Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Avancon vetingu, konfirmohen në detyrë Artur Kalaja dhe Daniela Shirka, kreu i Gjykatës Kukës të martën para KPK

Postuar: 09/11/2019 - 08:13

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi dje në detyrë gjyqtarin e Apelit të Tiranës Artur Kalaja dhe gjyqtaren e Krimeve të Rënda, Daniela Shirka. Gjykuar nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Firdes Shuli, gjyqtari Kalaja u hetua për kriterin e pasurisë si fillim, por ai kërkoi riçeljen e hetimeve për kriterin e figurës dhe profesionalizmin, kërkesë e cila u pranua. Në seancën dëgjimore të zhvilluar të mërkurën e 6 nëntorit, Komisioni ngriti dyshime për trajtim preferencial të bashkëshortes së gjyqtarit, e cila kishte përfituar tre prona të patundshme mbi një truall të trashëguar nga familja. Dyshime u ngritën edhe për “trajtim preferencial” të babait të subjektit të rivlerësimit. Bëhet fjalë për përfitimin e vlerës 24 milionë lekë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në vitin 2015, gjatë një procesi gjyqësor. Lidhur me këtë konstatim, gjyqtari Kalaja ka deklaruar në ILDKPKI se kishte përfaqësuar babanë e tij me prokurë, por nuk zotëronte asnjë pjesë nga paratë e përfituara. Komisioni gjatë hetimit kishte konstatuar se gjyqtari i Apelit, nuk kishte arritur të dokumentonte pagesën e detyrimeve tatimore për vlerën 6.2 milionë lekë të përfituara nga shitja e një apartamenti si dhe u evidentuan disa pasaktësi dhe mosdeklarime ndër vite. Ky konstatim u kundërshtua nga subjekti i rivlerësimit, i cili deklaroi se kishte burime të ligjshme për pasurinë e tij. Gjatë fjalisë së tij, gjyqtari i Apelit tha se i mbulon të gjitha shpenzimet. Argumentet e gjyqtarit kanë bindur në fund KPK.

Konfirmohet gjyqtarja Shirka

Provat dhe shpjegimet lidhur me problemet që u konstatuan në pasuri nga Komisioni, e shpëtuan gjyqtaren nga shkarkimi. Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Roland Ilia relator dhe Genta Tafa anëtare, konfirmuan dje në detyrë Daniela Shirkën. Kjo e fundit u hetua për të tre kriteret e rivlerësimit. Në seancën dëgjimore të 7 nëntorit, Komisioni konstatoi mungesë burimesh në blerjen e një apartamenti në vitin 2012. Gjithashtu, u ngritën pikëpyetje mbi mundësinë financiare të një huadhënësi, që kishte kontribuar me 2 milionë lekë në blerjen e apartamentit. Lidhur me këto konstatime, Shirka ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka marrë një hua 2 milionë lekë në vitin 2012 nga shtetasi B.L dhe se e ka shlyer dy vite më pas, me burim financiar të deklaruar pagat e saj e të bashkëshortit dhe të ardhura të përfituara nga shpronësimi i një sipërfaqeje toke. Për këtë, Komisioni nuk arriti të provojë mundësinë financiare të huadhënësit. Lidhur me këtë konstatim, gjyqtarja tha se huadhënësi ka qenë i regjistruar si biznes i vogël dhe se ka pasur fitim të thjeshtuar, ndërsa shton se huadhënësi ka pasur xhiro të mjaftueshme që tregon se ka pasur burime financiare. Në kriterin e profesionalizmit, KLGJ ka dorëzuar një raport pozitiv. Për dy denoncime në emër të Shirkës, kanë rezultuar pa indicie për të çelur ndonjë hetim. Ndërsa të martën e 12 nëntorit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të zhvillojë seancë dëgjimore për kryetarin e Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu. Subjekti i rivlerësimit do të gjykohet nga Suela Zhegu, Xhensila Pine, Brunilda Bekteshi. 

Ornela ÇELPICA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 17:08

Zbardhet projekt-rezoluta që do të diskutohet nesër në Kuvend në lidhje me propozimin e presidenti Ilir Meta për zgjedhjen si anëtare të Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari.

Postuar: 14/11/2019 - 17:00

Kandidati për Komisioner i Fqinjësisë së mirë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi, shpalosi planet e t

Postuar: 14/11/2019 - 16:43

Deputeti Lefter Maliqi u shpreh se votimi i dy emrave të Kushtetueses ishte një marrëveshje mes m

Postuar: 14/11/2019 - 16:40

Marsida Xhaferllari, e dekretuar si gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese, ka reaguar pas vendimit të

Postuar: 14/11/2019 - 16:25

Ish deputeti i PD-së, Tritan Shehu ka reaguar pas betimit të anëtares së re Gjykatës Kushtetuese

Postuar: 14/11/2019 - 16:22

Deputeti Lefter Maliqi tha se zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje që i duhet Shqipër

Postuar: 14/11/2019 - 16:10

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi prej disa ditësh ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku