BREAKING NEWS

Çfarë po ndodh? Zjarr i madh në Vlorë, zjarrfikësit shkojnë menjëherë në vendngjarje

Çfarë po ndodh? Zjarr i madh në Vlorë, zjarrfikësit
x

Politike

Beteja për Shkodrën, këshilli bashkiak e kalon stafetën në KQZ, qeveria i bllokon fondet Voltana Ademit

Beteja për Shkodrën, këshilli bashkiak e kalon stafetën

Bashkia e Shkodrës ka vënë përballë një sfide shumë institucione për të zgjidhur ngërçin e krijuar aty. Kandidati socialist Valdrin Pjetri u dorëhoq para disa ditësh pas publikimeve të dokumenteve nga ana e Partisë Demokratike që tregonin se ai ishte i dënuar në Itali e se nuk e kishte deklaruar një gjë të tillë. Por tërheqja e tij krijoi një situatë të paprecedentë në Bashkinë e Shkodrës, për të cilën asnjë jurist a ekspert i fushës nuk jep dot një përgjigje të saktë sesi mund të dilet nga ajo. Largimi i Pjetrit ka futur në dilemë edhe Partinë Socialiste sesi të veprojë. Fillimisht u përfol se socialistët do të drejtojnë Bashkinë e Shkodrës me nënkryetar deri në momentin që të zgjidhet një kryetar tjetër, por edhe kjo skemë duket e vështirë sepse nuk ka një përcaktim specifik në ligj. Tani pritet të hyjë në lojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këshilli i ri Bashkiak i Shkodrës i ka varur shpresat tek KQZ për zgjidhjen e ngërçit. Dy ditë më parë, kryetarja e re e këshillit, Briseda Kadiu deklaroi se do t’i drejtohen me një kërkesë KQZ për interpretim juridik sesi do të zgjidhet kjo situatë. Një kërkesë e tillë ende nuk ka mbërritur në KQZ. Por perfekti i Shkodrës, Cesk Millja tha për mediat dje se në ditët në vijim pritet të mblidhet këshilli bashkiak i cili do t’i drejtohet me një kërkesë KQZ dhe Këshillit të Ministrave. Ekspertë të çështjeve zgjedhore pohojnë se nëse Valdrin Pjetri paraditen e të hënës do të ishte betuar si kryetar i Bashkisë Shkodër e më pas kryeministri menjëherë do ta shkarkonte, atëherë situata do të ishte më pak e komplikuar.

KQZ dhe roli i saj

Strategjia më e mundshme për t’u aplikuar për t’i dhënë zgjidhje situatës është që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mblidhet këto ditë për të marrë në shqyrtim kërkesën e këshillit bashkiak. Pasi të njihet me kërkesën, pritet që KQZ të shpallë vakancën. Brenda 48 orëve nga shpallja e vakancës në lojë hyn presidenti, i cili sipas ligjit, duhet të përcaktojë një datë të re zgjedhjesh dhe më pas brenda 45 ditëve shpallet data e kryhet procesi i votimit për Shkodrën. Por në këtë pikë sërish del një problem. Duke qenë se Ilir Meta nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, gjasat janë që ai të mos shpallë datë të re zgjedhjesh vetëm për Shkodrën sepse sipas tij, përpara është 13 tetori, kur njerëzit mund të votojnë e të zgjedhin. Nga ana tjetër, është edhe alternativa që socialistët t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor, por edhe kjo shihet me dyshim nga Partia Socialiste sepse nuk është e bindur se vendimin e Kolegjit do ta zbatojë presidenti, duke qenë se ky i fundit ka deklaruar se për vendimet e tij mund të shprehet vetëm Gjykata Kushtetuese.

Bllokohen fondet për Ademin

Teksa zgjidhja për krizën nuk është gjetur, qeveria ka vendosur t’i bllokojë fondet Voltana Ademit. Ishte kryetarja në ikje e Bashkisë së Shkodrës ajo e cila e bëri të ditur një gjë të tillë, duke iu drejtuar me një letër Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë lidhur me funksionimin e kësaj bashkie. Në letër Ademi i bën me dije kësaj ministrie se po pengohen punimet në shumë sektorë të rëndësishëm për shkak se Dega e Thesarit Shkodër nuk pranon të kryejë veprimet përkatëse për likuidimin e faturave. “Sot ka ndodhur një ngjarje e paprecedent në historinë e administrimit të vetëqeverisjes vendore. Ditën e sotme, Dega e Thesarit në Shkodër nuk ka pranuar të kryejë veprimet përkatëse për likuidimin e faturave për shërbimet e Bashkisë Shkodër. Po ashtu, kjo degë nuk ka pranuar as ato procedura për të cilat është autorizuar zv/kryetarja e Bashkisë Shkodër. Me këto veprime të jashtëligjshme nuk po bllokoni kryetaren e Bashkisë Shkodër, por qytetarët dhe shërbimet ndaj tyre”, thuhet në letrën e Ademit. Ky vendim i qeverisë për t’i bllokuar fondet vjen fiks në ditën kur Ademit i mbaron mandati si kryetare e Bashkisë së Shkodrës. Pra, në një farë mënyre tregohet se qeveria e ka të vendosur që Voltana Ademi nuk mund të vijojë në krye të bashkisë, pavarësisht krizës.

Mimoza IBRA