BREAKING NEWS

Gati 4 mijë testime! Ja sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Gati 4 mijë testime! Ja sa raste të reja me COVID u regjistruan
x

Politike

Blindohet SPAK, shtohet numri i prokurorëve për të përshpejtuar hetimet, 1.100 dosje korrupsioni e krimi nën hetim

Blindohet SPAK, shtohet numri i prokurorëve për të

Komisioni i Ligjeve ka vendosur të çojë në 20 numrin e prokurorëve pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Në kuadër të një kërkese të ardhur nga kreu i SPAK, Arben Kraja, komisioni u mblodh dje dhe me shumicë votash e miratoi kërkesën. Me këtë lëvizje SPAK nga 15 prokurorë do të shkojë në 20 në mënyrë që të përshpejtohen hetimet. Kraja në fjalën e tij para deputetëve dhe në kërkesën që ka dorëzuar në Parlament, u shpreh se arsyeja kryesore që kërkohet të rritet numri i prokurorëve është për shkak të volumit të punës. Ai u shpreh se në duart e SPAK janë rreth 1.100 dosje në total dhe duhet një staf i lartë për menaxhimin dhe hetimin e tyre. “Me fillimin e aktivitetit në 19 Dhjetor 2019 kemi trashëguar nga ish - Prokuroria për Krime të Rënda, 204 procedime penale në hetim, 298 hetime pasurore në bazë të ligjit Antimafia dhe mbi 40 procedime penale në gjykim në shkallë të parë dhe në apel. Ndërkohë gjatë vitit 2020 (deri 19 Dhjetor 2020) janë regjistruar 343 procedime penale të reja, 10 hetime pasurore (ligji Antimafia) dhe 226 raste bazuar në Aktin Normativ (OFL). Gjatë vitit 2020 janë trajtuar 64 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe kemi në funksion 8 skuadra të përbashkëta hetimore me autoritetet e huaja (Eurojust)”, tha Kraja.

Parashikimet ligjore

Sipas Karajës, Neni 18/2 parashikon që numri i prokurorëve propozohet duke u bazuar në ngarkesën në punë të prokurorëve, duke marrë parasysh dhe rekomandimet e Këshillit të Ministrave për luftën e kriminalitetit. Gjithashtu numri i prokurorëve i propozuar duhet të garantojë veprimtarinë e prokurorisë, sigurimin e aksesit të shtetasve në shërbimet e prokurorisë dhe rritjen e cilësisë së këtyre shërbimeve, vijoi ai. Neni 18/3 parashikon që për propozimin e numrit të prokurorëve, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme merr paraprakisht mendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.

Prokuroria e Posaçme ushtron funksionet e saj për veprat penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale. Bëhet fjalë për ushtrimin e ndjekjes penale ndaj krimit të organizuar në nivel grupi të strukturuar dhe më lart, kundër korrupsionit për të gjitha dispozitat e Kodit Penal (me përjashtim të korrupsionit privat), shkeljes së barazisë në tendera, si dhe kundër një kategorie të përcaktuar subjektesh, zyrtarë të nivelit të lartë. “E gjithë kjo kompetencë përputhet tërësisht me objektivat, përparësitë dhe fushën e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave për luftën e kriminalitetit gjatë tri viteve të fundit”, tha Kraja.

Dosjet e shumta

Kreu i SPAK, ka deklaruar se ka mbingarkesë të madhe dosjesh. Sipas tij, nuk po u krijohet mundësi porokurorëve të bëjnë siç duhet punën. “Duke vlerësuar situatën e ngarkesës sa më sipër rezulton se aktualisht prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të mbingarkuar me punë, në pamundësi për të ushtruar funksionet e tyre normalisht dhe në vështirësi për të garantuar efektivitet dhe cilësi në shërbimet që kryejnë në zbatim të ligjit. Paraprakisht kam kërkuar mendim Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, në lidhje me përcaktimin e numrit të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Të tre këto institucione kanë shprehur mendim pozitiv dhe dakordësinë në lidhje me faktin që numri i prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme të jetë 20 (njëzet) duke filluar nga viti 2021. Bashkëlidhur përgjigjet e ardhura nga këto institucione”, tha ai.