BREAKING NEWS

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si është situata: Mbyllja e vendit do të...

Pandemia e Covid-19/ Rama del në konferencë online, tregon si
x

Politike

Dosja “Hajdari”, prokurori mesazhe të forta në gjyqin e Izet Haxhisë, nxjerr dëshmitarë të rinj dhe kërkon shoqërimin me forcë të tyre

Dosja “Hajdari”, prokurori mesazhe të forta në gjyqin e

Prokuroria ka dhënë dje sinjale se mund të ketë zhvillime të forta në gjyqin ndaj Izet Haxhisë. Edhe pse Gjykata e Tiranës kishte njoftuar se do të qëndrojë e mbyllur për shkak të infektimeve mes gjyqtarëve, nuk ka ndodhur kështu. Dje u mbajt seanca, por për shkak të njoftimit të gjykatës ka pasur një ngatërresë duke bërë që avokati i Haxhisë, zoti Idajet Beqiri të mos marrë pjesë. Për gazetën zoti Beqiri deklaroi se gjykata ka njoftuar pezullimin e gjyqeve dhe prandaj nuk ka marrë pjesë. Megjithatë në diskutimet e pakta që ndodhën dje në seancë, prokuroria kërkoi që të nisë procesi i dëgjimit të dëshmitarëve, ndërsa në dritë dolën dhe dy emra të rinj. Sipas prokurorisë duhet të merren me forcë në seancë dëshmitarët A. L. dhe K. M. Bëhet fjalë për dy emra që nuk ishin te lista e bërë e ditur nga prokuroria pak kohë më parë. Emrat në fjalë nuk kanë preferuar që të dëshmojnë për ngjarjen e për këtë arsye prokuroria e sheh me vende që ata të shoqërohen me polici. Por ky është dhe një mesazh për emrat e tjerë që refuzojnë të dëshmojnë. Emri më i përfolur është ish-kryeministri Sali Berisha. Gjykata nuk e ka thirrur për momentin, por mund të thirret më vonë nëse dëshmitarët e tjerë tregojnë detaje mbi rolin e tij. Berisha e ka thënë disa herë se nuk do të marrë pjesë në një gjyq të tillë, por dje prokuroria dha sinjale se mund të ketë dhe marrje me forcë.

Dosja e Izet Haxhisë

Gazeta ka siguruar dosjen e palës mbrojtëse dorëzuar në gjykatë. Pak ditë më parë u kërkuan të thirren si dëshmitarë rreth 30 emra, ndërsa avokati Idajet Beqiri në relacionin e tij dorëzuar gjyqtarit ka treguar arsyet se përse klienti i tij është i pafajshëm. “I pandehuri Izet Haxhia ka kërkuar me këmbëngulje të vijë dhe të ballafaqohet drejtpërdrejt me të vërtetën e ngjarjes së 12 shtatorit 1998 të vrasjes së Azem Hajdarit, të bëjë deklarimet e tij për të gjithë këtë ngjarje, të japë versionin real, të bazuar në prova, në fakte, në akte, në dëshmitarë okularë dhe në prova të tjera indirekte, por tepër të domosdoshme për të formuar e bashkuar të gjitha hallkat e zinxhirit të së vërtetës së kësaj ngjarje që për opinionin juridik dhe publik shqiptar është etiketuar me emrin Vrasja e Shekullit”, thuhet në argumentet e palës mbrojtëse. Më tej janë ngritur dhe akuza të forta, duke deklaruar se kjo ngjarje është e trukuar politikisht. Sipas palës mbrojtëse, Izet Haxhia, ka qenë njeriu më i besuar i ish-presidentit të vendit Sali Berisha, badigardi kryesor i tij, njeri i familjes së tij, dëshmitar okular i shumë ngjarjeve që passollën vrasjen e Azem Hajdarit. Po ashtu thuhet se di shumë mirë gjithë të vërtetën e ngjarjes së 12 shtatorit 1998, motivet e saj, të interesuarit direkt dhe indirekt për vrasjen e Azem Hajdarit, dëshmitarët okularë dhe ata që me dashje apo pa dashje e nxorën në pritë për ta vrarë Azem Hajdarin. “Izet Haxhia nuk mund të pajtohej dhe të bëhej pjesë e manipulimit të kësaj vrasje, e moszbardhjes së të vërtetës së kësaj ngjarje, e mbulimit me dashje prej faktorëve politikë, por edhe prej organit të akuzës, ku me dashje, ku nga paaftësia, ku nga izolimi total për të shkuar dhe për të marrë provat e duhura, ku nga ndërhyrja direkte për të prishur vendin e ngjarjes, provat materiale, provat shkencore, të kësaj vrasje, si qytetar i përgjegjshëm i këtij vendi, me një emër të njohur nga i gjithë opinioni shqiptar, me të mirat dhe me të errëtat e veta, si një njeri me arsim të lartë dhe me profesionin mjek, pas afro 20 vjet reflektim real dhe vuajtje shpirtërore nga deformimi që i është bërë kësaj ngjarje, kërkon të rrëfehet para kësaj gjykate për gjithçka di, për gjithçka ka parë e dëgjuar vetë, si dëshmitar okular, apo bashkëfajtor, nëse i provohet bashkëpunim apo ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në mbrojtjen e tij.

Më të lexuarat