Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Tetë bombat që i kanë rënë Shqipërisë

 Tetë bombat që i kanë rënë Shqipërisë

Postuar: 28/03/2016 - 18:38

Nga Julian Deda
Kohët e fundit, terrorizmi dhe elementet brenda tij i kanë shpeshtuar rastet e dhunës dhe vrasjeve ndaj njerëzve të pafajshëm. Në pamje të parë duket sikur qendra e goditjes është Evropa, por ajo që duket qartë është se terroristët nuk bëjnë fare dallim në këtë drejtim. Rastet e fundit tregojnë pikërisht këtë. Ne Irak u vranë mbi 60 njerëz të pafajshëm nga këto akte, në Turqi disa dhjetëra të tjerë, duke ju bashkuar kështu me dhimbje ngjarjeve fatkeqe në Evropë.
 
Në rrjetet tona sociale jemi lutur për Parisin, Ankaranë, Brukselin, Irakun, Sirinë dhe për çdo vend ku terrorizmi, ky “kancer” i pamëshirshëm po i përhap metastazat e tij në mënyrë të frikshme. Kemi bërë thirrje, jemi lutur dhe jemi solidarizuar me gjithë këto vende dhe shumë mirë kemi bërë, sepse bota ka nevojë të paktët për solidaritet. Askush përveç terroristëve nuk ka dëshirë të shohë njerëz të pafajshëm që humbin jetën papritur. Pra kemi ngritur në qiell me gjithë fuqinë e zërit tonë njerëzor dhe social, lutje pafund.
 
Por a nuk mendoni se ka ardhur koha të lutemi pak për vendin tonë? A nuk mendoni se Shqipëria ka nevojë për lutje? Nëse në të gjitha vendet e lartpërmendura kanë rënë një, dy, tre apo katër bomba, në Shqipëri ka rënë flama. Këtu bombat po bien përditë.
 
Bomba 1. Këtu ka rënë bomba e papunësisë ekstreme. Njerëzit s’dinë ku të përplasen për të fituar dy lek për të mbajtur frymën e familjes gjallë. Ndërkohë që ata rropaten duke kërkuar atë dreq pune, që mund të jetë çfarëdo, Kryeministri tallet duke deklaruar se këtu ka punë sa të duash, por shqiptarët janë dembelë. Pra po trajtohen edhe si të papunë edhe për budallej.
 
Bomba 2. Këtu ka rënë bomba e taksave të larta. Përditë i shtohen taksat këtyre njerëzve të pamundur që jetojnë në mes të Evropës dhe që pretendojnë që një ditë të jenë pjesë e saj. Aq shumë rriten taksat, sa kanë filluar ta humbin kuptimin e fjalës duke u kthyer kështu në gjoba, me të cilat shteti gjobit njerëzit e tij.
 
Bomba 3. Këtu ka rënë bomba e zërit qytetar. Sa vjen e zbehet ky zë. Shqipëria është kampion në zerimin e zërit qytetar. Askush nuk e dëgjon, askush nuk e përcepton dhe askush nuk e mbështet për tja arritur qëllimit minimal, që ai të paktën të dëgjohet.
 
Bomba 4. Këtu ka rënë bomba e kapjes së mediave. Mediat nuk ndjehen të lira të thonë dhe të raportojnë realitetin, i cili është ku thërret qameti. Shteti është në gjueti të përhershme që të zërë mundësisht gjithçka mediatike nën rrjetën e vet, madje edhe emisionet investigative që tashmë i shërbejnë qeverisë se s’kanë rrugë tjetër.
 
Bomba 5. Këtu ka rënë bomba anti artistike. Për gjithçka mund të mendohet në këtë vend, por vetëm për art e kulturë as bëhet fjalë.
 
Bomba 6. Këtu kanë rënë 2 bomba varfërie në të njëjtën kohë, ekonomike dhe mendore. Ekonomike. Ndërkohë që qeveritarët tanë nuk i numërojnë me lekët por i peshojnë, të thjeshtët në këtë vend s’kanë me çfarë të shtyjnë ditën se muajin as bëhet fjalë. Ata s’kanë të paguajnë dritat dhe ilaçet. Ndërkohë që qeveritarët marrin rrugën për në Miami për plazh në mes të Dimrit, të thjeshtët i blejnë ushqimet me listë. Ndërkohë që qeveritarët vjedhjen e kanë kthyer në ritual magjik, të varfrit  i dergjin burgjeve për faktin e vetëm se janë të varfër. Mendore. Varfëri dhe shterim idesh. Parlamenti është kthyer në një arenë sharjesh dhe nostalgjie. Flasin vetëm për të kaluarën dhe nuk e thonë asnjë fjalë të vetme për të ardhmen. Askush nuk di se ç’do bëhet me ne. Asnjë projekt në horizont, asnjë investim publik. Asgjë, zero, nul.
 
Bomba 7. Këtu ka rënë bomba (atomike) e eksodit. Tragjedia më e madhe e këtij kombi ndër vite, që sot përsëritet me të njëjtin intensitet. Shqipëria, ky vend i vogël, “përcjell” çdo vit jashtë kufijve të saj, një qytet normal. Duke patur parasysh shifrat ndërkombëtare të refugjatëve, Shqipëria është vendi i dytë pas Sirisë përsa i përket kërkesave për azil në vendet e BE. Një qytet në vit, për tre vjet janë plot tre qytete. Kjo tragjedi po e çon Atdheun drejtë shpopullimit dhe me këtë ritëm, në vitin 2200 mund të mos ketë më asnjë shqiptar me shtetësi shqiptare. E dhimbshme.
 
Bomba 8. Këtu ka rënë bomba (shfarosëse) e blerjes së votës. Në letra mund të duket si shashkë, por në fakt është bomba më shkatërruese, zanafilla e çdo tentative për ta shkatërruar këtë vend. Kjo është bomba, nga e cila rrjedh çdo padrejtësi që po i bëhet këtij vendi. Përgjegjëse për shtatë bombat e lartpërmendura, blerja e votës është grusht i drejt për drejtë në trurin e çdo shqiptari. Imagjinoni pak, e vetmja mundësi, i vetmi moment që ne na kërkohet të themi fjalën tonë dhe që supozohet të jetë votë e fshehtë, e lirë, e menduar nga ne, vetëm e jona dhe e askujt tjetër, edhe këtë vjen dhe ta blen dikush. Vjen qeveritari barkderr, ti hedh lekët në tavolinë dhe ikën për tu kthyer tek ti jo më parë se pas katër vitesh, për të bërë të njëjtën gjë. Me pak lek, me të cilat ti mund të kalosh maksimumi 10 ditë, ai nuk të blen thjeshtë votën, ai të blen ty, për katër vjet. Kësaj bombe i duhet lagur fitili, që të mos shpërthejë më.
 
Këto dhe shumë të tjera janë arsyet (bombat), për të cilat ne duhet të ndërgjegjësohemi, të reagojmë dhe të përpiqemi ti ndryshojnë. Nëse Evropën e kërcënon i huaji, Shqipëria kërcënohet nga vendasi. Nëse njerëzit e pafajshëm i vret terrorizmi, shqiptarët po i vret shqiptari. Ne duhet ta ndalojmë këtë. Nëse nuk kemi fuqi ta bëjmë, s’na ngelet asgjë tjetër vetëm se të lutemi për vendin tonë. Të lutemi për ty Shqipëri.
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/06/2019 - 15:10

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka bërë një parashikim shumë optimist dhe domethënës për atë që po ndodh kohët e fundit në Shqipëri.

Postuar: 26/06/2019 - 14:48

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taul

Postuar: 26/06/2019 - 14:46

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një konference të jashtëzakonshme, tha se përgjimet e &lsquo

Postuar: 26/06/2019 - 14:27

Pas anulimit të misionit të vëzhguesve të Këshillit të Evropës për votimet e 30 qershorit, k

Postuar: 26/06/2019 - 14:18

Gent Cakaj, ministri i Jashtëm ka deklaruar se lajmi se KE ka anuluar delegacionin e tij për të v

Postuar: 26/06/2019 - 14:16

Pas anulimit të misionit të vëzhguesve të Këshillit të Evropës për votimet e 30 qershorit, ka ard

Postuar: 26/06/2019 - 14:01

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, referuan materialet pë