Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

"Kryerja e betimit në formë të shkruar ose verbale ka të njëjtën fuqi ligjore", Spartak Braho: Betimi dhe fillimi i ushtrimit të mandatit të gjyqtarit Kushtetues

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Sipas nenit 8, pika 1 të Ligjit nr. Nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë. 

Sipas pikës 2 të nenit 8 të të njëjtit Ligj formula e betimit është: "Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë".Në kuptim të dispozitave më sipër, kusht për fillimin e detyrës është kryerja e betimit nga gjyqtari Kushtetues para Presidentit. 

Që betimi të jetë i vlefshëm duhet të përmbushen njëherazi dy kushte: i) shprehja e qartë e vullnetit të gjyqtarit kushtetues që zotohet të përmbushë detyrat sipas formulës së betimit që jepet në kushtetutë ose ligj; ii) dhënia e betimit para organit që parashikon kushtetuta ose ligji. 

Kushtetuta dhe ligji nuk parashikojnë formalitetet e ceremonialit të betimit dhe as mënyrën e kryerjes së betimit. Konkretisht, as Kushtetuta as Ligji nuk parashikojnë nëse betimi kryhet në formë të shkruar apo në mënyrë verbale. 

Komisioni i Venecias në Opinionin  - CDL-AD(2016)001 - no. 833/2015 (Polonia) ka mbajtur një qëndrim të qartë për natyrën e betimit duke shprehur se betimi ka një funksion kryesisht ceremonial. Në këtë opinion K.Venecias shprehet:… Pranimi i betimit (opinioni është për gjyqtarët kushtetues) nga Presidenti është sigurisht i rëndësishëm - gjithashtu si një shenjë e dukshme e besnikërisë ndaj Kushtetutës - por ai ka një funksion kryesisht ceremonial...

Nisur nga natyra e betimit si një akt ceremonial dhe faktit që betimi nuk normohet në Kushtetutë apo në ligj si proces me hapa e detaje, kryerja e betimit në formë të shkruar ose verbale ka të njëjtën fuqi ligjore dhe sjell si pasojë fillimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues.

Në mungesë të dispozitave kushtetuese dhe ligjore për normimin e procedurës dhe ceremonialit të betimit të gjyqtarit kushtetues e rëndësishme që ky njoftin të quhet i vlefshëm është shprehja e qartë e gjyqtarit se me vullnet të lirë e me përgjegjësi pranon detyrimet që parashikohen në formulën e betimit sipas parashikimeve të Kushtetutës dhe/ose Ligjit, në rastin konkret Ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, duke ia kundrejtuar atë në një mënyrë të qartë organit para kujt duhet të betohet, konkretisht Presidentit të Republikës.

Thënë sa më sipër, kryerja e betimit nga gjyqtari kushtetues në formë verbale para Presidentit ose me deklaratë noteriale, (ku vërtetohet shprehja e vulnetit), që i njoftohet Presidentit, kanë të njëjtën fuqi ligjore dhe sjellin si pasojë fillimin e detyrës së gjyqtarit kushtetues. 

Referuar dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.44/2011, është e qartë se betimi është një akt që shërben për të deklaruar vullnetin, gatishmërinë, bindjen dhe vendosmërinë e mëtejshme të gjyqtarit kushtetues për të ushtruar funksionin e tij në përputhje me rregullat e parashikuara për këtë qëllim. Betimi nuk është kusht për të bërë të vlefshëm mandatin e gjyqtarit kushtetues, pasi këtë mandat gjyqtari e fiton sipas parashikimeve të Kushtetutës neni 125, dhe neneve 7/b prg. 4, 7/c, prg. 6 dhe neni 7/ç të Ligjit nr. Nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. 

Në rastin konkret, Znj Arta Vorpsi, e renditur e para në Vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi  për një vend vakant në kompetencë emërimi të Presidentit, është emëruar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në kushtet kur në mbarim të afatit prekluziv 30 ditor, Presidenti nuk ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese, (neni 7/b, prg.4 i Ligjit  Nr.8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, të ndryshuar) . 

Znj. Vorpsi duke kryer betimin si gjyqtare kushtetuese me deklaratë noteriale përpara noterit publik dhe duke ia njoftuar këtë akt Presidentit ka plotësuar dhe detyrimin kushtetues dhe ligjor të marrjes përsipër të detyrave që përcaktohen në formulën e betimit, fakt që sjell dhe fillimin e detyrës nga ana e saj. 

Ky veprim dhe akt noterial i Znj Vorpsi janë të vlefshëm e kanë fuqinë ligjore të plotësimit të detyrimit kushtetues për betimin, për sa kohë janë në përputhje me natyrën e betimit dhe nuk vijnë në kundërshtim me asnjë dispozitë kushtetuese dhe ligjore. Nga momenti që Znj. Vorpsi i ka njoftuar kryerjen e betimit me akt noterial Presidentit, ajo fillon detyrën si gjyqtare kushtetuese.

[1]Sipas Kushtetutës dhe Ligjit Nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me ndryshime, (neni 7/b) Presidenti e ushtron kompetencën e tij të kufizuar duke emëruar një nga tre emrat e parë në listën e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, brenda një afati 30 ditor nga dita kur është njoftuar për vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Në rast se brenda këtij afati Presidenti nuk e ushtron të drejtën e tij, kandidati i renditur i pari në vendimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emërohet anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti është njoftuar më datën 08.10.2019 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për vendimet e tij në lidhje dy vakanca të krijuara në Gjykatën Kushtetuese dhe i janë vënë në dispozicion dy lista kandidatësh për secilin vend vakant me qëllim ushtrimin e kompetencës së tij për të emëruar dy gjyqtarë kushtetues. Me Dekretin e datës 18.10.2019, Presidenti ka emëruar Z. Besnik Muci si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa për vendin e dytë ka zgjedhur heshtjen dhe me kalimin e afatit prekluziv tridhjetë ditor, në datën 07.11.2019 Znj. Arta Vorpsi e renditur e para në listën e miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi konsiderohet e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Nga Spartak Braho
 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 19:55

Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan deklaroi sot se ka nisur puna për ndërtimin e 500 banesave për qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Postuar: 08/12/2019 - 19:38

Akuza e prokurorisë për kallëzim të rremë në bashkëpunim parashikon burgim deri në 5 vjet burg pë

Postuar: 08/12/2019 - 19:27

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se prishja e godinës nr.

Postuar: 08/12/2019 - 19:03

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Gazmend Oketa, shprehet se kërkesa e kryeministrit Rama ës

Postuar: 08/12/2019 - 18:48

Avokat Spartak Ngjela deklaroi se tre persona janë përgjegjës për pasojat e tërmetit shkatërrues

Postuar: 08/12/2019 - 18:37

Kryeministri Edi Rama ka fshirë postimin në Twitter vetëm një orë pasi i bëri thirrje Lulzim Bash

Postuar: 08/12/2019 - 18:13

Lideri i Partisë Popullore Europiane Donald Tusk ka paralajmëruar se procesi i zgjerimit nuk guxo