BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Politike

Agron Duka: Në 25 prill shqiptarët do braktisin dhe ndëshkojnë me votë Ramën, ja ku do ndikojë PAA nesër në qeveri

Agron Duka: Në 25 prill shqiptarët do braktisin dhe

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka shprehet i bindur së në 25 prill qytetarët do të ndëshkojnë me votë popullore dhe masive qeverinë “Rama”. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, kryeambientalisti Duka, i cili garon nën siglën e koalicionit “PD-AN” në Qarkun e Durrësit dhe që mban numrin 2 në listën rendore, deklaroi se situata parazgjedhore në kampin e opozitës është optimiste, ndërsa theksoi se në 25 prill shqiptarët do braktisin dhe ndëshkojnë me votë keqbërësin Edi Rama. Duke u ndalur tek PAA dhe mbështetja që kjo parti do të ofrojë nesër në qeverinë e demokratëve, zoti Duka u shpreh se për Partinë Agrare Ambientaliste, sipas tij, nuk negociohet harresa dhe mosvëmendja ndaj qytetarëve.

-Zoti Duka, ndërsa na ndajnë rreth 17 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, partitë politike kanë ndezur zyrtarisht motorët e fushatës zgjedhore. Si paraqitet situata brenda kampit opozitar?

Situata brenda kampit opozitar është tejet e mirë dhe optimiste. Ne në 25 prill do të rrëzojmë Edi Ramën nga pushteti.

-Ju ndërkohë po zhvilloni fushatën elektorale në Durrës. Çfarë shihni ndryshe në fushatë kësaj radhe krahasuar me herë të tjera?

Kanë ndryshuar shumë gjëra. Së pari, pandemia ka sjellë një situatë të pazakontë, duke kushtëzuar shumë takimet dhe mënyrën e komunikimit. Edhe skema, formula elektorale, ka ndryshuar duke diktuar një hartë veprimesh më intensive edhe mes kandidatëve brenda partive. Krahasuar me të tjera fushata nuk ka dallime thelbësore, janë gjithnjë detajet përcaktuese.

-Shoh që dukeni optimist për rezultatet. Ku e bazoni këtë optimizëm?

Unë kam lindur dhe jam rritur në Shijak e po plakem në qytetin e Durrësit dhe njoh me emër shumë njerëz ashtu si dhe familjet e tyre. Njoh hallet e tyre, sakrificat, ajo çfarë ata duan. U jam gjendur dhe më janë gjendur. E shoh veten në Durrës si në një familje të madhe. Bashkërisht kemi ndërtuar një shpresë. Durrësi është qytet i mençur, nuk duron nëpërkëmbjen, është në një farë mënyre pjesë e metropolit, është qarku ekonomik më i rëndësishëm pas Tiranës. Njerëzit janë zgjuar, kërkojnë masivisht një ndryshim të vendit, duan qeverisje tjetër, duan të largojnë këtë qeverisje si dhe të çlirojnë ekonominë nga duart e klientëve të qeverisë. Biznesi ka ligjësi tregu e jo xhepa pushteti.

-Me aleancën dhe ardhjen tuaj në pushtet, cilat do të jenë risitë, ku do të ndikojë PAA?

Partia jonë tashmë ka një shtrirje në të gjithë vendin. Ne kemi fuqi elektorale dhe ofertë cilësore në programin qeverisës. Ekonomia Green tashmë është një prioritet dhe ka vëmendje të madhe në BE. Projektet të cilat do të jenë njëherësh investime nesër, do të përmirësojnë sipërmarrje e biznese, por do të shtojnë dukshëm edhe punësimin. Agroturizmi, mjedisi, bujqësia, industria e përpunimit, mbështetja e shumëfishtë krahasuar me sot e fermerëve, janë elementë që të bëjnë diferencë dhe japin impakt. Bujqësia, pemëtaria, e blegtoria, janë një zë me peshë të madhe në GDP e vendit dhe sot janë lënë në harresë.

-Ju jeni kandidat i koalicionit "PD-AN" në Qarkun e Durrësit dhe njëkohësisht jeni kreu i Partisë Agrare Ambientaliste. Por ndaj jush personalisht kryeministri Edi Rama ka nisur një fushatë sulmesh. Keni një koment?

Unë kam vetëm këtë përgjigje për kryeministrin Edi Rama. Ramës, t’i rrojë kosherja se bletët i kanë ikur. Udhëheqësi ynë shekullor ka filluar ndryshon dhe rrjedhën e shekujve. Të njëjtën gjë bëri edhe diktatori i Taxhikistanit disa vite më parë, ndryshoi kalendarin e vendit. Diktatorët janë njësoj kudo, ndaj kanë të njëjtin “Happy End”. Ndoshta Rama beson se do të jetë udhëheqësi historik i shqiptarëve deri në shekullin e 25 pas erës tonë. Për këtë raste dalldisjeje populli thotë: “T’i rrojë kosherja se bletët i kanë ikur”. Kështu që, keqqeverisjes shqiptarët do t’i përgjigjen më 25 prill në kutitë e votimit, ditë në të cilën do çojnë Edi Ramën në drejtim të paditur. Ora për t’u çliruar nga pengmarrësi i fundit i lirisë po mbërrin. Më 25 prill shqiptarët braktisin keqbërësin.

-Shqipëria për fat të keq vazhdon të ketë emergjenca për të zgjidhur si varfëria, papunësia, emigracioni, etj. Por si në nivel ndërkombëtar edhe në vend, çështjet e ambientit janë një kryefjalë tashmë. Edhe takimet e mëdha si Davos kanë këto çështje në krye të axhendës së tyre. Sa e ka rritur kjo rolin e partisë tuaj në sytë e partive të mëdha? Dhe sa është rritur roli i partisë tuaj, pikërisht në përgjigje të këtyre çështjeve emergjente?

Ne kemi pasur kontakte politike dhe me partnerë europianë e ndërkombëtarë. Bashkëpunimi do të vijë duke u shtuar. Ekspertiza jonë është një aset për qeverisjen nesër për të thithur projekte madhore dhe për t’i realizuar ato me transparencë dhe efektshmëri. Ne jemi në një aleancë të madhe kjo natyrisht do vijë duke harmonizuar prioritetet.

-Edhe pse me burime të pasura hidrike, sipas studimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, ne rrezikojmë në sigurimin e qëndrueshëm të energjisë? Si i gjykoni investimet e bëra në ndërtimin e HEC-eve?

Energjia tek ne ka një telash sa të vjetër, por të përkeqësuar në këto tetë vite. Qeverisjet e mëparshme kanë investuar dhe lejuar investitorët të rrisin kapacitetet prodhuese. Ka një përqindje të shtuar falë këtyre investimeve të sipërmarrjes private vendase dhe të huaj. Por ne kemi një keqmenaxhim. Audituesi shtetëror KLSH, por edhe denoncime të shumta flasin se duar të zgjatura paligjshmërie kanë çuar dëm miliona dollarë me tendera preferencialë dhe vjedhja e energjisë nuk ndërpritet me dërgim në qeli të njerëzve në pamundësi pagese që janë në mjerim e në rrezik mbijetese. Favoret janë tjetërkund. HEC-et kanë sjellë përmirësim. HEC-et duke shfrytëzuar gazsjellësin TAP për lëndën djegëse do të jenë një vlerë e shtuar. Por këmbëngul, korrupsioni në këtë sektor ku menaxhohet nga ekzekutivi është në nivele turpëruese.

-Le të ndalemi pak te Partia Agrare Ambientaliste që ju drejtoni dhe prioritetet e saj. Cilat do të jenë pikat më të forta, që nuk do t’i negocioni për asnjë arsye?

Ne nuk do të bëjmë luftë, do të qeverisim bashkërisht. Nuk do të tolerojmë korrupsionin dhe shkeljen e ligjit. Aleanca u ka lënë partive në marrëveshjet e bëra hapësirën për të përmirësuar cilësisht qeverisjen e re. Ajo që ne nuk negociojmë është harresa dhe mosvëmendja ndaj qytetarëve për shërbimet që ata meritojnë si taksapagues. Kemi premtuar ndryshim rrënjësor dhe do ta bëjmë, kjo është pikë e fortë e koalicionit dhe do të ndodhë kështu.

-Ju jeni kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, por edhe një sipërmarrës në fushën e agroturizmit dhe një prodhues i mirë i verës. Si do të loboni për bujqësinë dhe agroturizmin?

Sigurisht biznesi është një përvojë që më ka bërë gjithnjë konkurrues dhe kërkues deri në ekstrem për të përmirësuar produktin dhe për të qenë një markë në treg. Bujqësia dhe agroturizmi do të kenë gjithë qeverinë e re nesër, qeverinë tonë si koalicion fitues, mbështetës e lobues. Rritje të mbështetjes financiare për prodhues e eksportues, duke mbrojtur fort prodhimin vendas. Janë thuajse gjysma e popullsisë që e kanë ekonominë familjare në këta sektorë. A ka lobues më të mëdhenj se ata? Ne do të jemi bashkërisht në këtë ndryshim që do të përmirësojë fort mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tyre.

-Si ju duket menaxhimi i pandemisë nga qeveria dhe keni një koment mbi deklaratat e kryeministrit Edi Rama se nëse opozita e bashkuar fiton zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, atëherë sipas tij, do të ndërpritet procesi i vaksinimit, pasi kjo gjë është meritë e tij?

Deklarimi i tij se po humbi ai zgjedhjet, do të ndërpritet vaksinimi, dëshmon një mentalitet qeverisës kriminal për pushtet absolut dhe të përjetshëm. Kjo sepse asnjë kompani e prodhimit të vaksinave në botë nuk bënë kontratë me individët në qeveri, por me qeverinë e çdo vendi; Kontratat e blerjes së vaksinave janë marrëveshje ligjore jo fotografi personale; Keqpërdorim i vaksinave për mbijetesë personale - është moralisht i turpshëm dhe ligjërisht i dënueshëm; Prova konkrete se vaksinimi nuk ka të bëjë me rotacionet politike është Qeveria Kurti në Kosovë, e cila sapo mori një mbështetje të konsiderueshme vaksina nga projekti global i Covax. Rilindasi në ikje po lë pas dështimin edhe psikologjik, duke zgjedhur si aleat të tij kërcënimin me vdekje të qindra mijëra shqiptarëve që nuk e kanë bërë akoma vaksinën. Ky kërcënim kriminal është prova më e qartë për çdo shqiptar përse rotacioni është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i menjëhershëm. Ndryshimi do të ndodhë me votë plebishitare. A shpëtojmë të ardhmen tonë nga ky model qeverisje që pasi ju vodhi shqiptarëve disa miliardë lekë, euro apo dollarë, pasi ju vodhi shpresën dhe të ardhmen evropiane, i kërcënon shqiptarët se do t’ju marrë edhe jetën po nuk votuan atë dhe vetëm atë që siç thotë edhe vete është “lypsari më i madh” i shqiptarëve. Me këtë kërcenim kriminal -“Rilindasi i frikës dhe vdekjeve” tregon se ka lypur gjithmonë për lavdin dhe pushtetin e tij personal, por i ka varfëruar më shumë shqiptarët.

Më të lexuarat