BREAKING NEWS

Publikohet bilanci i COVID, Ministria e Shëndetësisë zbulon sa raste të reja janë shënuar në 24 orët e fundit

Publikohet bilanci i COVID, Ministria e Shëndetësisë zbulon sa
x

Politike

Debate brenda PS, afrimet nga LSI krijojnë qejfmbetje te deputetët, disa emra zhvendosen nga zonat e mbulimit, të tjerët në ankth për kandidimin

Debate brenda PS, afrimet nga LSI krijojnë qejfmbetje te deputetët,

Afrimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë trazuar ujërat brenda Partisë Socialiste. Gazeta e ka deklaruar se përveç fitores së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, PS në vetvete ka si mision edhe tkurrjen e LSI, duke i marrë asaj sa më shumë militantë dhe anëtarë. Vetë kryeministri Edi Rama gjatë këtij mandati të dytë qeverisës herë pas here në mbledhje grupi dhe jo vetëm ka urdhëruar vartësit e tij të shkrijnë Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe të tërheqin pranë Partisë Socialiste sa më shumë militantë dhe eksponentë të lartë të LSI që janë të zhgënjyer. Dhe duket se kjo porosi e kryesocialistit Rama ka nisur të zbatohet, pasi ditët e fundit partia e Kryemadhit është përfshirë nga një hemorragji, për shkak se shumë figura kryesore të saj janë larguar nga ky subjekt politik. Bëhet fjalë për figura me peshë si Lefter Koka, apo Nasip Naço, etj, të cilët tashmë janë pozicionuar hapur në krah të PS.

Afrimet nga LSI krijojnë qejfmbetje te deputetët

Por gazeta ka mësuar kalimi i shumë figurave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka shkaktuar debate të forta brenda Partisë Socialiste. Kjo pasi afrimet nga LSI kanë sjellë shumë qejfmbetje te deputetët. Sipas informacioneve të sigurta nga selia rozë, mësohet se shumë nga deputetët aktualë të PS ndihen të spostuar dhe kërcënuar nga këto prurje të reja, pasi disa prej tyre e kanë nisur mbarë punën, ku përveç se janë propozuar për deputetë, kanë filluar fuqishëm punën në terren, duke lënë në hije kolegët e tyre socialistë. Më konkretisht mësohet se disa emra nga deputetët aktualë të Partisë Socialiste janë zhvendosur nga zonat elektorale të mbulimit, për shkak të këtyre afrimeve. Por sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, shumë prej deputetëve aktualë socialistë janë edhe në ankth për kandidimin, pasi nuk e dinë ende nëse kryeministri Edi Rama do t’i fusë në listat e PS sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Nga ana tjetër, hemorragjia që ka përfshirë partinë presidenciale, ku shumë figura të saj i janë bashkuar Partisë Socialiste, nuk është e vetmja dhimbje koke që po shqetëson deputetët socialistë. Mësohet se kryeministri Edi Rama pritet t’iu hapë derën për të kandiduar edhe disa nga deputetëve aktualë të pavarur që kanë dalë ligjvënës në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 nën siglën e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Mësohet se tre nga deputetët aktualë që janë larguar nga PDIU, pritet të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nën siglën e Partisë Socialiste, duke bërë që ankthi dhe qejfmbetjet tek deputetët socialistë të shtohen së tepërmi. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që pak ditë më parë kur zyrtarizoi afrimin e ish-ministrit dhe ish-deputetit të LSI, Nasip Naço, ministri i Turizmit, Blendi Klosi pohoi se ish-ministri i LSI do jetë kandidat për deputet në Berat dhe se me të Partia Socialiste do ta arrijë objektivin e saj që në Berat të fitojë 5 mandate. “Për Beratin kjo është një datë e shënuar. Bashkë me mesazhin për një ditë të bukur për Beratin edhe mikpritja e kolegëve tanë, të cilët mbështesin Ramën kryeministër dhe fitoren e PS në 25 prill është e mirëpritur. Berati turistik duhet të rivotojë PS. Me afrimin e kolegëve të çmuar si Nasip Naçon ne do arrijmë objektivin për 5 mandate në Berat. E rëndësishme është që PS të vazhdojë projektet në Berat”, deklaroi Klosi.