjistratëve që përfundojnë studimet këtë vit, për aq kohë sa nuk është ngritur Këshilli i lartë Gjyqësor (KLGj)dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Dy kolegë të mazhorancës kanë depozituar një nismë. Çdo nismë ligjore  në këtë fushë kërkon konsensusin e opozitës, pasi duhet të votohet me 84 vota. Opozita deri më sot e ka bllokuar këtë proces madje Këshilli i Legjislacionit nuk është mbledhur për të vazhduar punën  për pasqyrimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në RSH: dhe në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Unë ftoj kolegët e opozitës të punojnë së bashku për vazhdimin e diskutimit dhe miratimit të ndryshimeve ligjore, nëse realisht i qëndrojnë asaj që shpesh e thonë se respektojnë  vendimet e GJK dhe se janë për reformën në drejtësi.

-Nga vetingu deri më tani janë shkarkuar apo dorëhequr rreth 20 gjyqtarë, prokurorë apo këshilltarë. Çfarë do të ndodhë nëse numri i të larguarve nuk i përgjigjet numrit të gjyqtarëve apo prokurorëve të rinj? Ose më saktë, a ka rrezik që gjykata të mbeten pa gjyqtarë?

Përsa më pyesni, nuk mund të them sesa do të jetë numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk do të mund të kalojnë me sukses procesin e vetingut. Kagjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm. Gjithashtu, të mos harrojmë se sistemi gjyqësor ka ndryshuar pas hyrjes në fuqi të ligjit për organizimin e sistemit gjyqësor dhe se rregulla të reja janë parashikuar për proceset e gjykimeve civile, penale dhe administrative që mundësojnë procedimeve më të shpejta dhe procedura më të thjeshta. Ndërkohë, qasja te sistemi i drejtësisë ka nevojë të ndryshojë. Jo për çdo çështje, konflikt duhet të shkohet në gjykatë. Kuvendi sapo miratoi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e ndërmjteësit. Ky institut ka nevojë të zbatohet më shumë. Disa institute të reja dhe shumë të dobishme janë parashikuar në fushën civile dhe penale. Unë ftoj gjithë gazetarët të  informojnë publikun për mundësitë e reja dhe më pak të kushtueshme që ofrojnë ligjet e miratuara në kuadër të reformës në drejtësi përsa i përket aksesit në drejtësi. Gjithashtu, do të ftoja të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, avokatët dhe shoqërinë civile, profesorët dhe pedagogët e fakulteteve të drejtësisë të informojnë publikun për këto lehtësi dhe mundësi të reja që ofrohen për shtetasin në kontakt me sistemin e drejtësisë.  Në këtë mënyrë drejtësia do të jepet më shpejt, më me pak kosto dhe sistemi i drejtësisë do të jetë më funksional. Njerëzit kanë nevojë të informohen për këtë risi dhe se ata janë të lodhur nga  paraqitja e debateve politike shterpë.

-Ju në Komisionin e Ligjeve keni nisur diskutimin e paketës së dytë të reformës në drejtësi. Deri më tani janë miratuar 15 nga 27 në total.  Kur parashikohet dhe miratimi i pjesë së dytë?

Po, është e vërtetë. Komisioni i ligjeve ka miratuar  ligjin “Për ndihmën juridike falas nga shteti” dhe ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e ndërmjetësimit”. Projektligji për avokatinë dhe  ai për policinë gjyqësore janë në procedurë diskutimi në komisionin e ligjeve. -Ndërkohë janë në proces konsultimi publik projektiligji “Për provimin e shtetit për profesionin e juristit” dhe projektstrategjia “Për edukimin ligjor të publikut”. Unë shpresoj se brenda kësaj legjislature projektligjet e mbetura do të miratohen.

-Nga kjo paketë janë tërhequr 3 ligje: Projektligji “Për Presidentin e Republikës së Shqipërisë”; Projektligji “Për Avokaturën e Shtetit”; Projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”. Çfarë po ndodh me to?

Projektligjet e tërhequra pritet të rishikohen dhe të depozitohen nga Këshilli i Ministrave. Ato duhet të reflektojnë standardet më të mira ndërkombëtare që gjenden në konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria.

-PD ka nxjerrë një audio-përgjim kundër ministrit Xhafaj dhe po ashtu ka publikuar dëshminë e një personi, që tashmë njihet si “dëshmitari X”. Si i shihni këto akuza të opozitës?

Çështja është në hetim nga prokuroria. Të gjitha veprimet dhe sjelljet e opozitës që nga nata e 22 korrikut 2016 që dha pëlqimin për miratimin e Kushtetutës dhe deri më sot tregojnë se nuk janë për reformën në drejtësi dhe nuk po lënë gurë pa lëvizur për ta penguar atë dhe për ta paraqitur atë si të dështuar. Lexoni ju lutem të gjitha procesverbalet e mbledhjeve në komisione dhe të gjitha prononcimet në media dhe do të shihni se sa shumë flasim kundër reformës në drejtësi dhe ndaj atyre që kanë kontribuar në këtë reformë.

-Kryeministri deklaroi se audio-përgjimi është i pavërtetë. Keni ju dijeni se çfarë verifikimesh janë bërë mbi autenticitetin e këtij përgjimi?

Jo nuk kam dijeni, drejtësia shpresoj të thotë fjalën e saj sa më shpejt.

-Përtej drejtësisë, PS dhe qeveria kanë nisur ditë e fundit një tur, që kryeministri e quan turi i llogaridhënies. Pse nisi ky tur dhe ku konsiston?

Në mandatit e dytë qeverisës, qeveria “Rama 2” premtoi se do të bashkëqeverisë më qytetarët. Qeveria e ka për detyrë të raportojë çër premtimet e bëra dhe mbajtjen e tyre, të japë llogari dhe të dëgjojë qytetarët. Ky tur po bëhet në të gjithë vendin. Ministra, drejtues të institucioneve raportojnë për arritjet dhe reformat e ndërmarra, por edhe dëgjojnë shqetësimet, mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve. Komunikimi mes gjithëve palëve ëshë një gjë e mirë.

-Në Asamblenë e PS u deklaruar se në shtator mund të ketë ndryshime në qeveri. Mendoni se ka ardhur koha që disa ministra të lëvizin?

Lëvizjet në qeveri bazohen në performacën e secilit ministër dhe është kompetencë e Kryeministrit të marrë vendim për ndryshime në qeveri.  Nuk ka ndonjë rregull që duhet patjetër të bëhet ndryshime në qeveri, nëse nuk është e nevojshme.

-KE rekomandoi hapjen e negociatave, ndërsa Këshilli i BE do japi vendimin final. Mendoni se do ketë hapje negociatash pasi deputetë nga Holanda dhe Gjermania kanë qenë skeptikë?

Hapja e negociatave bazohet në progresin e bërë në pesë fushat parësore të përcaktuara nga Komisioni Europian. Unë mendoj se Shqipëria ka bërë progres në të pesë fushat dhe më shumë sesa të gjitha vendet e rajonit. A ka ende për të bërë në këto fusha? Padyshim që po. Hapja e negociatave është një hap drejt anëtarësimit, por jo anëtarësim në BE. Ndaj  gjykoj se Shqipëria ka bërë progres për të mbërritur në këtë stacion që do të jetë edhe pikënisja e thellimit të reformave të nisura dhe e monitorimit më të thellë të tyre edhe nga BE-ja. Unë shpresoj që në fund të muajit Qershor të ketë një vendim pozitiv nga Këshilli i BE-së dhe që shqiptarët të mos zgënjehen me BE dhe të humbasin interesin dhe dëshirën për të qenë një vend anëtar i BE-së.  Skepticizmi i ndonjë partie në këtë vende lidhur me zgjerimin, e dëmton  BE dhe të ardhmen e saj dhe  mund të krijojë një zhgënjim të madh në Ballkan dhe në veçanti në Shqipëri.

-Ju në fund të prillit zhvilluar nja vizitë në Kinë. Cili ishte qëllimi i saj?

Në delegacion i Kuvendit të Shqipërisë në përbërje të të  cilit ishin përfaqësues të partive parlamentare vizituan Republikën Popullore të Kinës. Qëllimi i vizitës është forcimi  bashkëpunimit mes parlamentave dhe atij ekonomik mes dy vendeve tona. Ne patëm mundësi të takohemi me kolegë të parlamentit, të vizitojmë bashki që janë model në zhvillimin e zonave ekonomike dhe të bëjmë vizita në disa bisneze.  Takimet mundësuan të mësojmë më shumë për  modelin ekonomik kinez, për projektet dhe programet ekonomike që ata po zhvillojnë për të rritur ekonominë dhe mirëqënien e njërëzve.

-Opozita protestoi më 26 maj, ndërkohë që u pa një numër i ulët pjesëmarrësish. Pse u braktis Basha dhe përse është shfaqur kaq agresive opozita, para statusit?

Votimi pozitiv i Këshillit të Bashkimit Europian është një vlerësim për gjithë kontributin e dhënë nga të gjitha qeveritë  dhe shqiptarët që kanë kontribuar  në këtë proces. Ai nuk është një dhuratë, por një vlerësim për përmbushjen e detyrave të shtëpisë të lëna nga Komisioni Europian.  Unë nuk e kisha menduar që opozita të ishte aq agressive dhe të mos vinte dhe të votonte as rezolutën në parlament. Nuk më vjen çudi që opozita të jetë kundër reformës në drejtësi, pasi kjo ka qenë shumë e qartë që në momentet kur pati hezitim të madh për të miratuar ndryshimet kushtetuese dhe përpjekjet që  vetingu të mos rregullohej me dispozita kushtetuese, por në ligje që mund të bllokoheshin siç edhe janë bllokuar tashmë. Por me vjen keq që opozita nuk po lë gjë pa bërë për të krijuar imazhin se vendi ynë nuk e meriton të jetë një vend që duhet të  hapë negociatat dhe që do punojë më ritme më të shpejta dhe më tëmëdha për anëtarësim në BE. Agresiviteti lidhet me problemet e brendshme të opozitës dhe lidershipit të saj dhe me konceptimin e gabuar se hapja e negociatave do të shihet si fitore vetëm e mazhorancës. Me sjelljet agresive, opozita justifikon edhe bojkotin e parlamentit, ç’ka do të thotë bllokim të ecurisë së zbatimit të reformës në drejtësi dhe të ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Uroj që në këto pak ditë që na ndajnë nga marrja e vendimit të Këshillit, opozita të jetë krah për krah me mazhorancën, të takohet me deputetë skeptikë dhe ti garantoj ata se reformat e nisura do vazhdojnë dhe se shqiptarët e meritojnë të kenë një përgjigje positive dhe jot ë nxjerr vrer dhe helm nga goja e saj në takime, dreka ose darka ku janë të pranishëm deputetë evropianë.

 Intervistoi: Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 5. Total votes: 50

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/09/2018 - 21:23

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zbuloi se biznesmeni Andrea Zoga i ka dërguar mesazh kryeminsitrit Edi rama para se të bënte kallëzimin penal.

Postuar: 21/09/2018 - 21:16

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ishte i ftuar në emisionin “Provokacja” foli ed

Postuar: 21/09/2018 - 21:10

Ministri i Brendshëm  Fatmir Xhafaj, e ka quajtur të paaftë opozitën për t’u përballur

Postuar: 21/09/2018 - 20:46

Ish-kryeministri Sali Berisha tha shkrirja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ditën e sotme u bë m

Postuar: 21/09/2018 - 20:39

Kryeministri Edi Rama me anë të një videoje ka ironizuar Lulzim Bashën, duke ballafaquar dy dekla

Postuar: 21/09/2018 - 19:04

Ish-Ministri i Shëndetësisë, tashmë deputet, Nard Ndoka, ka reaguar në lidhje me arrestimet e mje

Postuar: 21/09/2018 - 18:32

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeprokurores Arta