BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Politike

Antoneta Dhima: Prej kohësh Meta është rreshtuar krah LSI dhe Berishës, çdo ditë paralajmërojnë humbjen, PS fitore spektakolare në 25 prill

Antoneta Dhima: Prej kohësh Meta është rreshtuar krah LSI dhe

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, njëherësh ligjvënëse e kësaj partie, Antoneta Dhima ka paralajmëruar dje fitore spektakolare të PS në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Dhima, e cila mban numrin 6 në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e dytë më të madh të vendit, u ndal tek ecuria e fushatës zgjedhore dhe pritshmëritë që ka PS në këto zgjedhje, duke theksuar se fitorja do të nisë nga Fieri, qark ky që sipas saj, do të prodhojë 11 mandate deputetësh në 25 prill. Sa u takon deklaratave të presidentit Ilir Meta me prerje duarsh dhe gishtërinjsh, deputetja Dhima deklaroi se prej kohësh presidenti Ilir Meta është pozicionuar në krahun e opozitës për të mos thënë se ai nuk është larguar asnjëherë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Nga ana tjetër, anëtarja e Komisionit të Ekonomisë, komentoi edhe ecurinë e reformës në drejtësi, për të cilën shtoi se ka hyrë në shina dhe është një histori suksesi. Ndërkohë, deputetja Dhima iu përgjigj edhe pyetjes për hapjen e dosjeve të bujshme, ndërsa theksoi se ligjet në fuqi lejojnë hapjen dhe rikthimin për shqyrtim të dosjeve, të cilat kanë patur pasoja të rënda, si në rastin e “21 janarit” ku janë vrarë 4 protestues të pafajshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

-Zonja Dhima, ndërsa na ndajnë rreth 17 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, partitë politike kanë ndezur zyrtarisht motorët e fushatës zgjedhore. Si paraqitet situata brenda PS dhe a ua kanë vështirësuar disi punën masat e marra në kuadër të parandalimit të Covid-19 për të shpalosur alternativën para qytetarëve?

Partitë politike prej disa ditësh kanë ndezur motorët për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Partia Socialiste vijon fushatën elektorale duke respektuar masat e reja anti-covid 19 të miratuara nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për situatën e pandemisë. Fushata e zgjedhjeve parlamentare si rrallë herë është një fushatë atipike me takime me grupe të vogla dhe jo ato takimet dhe mitingjet tradicionale siç jemi mësuar t’i shohim në fushatat e mëparshme. Partia Socialiste e Shqipërisë në këto 8 vite qeverisje nuk e ka ndërprerë asnjëherë komunikimin dhe bashkëbisedimin me njerëzit si dhe adresimin për zgjidhje të problemeve dhe shqetësimeve që ata kanë nëpërmjet institucioneve dhe mekanizmave përkatës. Janë këto disa nga arsyet pse ne u kërkojmë qytetarëve mandatin e tretë qeverisës. Puna ka qenë dhe mbetet fjala jonë.

 -Dakord! Por në zgjedhje ju po shkoni me objektivin kryesor që të merrni një mandat të tretë qeverisës. Kështu që pyetja ime e drejtpërdrejtë është se përse qytetarët shqiptarë duhet t'i besojnë votën PS, e madje një mandat të tretë qeverisës në 25 prill?

Qytetarët shqiptare duhet të votojnë Partinë Socialiste për një mandat të tretë për të përfunduar procesin e rindërtimit, duke akomoduar të gjithë gjyshërit, prindërit dhe fëmijët në shtëpitë dhe në lagjet e reja, për të fituar luftën me Covid-19 dhe për të kryer vaksinimin e plotë të popullatës, duke kapërcyer një mal me vështirësi, për të përmbyllur reformimin e shëndetësisë, ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve e riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje dhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve, për të forcuar progresivitetin e taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, për të rritur më tej pagën minimale dhe pagat e arsimit, shëndetësisë dhe administratës publike në tërësi, si dhe në kushtet kur bazat e ekonomisë janë forcuar duhet të punojmë fort për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën portuale e aeroportuale, hekurudhore, e cila tashmë nuk është më një ëndërr po një betejë e nisur dhe që duhet të vazhdojë.

 - Sa i arritshëm është kufiri maksimal i vendosur nga kryeministri Edi Rama për 10 mandate në Fier?

Objektivi minimal në Qarkun e Fierit është 10 deputetë dhe maksimal është 11 deputetë. Qarku i Fierit është një nga qarqet, i cili në këto 8 vite qeverisje e ka ndjerë dorën dhe mbështetjen e qeverisë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, arsimore, shëndetësore, sociale, bujqësore etj. Për mbështetjen si dhe kujdesin e vazhdueshëm të treguar nga ana e qeverisë shqiptare si dhe kryeministrit Rama edhe për ndërtimin e Spitalit Memorial në Fier qytetarët e Qarkut Fier do votojnë e maksimizojnë Partinë Socialiste në 25 prill.

-Ish-kryeministri Sali Berisha dhe zyrtarë të LSI kanë paralajmëruar se opozita duhet të përgatitet për protesta të fuqishme nëse humbet zgjedhjet e 25 prillit. Si ju duken këto deklarata?

 Me deklaratat e saj opozita ka paralajmëruar humbjen e radhës në zgjedhjet e 25 prillit. Partia Socialiste e Shqipërisë është futur në lojë me një skuadër, e cila ka në përbërje të saj sulmues, mesfushorë dhe mbrojtës, të cilët kanë punuar, po punojnë dhe do vijojë të punojnë me njerëzit dhe për njerëzit për një mandat të tretë qeverisës.

-Nga ana tjetër edhe presidenti Ilir Metë ka treguar hapur se është në krah të opozitës për rrëzimin e qeverisë. Si i komentoni qëndrimet e presidentit dhe shfaqjet e fundit të tij, ku teksa ndodhej tek zyrat e FRD, u përplas fizikisht me policët bashkiakë, ndërkohë që ka kërcënuar me prerje duarsh dhe gishtash për këdo që prek votat në 25 prill?

Prej kohësh presidenti Ilir Meta është pozicionuar në krahun e opozitës për mos të thënë se ai nuk është larguar asnjëherë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe nga ish-kryeministri Sali Berisha. Sjellja që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Ilir Meta ka bërë sidomos kohët e fundit në opinionin tim ka ardhur për shkak të reformës në drejtësi dhe prej kohësh ai dhe kushdo tjetër që është në krahun dhe mbështetjen e tij ka kuptuar që reforma në drejtësi po ecën në rrugën e duhur. Reforma në drejtësi ka filluar të japë disa shenja domethënëse që janë të qarta për të tensionuar çdokënd që ka abuzuar me ligjin dhe me pushtetin.

 -Le përqendrohemi pak rek reforma në drejtësi. Si ju duket ecuria e saj?

Reforma në drejtësi ka filluar të japë efektet e veta. Reforma në drejtësi nuk ka qenë dhe nuk është vullnet thjesht i shumicës qeverisëse, por është vullnet i plotë i garantëve të kësaj reforme, të cilët janë miqtë dhe partnerët tanë europianë si dhe ata amerikanë. Nuk ka nen të reformës që kalon pa u diskutuar dhe pa u miratuar paraprakisht dhe bashkërisht.

- Duke qenë se reforma në drejtësi ka hyrë në shina dhe SPAK e BKH janë ngritur, a ka ardhur koha që të hapen dosjet e bujshme si “21 Janari”, etj?

Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit janë dy institucione të rëndësishme të krijuara nga zbatimi i reformës në drejtësi dhe që kanë një mbështetje maksimale nga mazhoranca qeverisëse si dhe nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Edhe në intervista të tjera më parë tek gazeta “SOT” kam theksuar se, krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë do të bëjë të mundur hapjen e dosjeve të mbyllura më parë dhe vënien para përgjegjësisë të gjithë personave të cilët kanë përgjegjësi jo vetëm për ngjarjen e “21 Janarit”, por për të gjitha dosjet e bujshme të korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Ligjet në fuqi lejojnë hapjen dhe rikthimin për shqyrtim të dosjeve të cilat kanë patur pasoja të rënda, si në rastin e 21 janarit ku janë vrarë 4 protestues të pafajshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Personalisht mendoj se ka ardhur koha dhe njëkohësisht edhe momenti që këto dosje të dalin nga sirtarët ku flenë dhe i ka zënë pluhuri i harresës të rihetohen nga Prokuroria e Posaçme dhe personat përgjegjës të dalin e të marrin ndëshkimin e merituar sipas ligjit.

Më të lexuarat