BREAKING NEWS

“Nuk ka arsye që ta mbajmë pagën minimale aty, por...”, Rama jep lajmin fantastik për shqiptarët

“Nuk ka arsye që ta mbajmë pagën minimale aty,
x

Politike

10 vite nga “21 Janari”, Fatos Klosi: Ja pse Berisha ka gisht, urdhëroi 4 vrasjet për t’u treguar autoritar para SHBA-BE, koha të rihapet dosja

10 vite nga “21 Janari”, Fatos Klosi: Ja pse Berisha ka gisht,

Sot shënohen dhjetë vite nga “21 Janari” i vitit 2011, dita kur gjatë protestës së Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës. Më konkretisht, në atë protestë mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Por edhe pse kanë kaluar kaq vite, kjo tragjedi ka mbetur ende pa u zbardhur, ku familjarët e katër protestuesve të vrarë kërkojnë drejtësi, ndërsa sytë e tyre janë tek organet e reja të drejtësisë, e sidomos Struktura e Posaçme Antikorrupsion. Në lidhje me këtë ngjarje, ditën e djeshme ka folur edhe ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi. Ky i fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT”, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se është përgjegjësi kryesor për këtë masakër, ndërsa shtoi se ka ardhur koha që të vendoset drejtësi për këtë çështje dhe të rihapet dosja. Sipas tij, Berisha i urdhëroi 4 vrasjet për t’u treguar autoritar para SHBA-BE.

-Zoti Klosi, të enjten shënohen plot 10 vite nga protesta e 21 janarit 2011, ku dhe fatkeqësisht mbetën të vrarë 4 persona. Si e kujtoni ju 21 Janarin? Ku ishit atë ditë?

Natyrisht që 21 janari i vitit 2011 është një nga ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri, pasi shteti me urdhër të Sali Berishës vrau në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” 4 qytetarët të pafajshëm që protestonin kundër qeverisë. Natyrisht që unë atë ditë kam qenë në protestë, madje para Kryeministrisë dhe po e ndiqnim protestën dhe po më pëlqente në një farë mënyre që njerëzit, pra qytetarët që protestonin u familjarizuan me policët që ishin mbi gardhin e selisë së Qeverisë, të cilët i lejuan që të hipnin edhe mbi gardh dhe kaq. Protesta e 21 janarit 2011 ishte një protestë që tregonte dhe ishte organizuar për të treguar se qytetarët janë të pakënaqur nga keqqeverisja dhe kjo ishte e gjithë. Thjesht protesta ishte shenjë pakënaqësie dhe mesazh, ndërkohë që nuk kishte si qëllim përmbysjen e shtetit dhe qeverisë me dhunë apo që Saliu të reflektonte, pasi ky i fundit nuk nxë dhe është i pandreqshëm. Ndërkohë teksa protesta po shkonte drejt mbylljes, ndodhi ajo që ndodhi ku 4 qytetarë të pafajshëm dhe me duar në xhep, u vranë në mes të bulevardit. Domethënë kjo ishte absurde që shteti vret me urdhër të Sali Berishës 4 protestues të pafajshëm dhe paqësorë. Kështu që nga kjo pikëpamje unë vijoj të mendoj dhe kam këtë ide tanimë prej 10 vitesh që protestuesit u vranë me urdhër të Sali Berishës, për të treguar që ky i fundit e bën zap këtë vend dhe askush nuk mund të ngrejë krye mbi të. Unë me aq sa e njoh Saliun, dua të them sot se Berisha ka vuajtur nga një kompleks që meqenëse se ka qenë një ide e vjetër që ai e besonte fort që ndërkombëtarët e sidomos perëndimorët kanë qenë me ata shtetarë apo politikanë që arrinin të bënin zap vendin dhe ai shfrytëzoi “21 Janarin” për të treguar që po, ai është një nga ata që bën zap dhe ia bën 8 me 2 vendit, madje një nga më të mirët prej tyre.

-Pse sipas jush ndodhën vrasjet? Ishte vetëm urdhër nga lart apo dështim i drejtuesve të Gardës?

Sikundër e thashë edhe më sipër vrasjet e “21 Janarit” ishin vrasje që ishin urdhëruar nga Sali Berisha. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se Garda e Republikës, për fat të keq u tregua joprofesionale, pasi zbatoi urdhrat e Saliut dhe nuk pa situatën e vërtetë e madje nuk bëri asnjë analizë. Kështu që nga kjo pikëpamje shefat e shefave të Gardës, pra që në këtë rast ishin Luli dhe Saliu, kishin bërë llogaritë që njerëzit të hynin brenda gardhit të Kryeministrisë, që të tregonin se ishte një grusht shteti. Por qytetarët që protestonin nuk ranë në këtë kurthin e Saliut dhe ky më pas shfrytëzoi si mashë Gardën Republikës, e cila kaloi kompetencat e saj, duke qëlluar ndaj protestuesve dhe iu bindur kështu Berishës. Ky është absolutisht një skandal i madh! Pra, me pak fjalë vrasjet ndodhën se Berisha donte të tregonte që unë e bëj zap popullin dhe për interesat e veta ai mund të bëjë edhe vrasje po e pa ta arsyeshme për të treguar forcën e tij.

-Si shpjegohet që pas 10 vitesh, kjo ngjarje vijon të ketë misteret e veta? Disa persona u dënuan me burg minimal, por në rangun shtetëror askush nuk u dënua. A është ky një ndër dështimet më të mëdha të drejtësisë?

Deri më tani që flasim dhe në një kohë që sot mbushen plotë dhjetë vjet nga kjo tragjedi e madhe, mendoj se po ky është një ndër dështimet më të mëdha të drejtësisë. Pse do të thoni ju? Sepse me ato vendime që u dhanë për “21 janarin”, mendoj se janë dhënë vendimet më qesharake e më të lehta të mundshme, ku drejtësia e plepave dhe e Berishës, i cilësoi përgjegjës për ngjarjen ca njerëz që thjesht kanë zbatuar urdhrat. Ndërkohë që, ata që dhanë urdhrat për të vrarë 4 protestuesit e pafajshëm në bulevard, që për mua ishte skenar, nuk u përmendën fare dhe jo më të merreshin në pyetje. Kështu që po të kthejmë kokën pas 10 vite, hollë-hollë 21 janari, ku u vranë katër qytetarë të pafajshëm me duar në xhep, e theksoj këtë, nuk mund ta quaj krim shtetëror, pasi shteti dhe qeveria e kohës nuk e kishte të nevojshme të bënte atë krim. “21 Janarin” e bëri ish-kryeministri Sali Berisha dhe të tjerët më poshtë. Kështu që, nga kjo pikëpamje mendoj se deri tani drejtësia ka dështuar që nuk e ka zbardhur ende këtë ngjarje.

-A mendoni se ka ende mundësi që të hapet dosja e 21 Janarit dhe përgjegjësit e vërtetë të ndëshkohen?

Absolutisht po që ka ende mundësi që të hapet dosja e 21 Janarit dhe përgjegjësit e vërtetë të ndëshkohen. Por këtë duhet ta bëjë vetëm drejtësia e re dhe se ka ardhur koha që prokurorët dhe gjyqtarët e SPAK duhet të vrasin frikën dhe t’i hyjnë me themel hetimit të kësaj ngjarje për të çuar në vend drejtësinë e munguar. Kështu që unë mendoj se Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë të rrezikuar nga rihapja e dosjes së “21 Janarit”. Kjo dyshe më shumë se kushdo tjetër, janë të rrezikuar nga zbardhja e kësaj ngjarje, pasi janë përgjegjësit kryesorë të 21 janarit. Njëri ishte kryeministër, ndërsa tjetri ministër i Brendshëm. Ju plasi atyre në dorë vrasja e katër njerëzve në mes të ditës dhe në mes të bulevardit.

-Nëse kthehemi pas Berisha mbajti ushtarët e Gardës për ditë me radhë në Kryeministri. Të dhënat e kamerave të sigurisë u fshinë, ndërsa nuk dihet se kush e dha urdhrin nga lart...

Kjo tregon se Saliu ka gisht dhe ishte ai që urdhëroi vrasjet. Pse ju mendoni se gardistët dhe kupola e Gardës së Republikës kishin këllqe dhe aq shumë që të hapnin zjarr ndaj protestuesve të pafajshëm me kokën e tyre?! Kurrë nuk kishte për të ndodhur. Kështu që urdhri ka qenë nga shumë lart dhe mendoj se Saliu ka gisht.

-Ajo që vihet re është se Berisha edhe pas 10 vitesh nuk shpreh asnjë pendesë. Pak javë më parë vijoi ta mbronte 21 Janarin dhe madje u shpreh se ishin 5 snajperë të porositur të qëllonin ndaj Ramës. Si shpjegohet?

Sali Berisha çështjen e 21 Janarit e ka personale. Berisha mendon se është Zoti në këtë vend dhe bën edhe motin edhe diellin. Kështu që duke qenë se është i tillë dhe unë jam i pari dhe të tjerët nuk bëjnë gjëra të tillë. Por Berisha tani është kthyer në qesharak kur bën kësisoj deklaratash. Pra, deklarata e Berishës që në “21 Janar” nuk i vrau Policia e Shtetit 4 protestuesit me duar në xhep në mes të bulevardit, por Garda e Republikës që sipas tij, është ushtri dhe zbatoi ligjin është e turpshme dhe skandal. Po ashtu, skandal është edhe deklarata që të nesërmen e “21 Janarit” do të vriste me 5 snajperë kreun e opozitës së kohës, Edi Rama. Të gjitha këto tregojnë se në 21 janar ishte ai që urdhëroi dhe me këto deklarata më në fund pas kaq vitesh, Saliu mirë që nuk pendohet dhe kërkon falje, por po tregon se kush është ai në të vërtetë. Kështu që shikoni këto deklaratat për të kuptuar kush është Sali Berisha dhe çfarë politike ka ndjekur ai me rendin, ku më shumë ka qenë kriminel, se sa shtetar. Berisha është i pandreqshëm dhe populli ka një thënie që: “Vesi vdes me shpirtin”. Kaq!

-Pse drejtësia nuk ka guxim të merret me këtë ngjarje?

Unë nuk e di a ka drejtësia guxim të merret me këtë ngjarje. Por nga ana tjetër unë shpresoj që drejtësia e re që po bëhet pas reformës në drejtësi të merret me këtë ngjarje. Siç e thashë edhe më sipër, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të guxojnë dhe ta hetojnë një ngjarje të rëndë sikundër është “21 janari” për ta zbardhur vendosur drejtësinë e munguar në vend. Pra, në kushtet kur deri më tani drejtësia ka qenë nën thundrën e politikës, kjo është shpresa që drejtësia e re të reformohet dhe mos harroni që reforma në drejtësi për këtë punë u bë që të jetë e pavarur dhe një nga tre shtyllat e shtetit të jetë drejtësia, ku duhet që të jetë e pavarur nga dy të tjerat që janë politika. Kështu që unë shpresoj dhe këtë po pres nga reforma në drejtësi që të zbardhë “21 Janarin”, por edhe ngjarje të tjera të rënda. Pra, nëse nuk zbardhen këto ngjarje nga drejtësia e re dhe organet e reja, nuk është bërë fare reformë. Këtë po presin të gjithë, drejtësi dhe vetëm drejtësi.

Intervistoi: Rigels Seliman