Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dritan Dajti përplas politikën, Gjonaj i kërkon KLGJ shkarkimin e 3 gjyqtarëve, PD akuza se po u hedh hi syve shqiptarëve

Postuar: 12/02/2019 - 08:01

Ulja e dënimit për Dritan Dajtin ka rindezur përplasjet politike në vend. Për mazhorancën ky është një shembull i sistemit të korruptuar të drejtësisë, ndërsa për Partinë Demokratike, Dajtit iu ul dënimi me urdhër të qeverisë. Ditën e djeshme ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka dalë në një konferencë për mediat, fokus i së cilës ishte vendimi për uljen e dënimit të Dritan Dajtit. Gjatë fjalës së saj, Gjonaj e konsideroi rastin si të paprecedentë, ndërsa deklaroi se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e tre gjyqtarëve që kanë vendosur uljen e dënimit të Dajtit me 25 vite. “Jam sërish këtu para jush për të vijuar komunikimin lidhur me reagimin ligjor të Ministrisë së Drejtësisë ndaj vendimit të paprecedent të dhënë nga një trupë gjyqësore e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda Tiranë, ndaj shtetasit Dritan Dajti. Pas verifikimit paraprak të kësaj çështjeje, kam vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të rënda profesionale, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikotli i Gjykatës së Apelit Shkodër. Për këtë arsye, sot i jam drejtuar KLGJ dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosjes”, deklaroi ajo. Po ashtu, Gjonaj duke e ndalur theksin tek vendimi për Dajtin, akuzoi tre gjyqtarët, se sipas saj, e kanë pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar jashtë çdo afati ligjor, duke shkelur kështu ligjin. “Gjyqtarët e sipërpërmendur kanë pranuar një kërkesë për gjykim të shkurtuar në kushtet kur kjo kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ishte paraqitur jashtë afateve të parashikuara nga ligji. Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës (në bazë të nenit 403 i Kodit të Procedurës Penale), kërkesa e të pandehurit për gjykimin të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës të përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda ka disponuar në kundërshtim me nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale”, nënvizoi Gjonaj.

Reagon PD

Sa i takon vendimit për Dritan Dajtin për uljen e dënimit nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg për vrasjen e katër policëve në 2009, dje ka reaguar edhe Partia Demokratike. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, selia blu hodhi akuza të forta ndaj qeverisë dhe ministres Etilda Gjonaj, duke vënë në dukje faktin se dënimi Dajtit iu ul me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Madje, PD akuzoi qeverinë se po iu hedh hi syve shqiptarëve përmes deklaratave të saj se është kundër vendimit. “Qeveria vazhdoi talljen e pacipë dhe të pamëshirshme me 4 Dëshmorët e Atdheut, të vrarë në krye të detyrës nga krimineli Dritan Dajti, për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, se vendimi në favor të Dritan Dajtit është prodhim i Edi Ramës. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarit, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se prej më shumë se dy vjetësh, Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e çdo akti që plotëson boshllëkun e krijuar. Kërkesa e Gjonajt për procedim disiplinore të gjyqtarëve, është tallje me shqiptarët dhe një teatër kriminal që nuk ndryshon dot faktin se një tjetër kriminel i rrezikshëm u lirua nga drejtësia e reformuar e Edi Ramës”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Rigels Seliman

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/02/2019 - 22:56

Kur kanë mbetur edhe disa orë nga protesta e opozitës ka reaguar edhe avokati Spartak Ngjela. Sipas tij nesër do të shohin të gjithë shqiptarët partnerin e tyre të madh, Shetet e Bashkuara të Amerikës.

Postuar: 15/02/2019 - 22:08

Deputetja e LSI-së, Nora Malaj thotë se kupa është mbushur dhe protesta e ditës së nesërme është

Postuar: 15/02/2019 - 21:45

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla shprehet se populli e njeh shumë mirë se kush është

Postuar: 15/02/2019 - 21:01

Opozita e bashkuar ka thirrur qytetarët në protestën e së shtunës (16 shkurt), në atë që e quan

Postuar: 15/02/2019 - 20:34

Vetëm pak orë përpara protestës së opozitës në Tiranë, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi jep

Postuar: 15/02/2019 - 20:32

Ish-zv.minsitri i qeverisë së Edi Ramës, Taulant Muka deklaron se  ai nëse do të ishte në

Postuar: 15/02/2019 - 20:21

Ish-funksionar i lartë policie dhe sot deputet i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu foli sonte në