Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Politike

Debate në Kuvend mbi 15 kushtet e integrimit, “lufta” për Kushtetuesen rrezikon negociatat, socialistët të pakënaqur me Cakajn

Debate në Kuvend mbi 15 kushtet e integrimit, “lufta” për

Plotësimi i 15 kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian ka qenë temë e debatit të djeshëm në Komisionin parlamentar të Integrimit. Dhjetori shihet si muaji më i përshtatshëm për qeverinë shqiptare që të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj raportoi në mbledhjen e Komisionit të Integrimit për planin e veprimit të qeverisë në kuadër të integrimit ku kushtet më të vështira mbetet plotësimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Kjo e fundit vijon të mbetet jashtë funksionit për shkak të përplasjeve të mëdha politike. Vakancat vijojnë të mos plotësohen, pasi kandidatët që kanë shprehur interes janë skualifikuar për shkak se nuk plotësojnë kushtet. Por tashmë KE i ka kthyer sytë nga Gjykata Kushtetuese dhe nëse kjo gjykatë arrin të jetë funksionale deri brenda këtij viti, ndoshta Bashkimi Europian bindet dhe arrin që të mbledhë tryezën e parë ndërqeveritare në dhjetor. Por nëse brenda këtij viti Kushtetuesja nuk ngrihet, atëherë hapja e negociatave do të jetë në rrezik. “Natyrisht që skenari ideal është për dhjetorin, por nuk dua të jap premtime pa mbulesë. Meqenëse nuk ekziston një datë fikse për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Varet jo vetëm nga performanca e qeverisë por edhe nga institucionet e pavarura dhe kushtet për gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë ndaj ne kemi filluar edhe një fushatë diplomatike ku është përfshirë edhe krye negociatori”, u shpreh Cakaj. Ndërkohë që një tjetër kusht i rëndësishëm që është vendosur nga BE është edhe lufta ndaj korrupsionit. Në këtë kuadër, janë ngritur strukturat e reja të drejtësisë dhe tashmë Struktura e Posaçme Antikorrupsion duhet që brenda këtij viti të nisë me hetimin e dosjeve të bujshme. Për këtë, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj u shpreh se funksionimi i SPAK është mjaft i rëndësishëm në mënyrë që të mbahet mbledhja ndërqeveritare.

Socialistët të pakënaqur me Cakajn

Por ndonëse kjo ishte paraqitja e parë e ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj në një komision parlamentar pas kritikave të pak ditëve më parë, duket se vetë socialistët janë të pakënaqur me punën e tij. Ka qenë kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, ai i cili gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit u shpreh se i pakënaqur nga prezantimi i ministrit të Jashtëm në detyrë përsa i përket planit të veprimit për plotësimin e 15 rekomandimeve të Këshillit Europian. “Padyshim që plani nuk ishte tejet i detajuar”, u shpreh Taulant Balla.

Ja plani i integrimit

Por deri në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, Bashkimi Europian ka kërkuar plotësimin e 15 kushteve të vendosura për Shqipërinë. Kështu, miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE ka qenë një kusht kyç për integrimin e vendit. Por edhe ngritja dhe funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese ka qenë një ndër kushtet më të rëndësishme, sipas opinionit të Komisionit të Venecias. BE ka kërkuar që deri në tetor të 2020 të plotësohen të gjitha vakancat në Kushtetuese, ndërsa për Gjykatën e Lartë ka lënë afat deri në fund të këtij viti. Po ashtu, BE i ka lënë afat deri në muajin tetor 2020 për plotësimin e SPAK me 15 prokurorë dhe nisjen e hetimeve për zyrtarët e lartë.