Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për Sali Berishën, Prokuroria kërkon thirrjen e dëshmitarëve përfshirë ish-kryeministrin, Ylli Rakipin...

Fillon procesi gjyqësor ndaj Izet Haxhisë, nisin telashet për
x

Politike

Artur Kuko: Vizita e kancelares Merkel në Tiranë, mesazh për Athinën

Artur Kuko: Vizita e kancelares Merkel në Tiranë, mesazh për
Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko, ka deklaruar se vizita e kancelares Angela Merkel në Tiranë është një mesazh edhe për Greqinë. Diplomati shqiptar në Berlin, në një intervistë telefonike për Top-Channel shprehet se zhvillimet më të fundit në Greqi, me referendumin dhe ato që e pasuan atë, nuk do ketë asnjë ndikim në vizitën e gruas së hekurt të Europës në rajonin tonë.
 
“Fakti që kancelarja e ruajti programin e saj të vizitës në rajon përkundrejt zhvillimeve në Greqi flet vetë dhe besoj se nuk ka nevojë për komente të mëtejshme”, thekson Kuko.
 
Ambasadori Kuko mendon se nuk kemi një interes të shtuar të kohëve të fundit nga Gjermania për rajonin. Ai i shikon qëndrimet e Gjermanisë, përfshirë këtë vizitë të Merkel në rajon, si vijimin e politikës dhe prezencës gjermane në Ballkanin Perëndimor.
 
“Nuk do të thosha që është një interesim i shtuar. Unë do ta quaja një interesim të natyrshëm. Gjermania ka patur tradicionalisht një vështrim që e konsideronte Ballkanin Perëndimor si një rajon me interes, si pjesë të Europës dhe natyrisht me interes të Gjermanisë. Për këtë arsye unë do t’ju përmendja praninë e Gjermanisë në operacionet paqeruajtëse, siç ka qenë ai i ESFOR-it në Bosnje, KFOR-it në Kosovë, përfshirë praninë ekonomike të Gjermanisë me ndihma të jashtëzakonshme. Vetëm në rastin e Shqipërisë, gjatë 25 viteve të fundit kontributi gjerman i kalon 1 miliard eurot. Pra është një zhvillim i natyrshëm i politikës gjermane ndaj rajonit. Natyrisht që në këtë prizëm duhen parë edhe zhvillimet rreth e përqark rajonit, siç është kriza për aneksimin e Krimesë, apo rritja e ekstremizmit në vendet e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme”, nënvizon Kuko.
 
Vizita e kancelares Angela Merkel në Tiranë merr një rëndësi të posaçme pasi e risjell edhe njëherë tjetër Shqipërinë në vëmendjen e Europës. “Kjo është vizita e parë e një kancelareje gjermane në Shqipëri pas asaj të kancelarit Schroeder në 1999 dhe në këtë prizëm mund të konsiderohet si një vizitë historike. Është një vizitë që e sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes së opinionit europian, pavarësisht zhvillimeve të tjera që kanë marrë dhe do të vijojnë të marrin vëmendje për zhvillimet jashtë Shqipërisë. Është një vizitë që tregon vëmendjen që i kushton Gjermania Federale jo vetëm Shqipërisë, por edhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”, deklaron Kuko.