Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Deputetët e PS këmbëngulin te shkarkimi i Ilir Metës, Kreshnik Spahiu rrëzon pretendimet, paralajmëron tërheqjen e Ramës

Postuar: 18/08/2019 - 11:10

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator, pritet që të rinisë nga puna edhe komisioni hetimor i ngritur për të listuar shkeljet e rënda të Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Vendime të tilla si zhdekretimi i datës 30 qershor si ditë zgjedhjesh për mazhorancën janë gabime për të cilat Meta duhet ta “paguajë” me shkarkimin e tij. Por edhe pse kjo nismë e nisur që në qershor ka nevojë për verdiktin e Gjykatës Kushtetuese që të quhet vendimtare, socialistët nuk kanë ndërmend të ndalen. Deputetët e Partisë Socialiste paralajmëruan dje Ilir Metën se mungesa e Kushtetueses nuk do të jetë arsye që shkarkimi i tij të vonohet. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, deputeti socialist, Sadri Abazi deklaroi se Parlamenti do të vijojë punën e nisur normalisht në shtator. “Parlamenti është vendimmarrës vet dhe pastaj sesi do të gjykohet vendimi i Parlamentit, ajo i përket Gjykatës Kushtetuese. Parlamenti e merr vendimin, bën punën e vet, ne e shkarkojmë presidentin për bëmat e tij dhe e vulosim këtë çështje”, deklaroi Sadri Abazi.

Reagimet e socialistëve të tjerë

I të njëjtit qëndrim ishte edhe deputeti Andrea Marto. Po në një reagim të dhënë për gazetën ditën e djeshme, Marto theksoi se procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit nga ana e Parlamentit do të vijojnë, me apo pa Gjykatën Kushtetuese funksionale. “Procedura e nisur do të vijojë normalisht”, u shpreh shkurtimisht Andrea Marto. Nga ana tjetër, deputetja Antoneta Dhima renditi të gjitha arsyet pse Ilir Meta meriton të shkarkohet. “Ishte presidenti ai që ka dekretuar anulimin e zgjedhjeve, ndërkohë që Kushtetuta nuk ia njeh këtë të drejtë. Me anë të këtij dekreti Presidenti: ka cenuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit; ka shkelur Kushtetutën e ka marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit; është sjellë arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare; ka cenuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve; ka cenuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira; ka cenuar parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë; ka nxjerrë një akt në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet; ka cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur”, u shpreh ajo për gazetën. Në vijim të reagimit, Dhima paralajmëroi Metën se do të jetë subjekt i reformës në drejtësi, duke qenë se ka shkelur ligjin. “Opozita jashtë parlamentare ndihet e kërcënuar dhe e frikësuar nga drejtësia dhe institucionet e drejtësisë të cilat kanë filluar zbatimin e tyre. Reforma në drejtësi nuk do të kursejë askënd, që shkel dhe nuk zbaton ligjin, qoftë ky edhe presidenti”, deklaroi Antoneta Dhima.

Reagon Spahiu

Por edhe pse socialistët shprehen të bindur se do ti shkojnë deri në fund shkarkimit, lëvizjet e tyre të fundit kanë ngjallur dyshime. Ish-kreu i AK, Kreshnik Spaho tha në një prononcim për gazetën se PS është tërhequr nga shkarkimi i Metës. “Unë gjykoj se Partia Socialiste ka hequr dorë nga ideja e shkarkimit të Presidentit të Republikës për këto arsye: Shtyrja në kohë nënkupton harresë dhe negociata; Kërkesa për interpretim drejtuar Komisionit të Venecias është alibi për të heq dorë; LSI po largohet nga Basha dhe heqja dorë nga shkarkimi do afroj Ilir Metën me Ramën me justifikimin e integrimit Shqipërisë; Shkarkimi i Metës do rriste tensionet dhe nuk do i ulte; Fenomeni “Meta” dhe e ardhmja e tij nuk është në dorën e Edi Ramës por të ndërkombëtarëve dhe projektit tyre për Veting politik; Monika Kryemadhi ka përplasje të forta me Lulzim Bashën dhe po organizon në hije lëvizjen Basha Ik”, tha ai. 

Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2019 - 23:27

Komisioni Evropian është vënë në dijeni për dënimin e Saimir Tahirit, ish-ministër i Brendshëm, për “shpërdorim detyre”, por gjithsesi, ky institucion i rëndësishëm i Bashkimit Evropian nuk ka pranuar të b

Postuar: 20/09/2019 - 23:00

Kryeministri Edi Rama dhe homologu grek Kyriakos Mitsotakis pritet të takohen për herë të parë në

Postuar: 20/09/2019 - 22:55

Pasardhësi i Saimir Tahirit në krye të ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafaj mbështet hapur qënd

Postuar: 20/09/2019 - 22:37

Gjykata e shpalli ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të pafajshëm për trafik droge dhe fajto

Postuar: 20/09/2019 - 22:16

Në emisionin “Java” në TVSH, ish-deputeti Nard Ndoka u shpreh gati të hyjë në zgjedhj

Postuar: 20/09/2019 - 22:11

Avokati Spartak Ngjela, nuk e sheh aspak të nevojshëm këtë dialog.

Postuar: 20/09/2019 - 21:58

Juristi i CEZ Romeo Kara i ka shkruar një koment të gjatë ish-kryeministrit Berisha, në statusin