Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Aleatët i vënë kushte Bashës, kërkojnë që dialogu me mazhorancën të bëhet në nivel koalicion, kundër përjashtimeve

Postuar: 16/04/2017 - 08:40

Teksa pritet një tryezë dialogu ndërmjet palëve opozitë-mazhorancë për zgjidhjen e ngërçin politik që është krijuar, aleatët e opozitës kërkojnë me çdo kusht që të përfshihen në dialogun ndërmjet kreut të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Protesta e opozitës është në ditën e 59 të saj ndërsa zgjedhjet e qershorit janë më afër se kurrë. Opozita vazhdon protestën e saj para kryeministrisë duke kërkuar me ngul qeveri teknike dhe largimin e Ramës nga kryeministria. Por cila është kërkesa e aleatëve të opozitës në rast se do të ketë një dialog? Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” aleatët e Bashës si Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Arben Duka kanë dhënë idetë e tyre të qarta. Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi se e rëndësishme është që takimi të ketë një produktivitet dhe të qartësohen kërkesat e opozitës. Ai theksoi se nuk ka rëndësi se kush do të marrë pjesë në takim por e mirë do të ishte që e gjithë opozita të përfaqësohej. “E rëndësishme për ne është produktiviteti i dialogut ndërmjet opozitës edhe mazhorancës. Për sa i përket pyetjes nëse kreu i Partisë Demokratike Basha vendos me Ramën një takim dypalësh? Ne jemi të vendosur në kushtet tona dhe me rëndësi do të ishte një takim me pjesëmarrje të gjerë si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca siç kanë deklaruar edhe aleatët e Partisë Socialiste”, është shprehur kryerepublikani Fatmir Mediu.

Aleatët e Bashës

Të pyetur nga gazeta për sa i përket takimit të mundshëm Rama-Basha aleatët e Partisë Demokratike Agron Duka kreu i Partisë Agrare Ambientaliste dhe Nard Ndoka kreu i Partisë Demokristiane janë shprehur se nuk do e kishin problem që të bëhej një takim dypalësh ndërmjet Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, por me kushtin e vetëm që Basha të mos fliste vetëm për kërkesat e PD por të të gjithë opozitës së bashkuar. “Pa dyshim që në dialog duhet të marrim pjesë edhe ne, sepse kauza e opozitës dhe kërkesat e saj janë të shumta. Dhe takimi duhet të jetë në nivel koalicioni opozitar. Por nëse në vendosim që të na përfaqësojë Lulzim Basha atëherë do të jemi të qartë që ai mos të flasë vetëm në emër të Partisë Demokratike por të parashtrojë të gjitha kërkesat e diskutuara të opozitës së bashkuar”, është shprehur kryedemokristiani Nard Ndoka. ndërsa Agron duka ka qenë i prerë në përgjigjen e tij, ku theksoi se për atë ka rëndësi produkti i dialogut dhe jo kush do të marri pjesë në takim. “ po do të pranoja që takimi të bëhej dypalësh Rama-Basha. Rëndësi për ne ka produkti i dialogut”, është shprehur Agron Duka. Edhe një herë tjetër, opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe rrjedhimisht, nuk do të regjistrohej në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pak ditë më parë në deklaratë të përbashkët Partia Demokratike dhe aleatët vendosën mospjesëmarrjen në zgjedhje. “Koalicioni opozitar i mbledhur konfirmon qëndrimin për mosregjistrimin në KQZ deri në arritjen e një pakti politik për krijimin e qeverisë teknike që do sigurojë zgjedhje të lira, dhe koalicioni opozitar vendosi mbajtjen e një proteste të madhe kombëtare më 7 maj në Kavajë”, bëhet me dije në deklaratën e lëshuar pas mbledhjes së PD me aleatët.

Andi KOROVESHI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/07/2019 - 23:55

Lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, ka reaguar edhe avokati Spartak Ngjela.

Postuar: 19/07/2019 - 23:54

Avokati Spartak Ngjela, duke komentuar zhvillimet e reformës në drejtësi dhe ngritjen e instituci

Postuar: 19/07/2019 - 23:26

Kreu LZHK, Dashamir Shehi e ka konsideruar gjest shtetari vendimin e kryeministrit kosovar Ramush

Postuar: 19/07/2019 - 22:58

Avokati Spartak Ngjela tha se Sali Berisha duhet të ndërrojë lidershipin e Partisë Demokratike pa

Postuar: 19/07/2019 - 22:51

Deputetja e PD-së Rudina Hajdari ka reaguar për miratimet e dy ligjeve në kuvend për Reformën në

Postuar: 19/07/2019 - 22:00

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në sheshin e qytetit

Postuar: 19/07/2019 - 21:50

Kryebashkiakja në ikje e Shkodrës Voltana Ademi thotë se padia e bërë nga Shoqata e Bashkive në G