BREAKING NEWS

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e paralajmërime Bashës të refuzojë ofertën e Ramës

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e
x

Politike

Blindohet BKH, paga të larta dhe mbrojtje të veçantë për të shmangur presionet e politikës, zbardhen ndryshimet ligjore

Blindohet BKH, paga të larta dhe mbrojtje të veçantë

Me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të marrë një tjetër hov. Për shkak se BKH do të jetë një institucion kyç në goditjen e pushtetarëve dhe politikanëve të korruptuar, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të kenë paga të larta dhe mbrojtje të veçantë, për të shmangur presionet nga politika. Gazeta ka mësuar se në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Ky projektligj mban firmën e kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja si deputet propozues, përmes së cilit synohet që të rregullohet organika dhe benefitet që përfitojnë hetuesit e BKH-së.

Paga të larta dhe mbrojtje të veçantë

Më konkretisht, në nenin 40 që rregullon nenin 7, i shtohet 40/1, ku parashikohet një pagë më e mirë dhe mbrojte të veçantë deri në sigurim këtë për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, deri tek familjarët e tyre. “Pas nenit 40, shtohet neni 40/1, me këtë përmbajtje: “Neni 40/1: Trajtimi i punonjësve te Byrosë Kombëtare te Hetimit. 1) Drejtori, zëvendësdrejtori, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerët nga shërbimet e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit përfitojnë të njëjtin trajtim që përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit. 2) Trajtimi i punonjësve, sipas pikës 1, të këtij neni, përfshin të drejtën e pushimit vjetor dhe pushimeve të tjera të pagueshme, lejën pa të drejtë pagë, trajtimin financiar gjatë qëndrimit në punë, të drejtën për sigurim shëndetësor të veçantë, te drejtën për përfitim të kredisë me interesa të bute, kompensimin për strehim, sigurimin e jetës, mbrojtjen e veçantë, si dhe trajtimin e familjareve të punonjësve që humbasin jetën për shkak te detyrës”, thuhet në projektligj. Më tej sipas projektligjit të depozituar në Kuvend thuhet se është qeveria ajo që i jep dritën jeshile trajtimit financiar për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërkohë parashikohet që të ndiqet e njëjta skemë si me punonjësit e Policisë së Shtetit. “Këshilli i Ministrave miraton rregullat, procedurat dhe kriteret për trajtimin e punonjësve, sipas pikës 1 dhe 2 të këtij neni, me te njëjtin trajtim qe përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas legjislacioni në fuqi për Policinë e Shtetit”, thuhet në projektligj.

Shpërblimi për vështirësi punë

Më tej në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” thuhet se punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit përfitojnë pagë dhe vështirësi pune për shkak të heqjes dorë nga privatësia, pasi dihet që kur punon në këto institucione privohet shumë të drejta për shkak të detyrës. “Nëpunësi civil gjyqësor në gjykatat e posaçme për gjykimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit te organizuar përfiton shtesë për vështirësi punë dhe për shkak të heqjes dorë nga privatësia në masën 50 për qind të pagës përkatëse; Nëpunësi civil në Prokurorinë e Posaçme dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit përfiton shtesë për vështirësi punë dhe për shkak të heqjes dorë nga privatësia në masën 50 për qind të pagës përkatëse. Kanë të drejtë të përfitojë shtesë për vështirësi punë dhe për shkak të heqjes dorë nga privatësia në masën 50 për qind të pagës përkatëse edhe punonjësit e tjerë të Prokurorisë së Posaçme dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit që duhet të plotësojnë kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit, sipas nenit 6 të këtij ligji”, thuhet në nenin 44/1 të projektligjit.

Më të lexuarat