BREAKING NEWS

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të reja me koronavirus janë shënuar 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë publikon shifrat, ja sa raste të
x

Politike

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj: Paraja kriminale synon përherë e më shumë pushtet ekonomik dhe politik

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj: Paraja kriminale synon përherë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka komentuar projektligjin e hartuar nga qeveria shqiptare “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive”, i cili së shpejti do të shkojë në Kuvend për miratim. Ku projektligj ka afat një vjeçar dhe mundëson amnistinë fiskale dhe penale për ata që e deklarojnë vullnetarisht pasuritë e tyre. Por gjatë një interviste për gazetën “SOT”, profesori i ekonomisë zoti Malaj theksoi se amnistia fiskale do të sjellë më shumë humbje se sa përfitime, si për buxhetin e shtetit ashtu edhe për qytetarët. Ish-ministri i Financave shpjegon se efektet e nismave të tilla janë afatshkurtra dhe rreziqet që i shoqërojnë janë serioze për ekonominë, ndërsa e quan absurde që në kulimin e pandemisë së Covid-19 qeveria ka në fokus monedhën dixhitale dhe amnistinë fiskale. Sipas tij, paraja kriminale synon përherë e më shumë pushtet ekonomik dhe politik.

 -Profesor Malaj, qeveria ka publikuar ligjin për amnistinë fiskale, si e shihni nismën në fjalë?

 Përballë fokusit dhe përgjegjësisë që kërkon menaxhimi i pandemisë, ku numri i viktimave po rritet dhe kur për shkak të dështimit të menaxhimit të saj na janë mbyllur dyert e shumë vendeve/tregjeve dhe po na pengohet ristartimi i turizmit e ekonomisë, përballë ndalimit të përkeqësimit të ekonomisë dhe vështirësitë e rritura për ringritjen e ekonomisë shqiptare sepse vetë qeveria me aktin normativ të ndryshimit të buxhetit 2020 parashikon ulje 10% të PBBsë, iniciativa të tilla ligjore si monedhat digjitale BITCOIN dhe amnistia fiskale tregojnë minimalisht se Rama ka humbur përgjegjësinë e fokusit të qeverisjes së vendit bazuar në prioritetet e tij dhe maksimalisht ka simptoma të qarta për korrupsion kanceroz dhe kapjen e shtetit, pasi prioriteti i ligjeve dhe angazhimeve nuk po përcaktohet nga prioriteti i vendit, por nga prioriteti i përfituesve abuzivë.

-A është ky ligj një strategji që politika të justifikojë pasuritë korruptive gjatë gjithë këtyre viteve?

Zakonisht amnistitë fiskale i promovojnë dhe aplikojnë politikanë të dështuar dhe qeveri të dobëta në momentet më të vështira të dështimeve të tyre. Në vendet ku qeveria dështon të funksionojë në bazë të respektimit të shtetit ligjor, kur korrupsioni bëhet masiv dhe kapja e shtetit vrastare, në vendet ku të gjitha indekset ndërkombëtare ngrenë alarmin për trendet përkeqësuese të lirisë ekonomike, të besimit dhe ambientit të biznesit dhe të qeverisjes së vendit në tërësi, çdo iniciativë ligjore sado e mirë të duket në sipërfaqe, është e dështuar në thelbin e saj.

-Pse FMN dhe organizatat e tjera e kundërshtojë këtë nismë?

Amnistitë fiskale kanë efekte buxhetore simbolike në rritjen e të ardhurave gati 5-10 % të shumave të pretenduara, por ato japin efekte negative afatgjata në administrimin e tatimeve, por edhe të shtetit në tërësi. Efekti më i madh negativ dhe më afatgjatë është dëmtimi në moralitetin e taksave që nënkupton rënien e vullnetshmërisë së pagimit të taksave nga taksapaguesit. Amnistitë penalizojnë padrejtësisht taksapaguesit e ndershëm dhe favorizohen abuzuesit, ata që nuk paguajnë taksat. Efekti i dytë negativ është se pas eksperiencës së parë të amnistive rriten presionet për amnisti të tjera. Sot diferenca e fitoreve politike është shumë e ngushtë, prandaj grupe të ndryshme interesi për pastrim parash rrisin presionet mbi mazhorancat e reja, që të ndjekin rrugën e vjetër të amnistive. Pra nga një përjashtim amnistitë kthehen në një rregull, i cili dëmton vullnetshmërinë e pagimit të taksave, dëmton të ardhurat buxhetore, por edhe qeverisjen e vendit në tërësi. Periudha midis një amnistie të re, pas asaj pasardhës mund të jetë disa vjeçare. Gjatë gjithë kësaj periudhe deri edhe 10 apo 20 vjeçare gjithmonë mbetet risku për efektet negative të amnistive fiskale, sepse kjo është një periudhë, ku taksapaguesit do të ulin vullnetshmërinë e pagimit të taksave, ç’ka dëmton stabilitetin e financave publike dhe për shkak të rritjes së borxheve dëmton edhe cilësinë e rritjes ekonomike, pasi rritjet me borxhe janë rritje ekonomike varfëruese, ku më shumë goditen shtresat sociale me të ardhura më të ulta.

-Çfarë dëmesh apo elementë pozitivë mund të sjellë ligji në ekonomi?

Përfitimet dhe dëmet teorike dihen nga studimet e thelluara të historisë së amnistive fiskale. Ndërkohë n.q.s pyetja juaj është pikërisht për këtë amnisti, përfitimet mund të jenë simbolike dhe jo të përhershme, ndërsa efektet negative nqs miratohet do të jenë të thella dhe afatgjata. Prandaj duhet të mos votohet kjo amnisti. Rama nuk mund të këtë sjellje fodulle dhe arrogante me FMN, me institucionet financiare ndërkombëtare me komunitetet e biznesit dhe as me disa studiues dhe gazetarë shqiptarë që janë kritike për këtë politikë spontane. Përvoja negative e skemave piramidale, ku qeveria e PD-së ngriu bashkëpunimin me FMN dhe BB, pasojat e rënda që prodhoi ndërprerja e bashkëpunimit e dëmtuan aq rëndë Shqipërinë se vendi u përfshi në një konflikt civil, pasojat e të cilit dhembin edhe sot. Shqipërinë nuk do ta ndihmojnë në krizë paratë informale dhe kriminale. Historia disa qindra vjeçare e zhvillimit ekonomik ka treguar se asnjë individ, asnjë biznes dhe asnjë vend nuk është zhvilluar mbështetur në burime kriminale. Aktivitetet dhe paratë kriminale nuk janë burimeve zhvillimi, por janë një mallkim, sepse ato nuk amnistohen “falas” dhe as për patriotizëm, por synojnë degët dhe aktivitetet e partneriteteve publike private preferenciale dhe tenderat publik me fitim-prurës në ekonomi. Paraja kriminale kërkon pushtet ekonomik dhe politik kriminal. Ai zgjerohet vetëm duke blerë pushtetin politik. Shqipëria po vuan akoma kriminalizimin që Rama i bëri politikës shqiptare me dhënien pushtet politik në Kuvend dhe bashki individëve me CV kriminale. Ndërgjegjësimi ynë për risqet e parasë kriminale duhet të jetë maksimal, paraja kriminale nuk na vret ballë për ballë, por na vret përditë e më shumë kur ajo rrit influencën e saj në politikë.

Më të lexuarat