Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bie dekreti për lojërat e fatit, qeveria akuza të forta presidentit, nga 1 janari kazinotë do të largohen nga qytetet

Postuar: 11/09/2018 - 08:19

Qeveria rrëzoi ditën e djeshme dekretin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për “Tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”. Pak ditë më parë, kreu i shtetit sfidoi hapur qeverinë duke kthyer për rishqyrtim ligjin për tatimin e lojërave të fatit, duke argumentuar se këto subjekte favorizohen. Ky dekret u diskutua dje në Komisionin e Ekonomisë, ku i pranishëm ishte edhe vetë ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj e ku nuk munguan as akuzat ndaj Metës. Sipas Ahmetajt, pretendimet e Presidentit për lehtësim të barrës fiskale për lojërat e fatit nuk qëndrojnë, sepse sipas tij, qeveria për këto subjekte i ka rritur taksat dhe nuk i ka ulur. Madje, ai akuzoi Metën se kur ka vendosur për të kthyer për rishqyrtim ligjin e ndryshuar, mund të jetë konsultuar edhe me ndonjë politikan. “Unë besoj se ata që e kanë këshilluar Presidentin, e kanë këshilluar gabim. Qoftë ky këshilltar teknik, politikan apo kushdo qoftë e ka këshilluar gabim. Është bërë trend që të gjithë të gjykojnë për çdo gjë dhe lojërat e fatit janë një sektor sensitiv dhe çdokush gjen mundësinë për të ndarë emocionet e veta të ngjyrosura. Lotaritë kombëtare deri para vitit 2013 taksoheshin ndryshe, taksoheshin me 10% në kohën e Saliut. Ndërsa ne thjesht do t’i bëjmë me standarde të njëjta, pra të gjitha kategoritë e lojërave të fatit do të takohen me 15%. Fjalët se ne po e ulim barrën fiskale janë gënjeshtër për tu fshehur pas gishtit të atyre që e bënë këtë propagandë”, tha Arben Ahmetaj. Sipas tij, gjatë kohës së Sali Berishës lulëzuan lojërat e fatit, ndërsa shtoi se mazhoranca socialiste nuk ka dhënë asnjë licencë të re.

Akuzat ndaj Metës

Sulme ndaj Presidentit Ilir Meta hodhi edhe kryetari i komisionit, Erjon Braçe. “Dekreti i Presidentit fizikisht është i vërtetë, por në përmbajtje është i rremë. Ai ka të bëjë me uljen e tatimit për bizneset e vogla dhe të mesme, që duke nisur nga data 1 janar do të favorizohen përmes favorit fiskal. Presidenti pretendon se ne e kemi ulur tatimin mbi lojërat e fatit, por kjo nuk është e vërtetë. Madje unë them që tatimi mbi lojërat e fatit të shkojë në nivele të larta, 50% për mua. Ta largojmë propagandën nga marrëdhëniet që janë teknike”, deklaroi Braçe. Pas diskutimeve, mazhoranca vendosi rrëzimin e dekretit të Metës, i cili më pas do të kalojë për votim në seancë plenare të enjten. Nëse edhe aty rrëzohet dekreti i Presidentit, ligji hyn menjëherë në fuqi.

Largohen kazinotë

Duke filluar nga 1 janari të gjitha kazinotë elektronike do të largohen nga zonat e banuara. Ministri Arben Ahmetaj u shpreh i prerë dje në komision se nuk do të ketë më shtyrje të këtij afati, ndërsa nënvizoi se lufta e qeverisë kundër lojërave të fatit do të jetë e ashpër. “Nuk do të ketë shtyrje të ligjit për sa i takon largimit të kazinove elektronike nga qyteti. Nga 1 janari i vitit 2019 ato do të largohen dhe kjo është e prerë. Do të rrallohen edhe zyrat e basteve, do të jenë 1 në 200 metra. Vetëm brenda hoteleve me 5 yje do të lejohen licencat. Do të kemi një çlirim të qyteteve nga ky fenomen. Ne kemi filluar pastrimin nga lojërat e fatit”, deklaroi Ahmetaj. Nga ana tjetër, Erjon Braçe ngriti si shqetësim reklamat që transmetohen në televizione për bastet sportive. Sipas tij, kjo është një formë nxitjeje drejt lojërave të fatit, ndaj kërkoi që të merren masa qoftë nga qeveria, ashtu edhe nga AMA./Mimoza IBRA 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/09/2018 - 10:10

Greqia ka rritur presionet ndaj Presidentit Ilir Meta, sa i takon paktit detar.

Postuar: 26/09/2018 - 08:44

Lajmi se nga Shqipëria kanë ikur 2000 infermierë dhe deri në dhjetor ikin edhe 4000 infermierë të

Postuar: 26/09/2018 - 08:41

Kryebashkiaku Erion Veliaj i ka shtuar banorëve të Tiranës një tjetër koncesion.

Postuar: 26/09/2018 - 08:40

Ashpërsohet lufta mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Postuar: 26/09/2018 - 08:38

Partia Demokratike ka akuzuar dje kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj