
Postuar: 14/02/2018 - 16:31
Kryetari i Grupit Parlamnetarë të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i ARRSH, Afrim Qendro ndoqën nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dëborës në zonën e Librazhdit, ku disa zona janë bllokuar.
Më problematike situata paraqitet në aksin Librazhd-Peshkopi, ku autoritetet po punojnë për hapjen e rrugës.
Balla gjatë inspektimit, theksoi se po punohet njëkohësisht jo vetëm për hapjen e rrugës, por edhe për riparimin e defekteve në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në zonat e prekura.
“Aktualisht aksi që lidh Librazhdin me Peshkopinë, është i vetmi aks kombëtar i pakalueshëm. Së bashku me drejtorin e ARRSH, Afrim Qendro, kemi qenë që prej mëngjesit këtu për të parë nga afër situatën. Punimet për hapjen e këtij aksi kanë filluar nga pjesa e Peshkopisë për të ardhur drejt Librazhdit. Kërkojmë që banorët të shmangin kalimin nga ky aks gjatë ditës së sotme, pasi nesër ky aks do të jetë i kalueshëm për të gjitha mjetet. Duhet të kemi parasysh që trashësia e dëborës në vende të caktuara i kalon 50 cm që do të thotë që hapja kërkon pak kohë”, u shpreh Balla

/Agjensia e Lajmeve Sot News/