Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

BE i përgjigjet ashpër Metës: Puna e Euralius për t’u lavdëruar, shpresojmë të mos bllokosh anëtarët e Kushtetueses

Postuar: 23/05/2019 - 07:49

Bashkimi Europian ka reaguar dje ashpër, pas akuzave të Presidentit Ilir Meta në adresë të reformës në drejtësi dhe misionit Euralius. Ky mision financohet nga BE dhe për këtë arsye ditën e djeshme ka reaguar zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, e drejtuar nga ambasadori Luigji Soreca. Përmes një statusi të publikuar në faqen zyrtare, BE flet me superlativa për Euralius, ndërsa vë në dukje faktin se puna e këtij misioni nuk meriton kritika, por lavdërime. Dhe për të argumentuar qëndrimin e saj, zyra e drejtuar nga Soreca shprehet se Euralius jo vetëm që ka punuar shumë për reformat në Shqipëri, por në këtë pikë ka pasur edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që, sipas BE-së, kritika e presidentit Meta ndaj Euralius janë absurde. “Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë Euralius. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i Euralius-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara agjendën e reformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese”, thuhet në reagimin e BE-së.

Reforma në drejtësi është në rrugën e duhur

Bashkimi Europian vijon më tej në reagimin e tij, duke theksuar se reforma në drejtësi është në rrugën e duhur, ndërsa i kërkon Presidentit Ilir Meta që të mos vonojë përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas ligjit, Pasi Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të bëjë renditjen e kandidatëve, presidenti ka të drejtë të zgjedhë 1 prej anëtarëve në 3 raste. Pra, kreu i shtetit zgjedh 3 nga 9 anëtarët e Kushtetuese. Kështu që, BE-ja i kërkon që të mos zvarrisë procesin. “Reforma në drejtësi po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës. Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur”, thuhet në reagimin e BE-së.

Reforma dhe integrimi, prioritet i politikanëve

Bashkimi Europian ka një apel edhe për politikanët shqiptarë. Në reagimin e saj, zyra e drejtuar nga ambasadori Luigji Soreca thekson se reforma në drejtësi dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar. “Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. Bashkimi Europian do tavazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të”, thuhet në reagimin zyrës së delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë.

Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/06/2019 - 07:11

 Ish-deputetët e Patisë Demokratike vazhdojnë të qëndrojnë përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e Bardh Spahisë.

Postuar: 19/06/2019 - 23:57

Kryeministri Edi Rama i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Përballë’ ka komentuar p

Postuar: 19/06/2019 - 23:52

Aktivisti i njohur Endri Shabani është përballur ditën e djeshme në emision me ish-kryeministrin

Postuar: 19/06/2019 - 23:47

Taulant Balla ka deklaruar në emisionin Open se audio-përgjimet janë përgatitur në landmarkun e k

Postuar: 19/06/2019 - 23:30

Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni, i përgjigjet deputetit socialist Taulant Balla

Postuar: 19/06/2019 - 23:13

Kryeministri, Edi Rama ka komentuar trazirat që po ndodhin në ambientet e KZAZ-ve duke u shprehur

Postuar: 19/06/2019 - 23:00

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, reagoi pas publikimeve të përgjimeve të reja nga gazeta gjermane