BREAKING NEWS

Përditësimi zyrtar/ Rritet sërish numri i të prekurve me Covid-19, Ministria zbulon shifrat e 24 orëve të fundit

Përditësimi zyrtar/ Rritet sërish numri i të prekurve me
x

Politike

Antoneta Dhima: Masat e qeverisë po japin efekt, opozita ka si mision vetëm përbaltjen, ja pasojat që do të sjellë në ekonomi Covid-19

Antoneta Dhima: Masat e qeverisë po japin efekt, opozita ka si mision

Paketa financiare, masat drastike të marra nga qeveria shqiptare për parandalimin e koronavirusit, situata në të cilën ndodhet vendi për shkak të Covid-19 dhe situata ekonomiko-sociale kanë qenë disa nga çështjet për të cilat ka folur deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima. Kjo e fundit gjatë një interviste për gazetën “SOT” teksa përgëzoi masat e marra nga qeveria, u shpreh e bindur se ato po japin efekt, ndërsa shtoi se paketat financiare të miratuara nga qeveria shqiptare si për qytetarët ashtu edhe për bizneset ishte e domosdoshme. Duke u ndalur teksa pasoja që do të sjellë në ekonominë shqiptare Covid-19, zonja Dhima, e cila në profesion është ekonomiste, por edhe në cilësinë e anëtares së Komisionit të Ekonomisë, theksoi se kjo pandemi do të sjellë rënie të ekonomisë dhe rritje të numrit të papunëve.

-Zonja Dhima, prej disa javësh vendi ndodhet në karantinë për shkak të koronavirusit. Megjithatë, për të penguar përhapjen e Covid-19, qeveria "Rama" ka marrë një sërë masash drastike. A do sjellin rezultat këto masa?

Situata që ne po përjetojmë dhe jo vetëm ne, po gjithë globi është një situatë e jashtëzakonshme, është një pandemi botërore që kërkon patjetër marrjen e masave të domosdoshme, si për parandalimin ashtu edhe për përhapjen e saj. Qeveria shqiptare në ndryshim me vendet e rajonit dhe me gjerë, ka marrë masa shtrënguese dhe të duhura që në momentet e para të shfaqjes së COVID-19 si në drejtim të izolimin social dhe ashtu edhe në drejtim të distancimit social. Marrja e masave të menjëhershme nga ana e qeverisë për të luftuar këtë virus kaq të rrezikshëm si dhe ndjekja e vazhdueshme e tyre kanë bërë të mundur që pasojat të jenë më të vogla krahasuar me vendet e tjera. Qeveria Shqiptare ka detyrimin ligjorë dhe përgjegjësinë për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës, ndërsa ne kemi detyrimin të respektojmë rregullat dhe masat e mara nga ana e qeverisë sepse vetëm kështu do bëjmë të mundur të shpëtojmë veten, familjen,familjarët tanë dhe gjithë shoqërinë.

-Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë financiare për t'iu ardhur në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Si ju duket kjo paketë dhe ky vendim?

Paketat financiare të miratuara nga qeveria shqiptare si për qytetarët ashtu edhe për bizneset personalisht i vlerësoj dhe i konsideroj si të nevojshme dhe shumë të domosdoshme për situatën. Si në rastin e tërmetit të 26 Nëntorit ku qeveria shqiptare mori një sërë vendimesh të rëndësishme për jetët e humbura dhe familjet e tyre, për shtëpitë e dëmtuara, bonusin e qerasë etj., dhe në rastin e kësaj pandemie me përgjegjshmëri dhe maturi ka marrë vendimet e duhura duke mbështetur një nga sektorët më të rëndësishëm i cili ka dhe përgjegjësinë kryesore në këtë situatë atë të shëndetësisë, bizneset të cilat duhet të ndërpresin përkohësisht aktivitetin e tyre, të punësuarit që duhet të rrinë në shtëpi si rezultat i masave mbrojtëse, familjet në nevojë, familjet në skemën e ndihmës ekonomike, personat me aftësi të kufizuar. Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm se situata që po kalojmë është një situatë e jashtëzakonshme, është situatë lufte me armikun e padukshëm, dhe patjetër që do të ketë kosto për të gjithë, por e rëndësishme për të gjithë ne është dhe mbetet jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Gjatë diskutimit dhe miratimit të akteve normative në komisionin e Ekonomisë dhe Financës në varësi të situatës dhe kushteve që do të krijohen nga ana e qeverisë mund të merren masa të tjera shtesë për përballimin me sukses të situatës. Përballimi i kësaj situate me sa më pak dëme dhe humbje në ekonomi, do ti krijojë mundësinë shtetit, biznesit dhe individit të ringrihet sa më shpejtë dhe personalisht uroj e shpresoj që të të jetë sa më e afërt.

-Ju në profesion jeni ekonomiste. Si anëtare e Komisionit të Ekonomisë, a mendoni se kjo situatë do të ngadalësojë zhvillimin ekonomik të vendit?

Në kushtet kur kjo pandemi ka prekur edhe vendin tonë patjetër që do ketë ndikimet e saj edhe në ekonomi. Nëse do t’i referohemi treguesve të buxhetit për tremujorit të parë të vitit 2020 kemi një mos realizim të të ardhurave në shumën 10 miliardë lekë. Për shkak të mbylljes së aktivitetit të disa sektorëve të ekonomisë dhe të shërbimeve si ndërtimi, turizmi, investimet e ndryshme, eksportet e mallrave do kemi një efekt negativ në zhvillimin ekonomik të vendit. Masat e marra nga ana e qeverisë deri tani me paketën financiare si dhe masat e mara nga Banka e Shqipërisë në drejtim të politikës së vendosjes së interesave, në drejtim të lehtësitë për shlyerjen e kredive, në drejtim të blerjes së borxhit të qeverisë personalisht unë i vlerësoj si masa të marra në kohën e duhur, për një menaxhim sa më të mirë të kësaj pandemie. Në kuadër të planin ekonomiko-social kjo pandemi do të sjellë rënie të ekonomisë, rënie të të ardhurave, rritje të numrit të papunëve, shtim të problemeve sociale. Ne duhet të përgatitemi për të nesërmen, për një vizion të ri të zhvillimit ekonomik, për një sistem të ri sigurie, ku sistemi shëndetësor i konsoliduar si në gjithë botën duhet të jetë pjesë e tij.

-Opozita joparlamentare prej ditësh ka paralajmëruar se vendi do të zhytet në një krizë të rëndë ekonomike nëse kryeministri Edi Rama nuk merr të tjera. Si ju duken këto pretendime?

Opozita joparlamentare e ka mision përbaltjen e punës së qeverisë pasi kjo ka qenë dhe mbetet detyra e saj. Ajo që dua të theksoj është fakti se, menaxhimi i deritanishëm i situatës nga Kryeministri Rama, qeveria shqiptare në të gjitha nivelet e saj dhe qeverisjes vendore ka qenë i menjëhershëm, i plotë dhe shumë bashkëpunues. Në varësi të situatës është detyrim dhe përgjegjësi e qeverisë të rivlerësoj treguesit dhe situatën makroekonomike në vend, të rivlerësojë prioritetet e zhvillimit dhe ndryshimet strukturore, vazhdimësinë e Programit të Rindërtimit, investimet publike, qëndrimin ndaj politikave mbështetëse ndaj biznesit e punësimit dhe të marrë vendimet e duhura në interes dhe në shërbim të vendit .

-Ndonëse situata është e vështirë për shkak të koronavirusit, shumë zyrtar të PD dhe LSI po e shfrytëzojnë këtë kohë për të bërë politikë dhe hedhur akuza në adresë të ekzekutivit. A ju duket normale kjo sjellje?

Në kushtet në të cilat ndodhet vendi ynë mendoj që zyrtarët dhe drejtuesit e PD e LSI nuk duhet ta shfrytëzojnë situatën për të bërë politikë, apo për qëllime elektorale pasi nuk jemi në një situatë normale. Kanë patur kohë të mjaftueshme për të bërë politikë tani është momenti ku nuk duhet humbur kohë me debate apo akuza politike në interes të asnjë partie politike. Në këto ditë karantine kam parë që edhe në Qarkun e Fierit drejtues të PD janë duke përbaltur punën e bërë nga qeveria qendrore dhe vendore në këtë situatë pandemie .Tashmë është momenti kur të gjithë duhet të bëhemi bashkë me një qëllim të vetëm, të fitojmë sa më shpejtë të jetë e mundur luftën ndaj armikut të padukshëm, me sa më pak viktima, me sa më pak kosto dhe t’i kthehemi sa më shpejt normalitetit.

-Ndërkohë, aktivë këto ditë ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po përhap panik tek qytetarët. Si shpjegohet që ky politikan nuk solidarizohet edhe në kësisoj situatash?

 Më vjen shumë keq që zoti Berisha në këto momente të vështira për vendin dëshiron të bëj politikë dhe aq më keq të përhap panik. Është momenti që të gjithë së bashku të japim kontributin tonë në përballimin kësaj situate dhe jo ta përdorim politikisht këtë situatë. Çdo ditë, çdo orë nuk duhet të lodhemi, nuk duhet të mërzitemi nga këshillimi për të zbatuar masat e mara nga qeveria dhe penalizimi i kujtdo që tregohet mospërfillës ndaj tyre.

-Përtej kësaj, ju patët edhe një eksperiencë familjare, pasi djali juaj rezultoi pozitiv nga Covid-19, ku dhe iu desh të shtrohej në spital për të luftuar koronavirusin. Djali juaj fatmirësisht është mirë dhe ka lënë spitalin, duke e mundur virusin. Mund të na thoni si e përjetuat ju këtë situatë dhe si e kuptuat që djali juaj ishte prekur nga Covid-19?

Ishte thjeshtë një ëndërr e keqe. Megjithatë, jam e lumtur dhe e gëzuar që biri im e mposhti armikun e padukshëm, atë armik me të cilin shumë të tjerë po vijojnë betejën. Falenderimet e mia dhe të familjes time shkojnë për të gjitha bluzat e bardha, mjekët, infermierët, epidemiologët, imazheristët, laborantët dhe stafet mbështetëse, në Fier, Tiranë e kudo, pasi janë ata që po luftojnë në frontin e parë të kësaj lufte globale, një luftë që me këmbëngulje e forcë, ne do ta fitojmë. Qofshin të bekur të gjithë punonjësit e mjekësisë,të cilët mjekësinë nuk e kanë thjesht një profesion, por një mision që i vendos përditë përballë sfidave, edhe të panjohura. Mirënjohje dhe respekt pa fund për bluzat e bardha.

 -Si nënë, bashkëshorte, vajzë, politikane dhe qytetare keni një mesazh sensibilizues për qytetarët?

 Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen se për të kaluar me sukses situatën shëndetësore si dhe për të patur një ekonomi të shëndetshme duhet të bëhemi të gjithë bashkë, të japim kontributin tonë dhe të respektojmë rregullat e përcaktuara nga qeveria, pasi kjo luftë nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë. Duhet të ruajmë qetësinë, të kujdesemi për vete, për familjen, për prindërit, për të afërmit, për gjyshërit, të komunikojmë me miqtë, të lexojmë, të gatuajmë, të shikojmë filma, të japim më shumë dashuri për njëri-tjetrin. Është momenti dhe koha që duhet të mendojmë ndryshe jo vetëm për vete por edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Bashkë me KURAJO dhe BESIM do ia dalim!

-Pavarësisht situatë së vështirë që po kalon vendi, një lajm i gëzueshëm erdhi nga Brukseli, i cili vendosi që të hapë negociatat e Shqipërisë me BE. Keni një koment?

 Shqipëria e ka merituar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian prej kohësh pasi ka realizuar një sërë reformash të rëndësishme në veçanti reformën në drejtësi. Tashmë është përgjegjësi e qeverisë dhe e jona vijimi i reformave, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe zhvillimi i vendit, pavarësisht se lajmi erdhi në një kohë kur vendi është përfshirë në një pandemi. Mesazhi e qytetarëve shqiptarë është dëgjuar në BE dhe nga shtetet anëtare, të cilat kanë treguar solidaritetin e tyre në Konferencën e Donatorëve në Bruksel muajin e shkurt. Bashkimi Europian do të vazhdojë të qëndrojë pranë nesh si gjithmonë, me mbështetjen politike, financiare dhe teknike, për t’i ndihmuar shqiptarët të përmbushin ëndrrën e tyre për t’u bërë qytetarë të BE-së. Ndihma e Bashkimin Europian me 50 milion euro për përballimin e situatës së Pandemisë COVID-19 tregon edhe njëherë mbështetjen dhe besimin ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama.

Intervistoi: Rigels Seliman

Më të lexuarat