BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin, ja sa raste të reja me COVID janë shënuar 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin, ja sa raste të
x

Politike

Aleanca PS-LSI rikthen luftën për pasardhës në PD, Topalli nis fushatën kundër Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit

Aleanca PS-LSI rikthen luftën për pasardhës në PD, Topalli

Zyrtarizimi i aleancës midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ka rikthyer si asnjëherë më parë, luftën e ftohtë dhe të nëndheshme në Partinë Demokratike, për pasardhësin e liderit historik dhe absolut të kësaj partie, Sali Berishës. Bashkimi i së majtës shqiptare, me zhvendosjen e LSI nga qeveria në krahun e frontit opozitar, u jep fund dilemave dhe parashikimeve për fituesin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, ndërsa pothuajse ka vulosur daljen e partisë në pushtet në opozitë. Mirëpo, rrëzimi i Berishës nga pushteti, çel garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, gjithnjë nëse Berisha do të japë dorëheqjen për t’u larguar me nder,  sikundër bëri lideri historik i së majtës, Fatos Nano në vitin 2005.  Ndërkaq, që kur Berisha u lëkund dhe humbi ekuilibrin një vit më parë, në podium, gjatë festës për përvjetorin e PD, në selinë blu ka nisur lufta për t’i marrë stafetën e drejtimit të partisë. Humbje e zgjedhjeve për të marrë një mandat të tretë, duke marrë parasysh edhe faktorin biologjik, pra moshën e thyer të Berishës, e bën më të afërt ëndrrën e pretendentëve për të marrë në dorë drejtimin e partisë.

Pretendentët

Tre janë pretendentët kryesorë në Partinë Demokratike për pasardhës. I pari është Lulzim Basha, ylli në ngjitje i së djathtës shqiptare, i cili ka bekimin e familjes kryeministrore dhe të amerikanëve për t’u katapultuar në krye të PD. Karriera e shpejtë dhe e shkëlqyet e Lulzim Bashës ka tërbuar dhe eklipsuar shumë figura emblematike të PD. Lidhjet e tij të shumëfishta me familjen kryeministrore, profili i tij si politike modern dhe paqësor, i japin Bashës përparësi ndaj pretendentëve të tjerë. Pretendentja e dytë është ajo që quhet zonja e hekur e PD, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, njëherësh numri dy i Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, e njohur si armikja politike më e përbetuar e Bashës. Zonja Topalli, e njohur për arrogancën dhe servilizmin e tejskajshëm nga Berishës, përfaqëson sot klanin më të fuqishëm në PD si dhe është pengesa kryesore në rrugën e Bashës drejt kreut të PD. Zonja Topalli ka forcuar pozitat e saj duke katapultuar njerëzit e saj në krye të KQZ, ILDKP, tatimeve, KLD, gjykatave etj. Ajo deshi të diktonte edhe presidentin de kryeprokurorin, madje pati edhe një përplasje më Berishën. Pretendenti i tretë është Eduard Selami. Rikthimi i Eduard Selamit pas 18 vitesh në Partinë Demokratike i ka dhënë një tjetër rrjedhë garës për pasardhës në selinë blu. Selami mund të marrë kreun e PD si një figurë përbashkuese, vizionare dhe si njeri i amerikanëve.

Topalli nis luftën

Konventa e Partisë Demokratike për punësimin, më shumë se sa një aktivitet për programin elektorale, u shndërrua në një garë prove mes Topallit dhe Lulzim Bashës për pasardhës. Topalli dhe Basha ishin dy figurat kryesore të konventës, ku mbajtën fjalime për të programin dhe të ardhmen e partisë. Pjesmarrësit konfirmuan Bashën në vend të Berishës, me ovacione dhe duartrokitke, ndërsa Topalli u prit ftohtë si një diskutant i përgjithshëm. Megjithatë, Topalli mësohet se ka nisur lëvizjet, duke lobuar për të mbledhur sa më shumë mbështetës rrethe vetes. Në të njëjtën kohë Topalli ka nisur një luftë të ashpër ndaj Eduart Selamit, pretendentit tjetër, që mund të ngrijë ëndrrën e saj për t’i zënë vendin Berishës.

Konflikti për pasardhës

Rikthimi i Eduart Selamit në Partinë Demokratike, si një figurë konstruktive, vizionare dhe paqësore, duket se ka përvëluar grupin Topallit në selisë blu, grup i cili pret të marrë në dorë frenat e partisë nëse humbet zgjedhjet Berisha. Teksa zgjedhjet po afrojnë, konfliktit Topalli-Basha për pasardhës në PD, ka marrë dimensione të tjera. Selami vjen në mbështetje të Bashës dhe si reaksion ndaj grupit të Topallit, i cili përbëhet nga Astrit Patozi, Ridvan Bode, Sokol Olldashi, Genc Pollo, Jemin Gjana, Osman Metalla, Gent Strazimiri, Ilir Rusmali, Viktor Gumi, Mesila Doda, Albana Vokshi, Arenca Trashani, Paulina Hoxha, Eduard Halimi, Enkelejd Alibeaj, Arben Imami, Fatos Beja etj. Edhe pse të dy pretendentë për pasardhës, mes Bashës dhe Selamit ka një farë aleance kundër Topallit. Po ashtu, Lulzim Basha ka lidhje të shumëfishta me një tjetër figurë qendrore të së djathtës shqiptare, me Bamir Topin.

Shqetësimi i tretë i Topallit

Dy do jenë surprizat më interesante të listës së Partisë Demokratike, konkretisht kandidimi sipër vijës së sigurisë i nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku si dhe i zëvendësministres së Integrimit, Grida Duma. Zëvendësja e zonjës Bregu, sipas burimeve, do të ketë një vend të sigurtë në listën e kandidatëve të PD për Qarkun e Tiranës, madje emri i saj do të vihet mbi shumë figura të rëndësishme të PD, duke i siguruar automatikisht një vend të sigurt në parlamentin e ardhshëm. Gjithashtu edhe Jorida Tabaku do jetë pjesë e listës së Tiranës. Por, karriera e shpejtë dhe premtuese e Tabakut dhe Dumës ka trazuar kryeparlamentaren Topalli dhe ministren e Integrimit, Majlinda Bregun, të cilat kanë monopolin e pushtetit të zonjave në qeverisen e Berishës. Sipas mos të mjaftonte lufta e ftohtë dhe rivaliteti me Lulzim Bashën për pasardhës, Topalli po përballet me një shqetësim tjetër, me zëvendësen e Bashës, e cilat pritet të eklipsojë figurën e Topallit pas 23 Qershorit.

PD në krizë, Olldashi sherr me Berishën

Paniku i humbjes, tensioni dhe ankthi i pamundësisë për t’u ricikluar në pushtet, po reflektohet edhe në raportet e kryeministrit Berisha me figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Sokol Olldashi, njeriu më i votuar dhe më i kuotuar brenda PD pas Lulzim Bashës, mësohet se është përfshirë në një sherr me kryeministrin Berisha, pra me liderin historik dhe absolut të së djathtës. Marrëdhëniet mes Olldashit dhe Berishës kanë pasur një krisje ditët e fundit. Edhe pse Berisha e kandidoi për Bashkinë e Tiranës në 2007 dhe pas humbjes e rehabilitoi në qeveri,  karriera e Olldashit tashmë është në diskutim dhe në rrezik, pikërisht për shkak të divergjencave me Berishën. Muajit e fundit vendi i tij në zemrën e Berishës ka ardhur duke u ngushtuar dhe zbehur. Nuk dihet me saktësi se cili ka qenë shkaku i sherrit midis Olldashit dhe Berishës, por krisja e raporteve mes tyre, tashmë pranohet nën zë edhe nga figura të tjera të selisë blu. Tenderat e rrugëve, koncensionet,  përplasja e Olldashit me Pollon dhe Bashën, emërimet dhe shkërmoqja e PD në Fier mund të kenë qenë edhe shkaku u përplasjes së Olldashit me Berishën. Sipas burimeve, Olldashi dhe Berisha kanë ndërprerë çdo lloji komunikimi, ndërsa emrit të ministrit nuk dihet se ç’pozicion do të ketë në listat e kandidatëve për deputetë. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi ka rralluar edhe daljet në mediat në një kohë kur e gjithë shpura e ministrave të Berishës kanë nisur fushatën për reklamimin e arritjeve të qeverisë. Në zgjedhjet për Kryesinë e Partisë Demokratike, Olldashi u rendit i dyti si më i votuari pas Lulzim Bashës. Nga131 të vlefshme, Olldashi mori 104. Ai la pas Topallin, Boden, Patozin etj. Olldashi është përfolur gjithashtu edhe si një pretendent për pasardhës i Berishës krahas Topallit, Bashës dhe Selamit.

 

 

 

 

 

Më të lexuarat