BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Politike

Edi Rama: Basha të vijë të ulet në tryezë sepse nuk e ndajmë nga Monika, Metës t’i vijë turp që sulmon babin tim, vetëm fashistët e bëjnë këtë gjë

Edi Rama: Basha të vijë të ulet në tryezë sepse nuk e

Kryeministri Edi Rama i ka bërë dje një tjetër ftesë liderit të opozitës, Lulzim Basha që të ulen në tryezë dhe të diskutojnë për gjetjen e konsensusit mbi përcaktimet që do të bëhen në Kodin Zgjedhor pas ndryshimeve kushtetuese. Shefi i qeverisë u ndal dhe te ndërkombëtarët duke u shprehur se Parlamenti është legjitim dhe e di ai se çfarë voton. Nga ana tjetër nuk ndali kritikat ndaj presidentit, sidomos për akuzat e këtij të fundit ndaj të atit të tij.

-Parlamenti miratoi ndryshimet kushtetues,e ndërsa PD ju akuzon se preket marrëveshja e 5 qershorit. A preket kjo marrëveshje?

Në momentin që koalicioni sikur ishte nuk ekziston më, saktësimi nuk është i nevojshëm. Marrëveshja ka qartësisht në draftin e dakordësuar një numër pikash, kjo që përmendët nuk hynë fare. Vetë marrëveshja nuk është prekur në asnjë pikë të sajën. Nuk ka lidhje fare, janë teknikalitete që kanë të bëjnë me formulën e koalicionit që nuk është më e njëjta, por koalicioni parazgjedhor do të jetë përsëri i mundshëm, për ato parti që duan të kthehen në një subjekt të vetëm dhe të kenë listën e tyre të përbashkët

-Por sa interferon ndryshimi i kushtetutës në marrëveshjen e 5 Qershorit?

Zero. Marrëveshja lidhet me administrimin zgjedhor kryesisht, me disa aspekte të tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në zbatimin e tij, ndërkohë që risitë kushtetuese lidhen me mekanizmat korrektues, që rrisin fuqinë e qytetarëve vendimmarrje. Nuk ka asnjë interferencë.

-Me sistemin aktual të koalicioneve, PS-ja e drejtuar nga Edi Rama bëri marrëveshje parazgjedhore me LSI-në në 2013 për të ardhur në pushtet, por pse tashmë po ia heq, atë që opozita e cilëson si avantazh?

Unë nuk kam përshëndetur ndonjë formulë, kam bërë si gjithë të tjerët atë që bëjnë të gjithë në respekt të ligjit dhe rregullave në fuqi. Ka qenë një rregull që tani nuk do të jetë më dhe tani rregulli i ri do të jetë më i mirë. Do u krijojë mundësi zgjedhësve që të njihen me koalicionet si dhe kur formohen, nga programi, lideri dhe kandidati dhe jo të votojnë qorrazi për koalicione të panjohur për publikun dhe për më tepër deformojnë votën. Është një model që nuk e ka asnjë vend i OSBE-ODHIR-it dhe nuk kemi pse e mbajmë ne akoma.

-PS-ja kërkon që listat të hapen 2/3 për të garantuar përfaqësimin gjinor, por PD këmbëngul për 100%...

Ne jemi për jo më pak se 2/3, që të mos e kufizojmë veten për t'i hapur 100%, por të mos e lejojmë një mbyllje më shumë se 30%. Dhe e gjitha kjo është për t'u diskutuar, ne nuk jemi partia që flet e para, por e fundit, i japim vetes kohë për të analizuar të gjitha qëndrimet dhe avantazhet apo disavantazhet e një ndryshimi të mundshëm. Dhe kështu ndodhi edhe listat e hapura, që nuk i kemi parë me simpati fillimisht, por duke parë që publiku ishte i interesuar, ne mbajtëm anën e publikut. Unë personalisht i kam dëgjuar me orë të tëra (opozitën jashtë parlamentit) dhe janë zhvilluar debate të gjata të përsëritura, janë dëgjuar plotësisht, nuk kanë dashur të dëgjojnë më shumë se aq, por nuk mund ti prisnim pafundësisht. Ka një kohë për të dëgjuar, ka një kohë për të vendosur, ka një kohë për të votuar.

-Por a është i duhuri propozimi i Lulzim Bashës për hapjen 100% të listave?

Nuk ka një propozim të duhur ose të pa duhur, ka propozime të ndryshme, e duhura është që të ulemi dhe të diskutojmë pa humbur kohë në mënyrë që të gjejmë mundësisht një dakordësi sa më të gjerë

-Ambasadorja amerikane u shpreh me keqardhje pas ndryshimit të Kushtetutës pa konsensus me opozitën jashtë parlamentit..

Keqardhja është emocion, por kundërshtia është pozicion. Nuk ka asnjë kundër. Zëdhënësi i PPE? Këtë nuk e njoh kush është, por këta po, dhe i respektoj maksimalisht, pasi përfaqësojnë institucione dhe shtete mike dhe partnere dhe nuk përfaqësojnë opinione të njëanshme dhe personalisht njerëz që e kanë treguar më shumë se njëherë se në Shqipëri nuk janë vetëm për të jetuar në një vend të bukur dhe për t'u paguar mirë, por janë të përfshirë me shumë afeksion dhe shumë respekt për shqiptarët. Nuk ka asnjë kundër aty, ka thjesht keqardhje. Edhe unë jam i keqardhur që nuk u arrit dot të bëhet me konsensus të plotë, edhe unë e mirëkuptoj dhimbjen e opozitës jashtë parlamentit, por deri këtu, dhe unë bashkohem me idenë që duhet të vazhdojmë së bashku për të reflektuar këto risi në Kodin Zgjedhor. Unë nuk jam kundër, jam pro.

-Nuk priste koha për ndryshimet kushtetuese pasi opozita është dakord me hapjen e listave?

Ata janë dakord në fakt me hapjen e listave, të paktën me fjalë, por nga ana tjetër, sigurisht nuk kanë si të mos jenë dakord që të ulen me ne, flas racionalisht, pastaj emocionalisht mund të mos ulen për të materializuar në ligj mekanizimin e ndërtimit edhe të koalicioneve zgjedhore. Ne politikisht, dhe unë personalisht, por asnjëri në fakt nuk është i interesuar që të ndajë Bashën nga Kryemadhi, ne i duam ata bashkë, sa më bashkë të jenë ata, në kuptimin e thjeshtë, aq më e lehtë është për ne beteja zgjedhore”. Po aq bashkë sa PS-ja ka qenë në koalicion me LSI-në në 2013? "Nuk janë asnjëherë gjërat njësoj dhe asnjëherë kohët nuk janë njësoj, gjërat dhe kohët kanë kontekse të ndryshme gjithmonë.

-Me kë do të bëjë PS koalicion në 2021?

Partia socialiste me popullin shqiptar, ne jemi forcë politike që nuk kemi nevojë të ndërtojmë trena me vagonë të mbushur me emra që populli as nuk i di dhe nuk i sheh kush janë. Ne kemi programin dhe skuadrën tonë dhe aleancën me popullin shqiptar. Sa kohë do të na besojë do i shërbejmë me përkushtim. Edhe pse nuk jemi më të mirët, më të mirë se ne nuk ka. Në zgjedhje do të vendosë populli, jo unë fatmirësisht, por që nuk ka më të mirë se ne është parë dhe riparë, mjafton që të shohim, që ata që duan të vijnë, janë po ata që lanë Shqipërinë në atë katandi dhe nuk po tregojnë që kanë ndonjë qasje të re, ide apo skuadër të re për të kuptuar që....

-Marrëdhëniet mes jush dhe presidentit duket sikur janë dashuri dhe urrejtje. Presidenti përmendi dhe babain tuaj në një deklaratë të enjten.

Kur Ilir Meta përmend babain tim, ndenj thjesht keqardhje të thellë për Ilir Metën, t'i vijë turp, por në fund fare kur Ilir Meta të jetë harruar njëherë e përgjithmonë, Kristaq Rama do të jetë aty, tek 'Nëna Shqipëri' dhe Heronjtë e Pavarësisë së Vlorës dhe të gjithë kur të shkojnë të nderojnë dëshmorët apo etërit e pavarësisë do të ngrenë kokën lart dhe do të admirojnë atë që Kristaq Rama i ka lënë këtij vendi. Ata që merren me familjet janë o fashistë o komunistë.

-Ju e keni akuzuar disa herë presidentin se bën rolin kreut të opozitës. A është kjo për t’i ulur vlerat Bashës?

Kur presidenti fton opozitën në zyrë dhe pastaj lëshon klithma dhe kushtrime për përmbysje të regjimit, nuk e di çfarë mund të quhet përveç se drejtues i opozitës. Kur fton opozitën dhe pastaj bashkë me opozitën bashkë bëjnë thirrje për përmbysje të regjimit, thashë kur organizon shtabin e luftës kundër qeverisë në presidencë me opozitën dhe kur del para popullit bashkë me opozitën dhe thërret popullin në miting.

-Kë do të preferonit përballë në zgjedhje, Metën, Bashën apo Berishën?

Nuk i zgjedh unë rivalët dhe nuk kam unë problem kundërshtarët në kuptimin e personit përballë, unë problem, kam problemet reale, me të cilat lufta është më e egër dhe gjatë, gjërat që duhen zgjidhur për njerëzit,

-SPAK beri disa arrestime për dosjen 339 dhe u panë komisioner nga të gjitha palët. A ishte kjo lëvizje për të balancuar...

Unë nuk jam drejtues i SPAK-ut, është institucion i pavarur. Përgjimet nuk janë prova si fillim, së dyti nga ç’kam dëgjuar unë përgjimet, nuk kam parë ndonjë hata, por unë nuk jam as prokuror dhe as gjykatës dhe çdo gjë e dëgjuar në përgjim duhet hetuar dhe verifikuar, nuk mund të gozhdohen njerëzit me përgjime në publik dhe as të arrestohen me përgjime se pastaj është fundi i të drejtave të njeriut dhe demokracisë. Ajo ishte një arsye e fortë për të bindur edhe ata që nuk ishin bindur pse duhet të ndryshohet sistemi zgjedhor. Sistemi i korrupton njerëzit. Prandaj duhen depolitizuar komisionet zgjedhore. Socialistët nuk janë engjëj dhe demokratët djaj, janë shqiptarë të ndarë me parti por të njëjtët njerëz. Por nëse i fusim në kontekste të tilla nuk duhet të çuditemi kur përballemi me fenomene të tilla. Dhe ajo që ishte më flagrante, nga pikëpamja e provës, ishte që ata që bërtasin më shumë për vjedhjen e votave rezultojnë që të jenë hajdutët më të mëdhenj të votave. Unë po flas për faktet nuk ka rëndësi kur ka fituar apo humbur, sepse mendoj që zgjedhjet në Shqipëri nuk përmbysen nga fenomenet negative, rezultati del ai që vendos populli. Nuk janë përmbysur zgjedhjet ndonjë herë nga fenomenet negative. Fenomenet negative influencojnë, si në 2011, por rezultati u përmbys nga kapja e KQZ, jo nga numërimi që prapë doli me 10 vota plus. Nuk përmbysen zgjedhjet në kuti, çështja është te tkurrja e këtyre fenomeneve dhe depolitizimi do të bëhet të neutralizohej plotësisht. Marrëveshja e 5 qershorit këtë fenomen e ngre në piedestal, do të jenë po ashtu si te dosja dhe sikur ka ndodhur gjithmonë sepse politizimi i komisioneve sjell edhe këtë sëmundje, që nuk e influencon rezultatin në pikën që ta përmbysë, por prek pjesë të caktuara të procesit.

-A do jepni dorëheqjen nëse humbisni zgjedhjet?

Unë nuk do i humbas zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe nuk do të jap dorëheqjen si kryetar i PS-së sepse do të jem i detyruar të vijoj punën. Nuk flas kurrë me nëse, se ka edhe një shprehje që flet për hallën dhe xhaxhanë edhe... kohë është shumë e shtrenjtë për t'u humbur me nëse.