Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Edi Rama: Berishës i ka ikur mendja nga 1 milion shuplakat e 23 Qershorit, nuk ka vidë t’ia shtrëngojë

Edi Rama: Berishës i ka ikur mendja nga 1 milion shuplakat e 23 Qershorit, nuk ka vidë t’ia shtrëngojë

Postuar: 15/09/2013 - 09:41

Edhe pse shqiptarët e thanë fjalën e fundit në zgjedhjet e 23 Qershorit për alternativat qeverisëse, Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon një seancë maratonë për programin e qeverisë “Rama”. Në këtë kuadër, Kryeministri i ri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetari defakto e historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, janë përballur dje për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë me akuza, debate, replika dhe shigjetime. Pas një fjalimi plot kërcënime dhe akuza të Berishës, ka reaguar dhe kryeministri Rama. Ky i fundit e nisi fjalimin e tij me një batutë, teksa tha se Berishës i ka ikur mendja nga 1 milion shuplaka në 23 Qershor. “Kur ha 1 milion shuplaka, o të vijnë, o të ikin mendtë aq larg, sa duhet vite për t’i kapur”, tha Rama. Ai ka ironizuar edhe situatën e krijuar në PD pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, ku deklaroi se PD është me tre kryetarë, Berisha, Basha dhe Paloka. Ai tha se opozita e ka një kokë në sallë, duke iu referuar Berishës, një kokë në SHQUP, duke iu referuar Bashës, por foli edhe për një kokë tjetër, e cila sipas tij e vërdallos opozitën si të dojë. “Në kujën që vutë pasi dolët nga salla, iu ankuat publikut se nuk e kishit marrë programin. E gënjyet. Se nuk ishte e vërtetë. Pastaj ju betuat se qeverisë së 1 prillit do t’ia vinit shpatullat në mur me pyetjet tuaja. E gënjyet për të dytën herë. Megjithëse nuk ishte 1 prill, pardje. Sepse nuk bëtë asnjë pyetje. Dhe pastaj për orë e orë të tëra, deri tani i thatë ç’nuk i thatë qeverisë, por për programin e qeverisë asgjë nuk thatë. E gënjyet për të tretën herë. Por këtë radhë nuk keni faj. Nuk keni faj sepse nuk e dini, ose të paktën e keni harruar ka kohë, se ç’është një program qeverie që i paraqitet Kuvendit për votëbesim. A e gënjyet tre herë, se tjetër ju thotë koka që keni këtu, tjetër ju thotë koka që keni te SHQUP-i, tjetër koka që keni rrotull dhe që e sjell rrotull opozitën si trup pa kokë, kjo është një pyetje të cilës mund t’i përgjigjeni vetë, kur ta gjeni kokën”, deklaroi Rama.

Rama, mesazh Berishës

Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të amnistojë zullumet e Sali Berishës. “Sa më parë ta fshini nga mendja iluzionin se unë do t’ju kursej në këtë foltore për të pabërat e lebetitshme që ka bërë keqqeverisja juaj, aq më të lehtë do ta keni të ngjiteni në nivelin e minimumit jetik të mirësjelljes mes njerëzve, këtu, në mes të Europës, dhe padyshim do t’u afroheni më shumë interesave të vendit dhe të zgjedhësve tuaj me të cilat jeni shumë larg në këtë zanafillë të jetës suaj opozitare. Sidoqoftë, në të gjitha rastet sjellja juaj është zgjedhja juaj. Opozita e sotme është e lirë të mos nxjerrë mësime nga obobobo ç’i panë sytë në kutitë e votimit. Ne kemi detyrën që çdo hap ta hedhim duke mësuar nga libri i trashë i arsyeve që e çuan në opozitë qeverinë e vjetër”, ka deklaruar Rama.

Rama për shqiponjën

Kryeministri Rama u është përgjigjur edhe kritikave të opozitës për shqiponjën. “Sa për shqiponjën që mori të sharat e një zonje në sallë, unë e mirëkuptoj zonjën. Të gjithë e dinë që shqiponjat arrijnë ta njohin njëra tjetrën, pikërisht, se jo të gjitha janë njëlloj. Por, ajo që zonja nuk di, dhe nuk ka faj, është se me rregullat e heraldikës dhe të shteteve serioze s’duhet të jenë identike me njëra tjetrën të tëra shqiponjat që përdorim. Po që të mos i marrim kohë publikut dhe Kuvendit duke hyrë në të thella në punë shqiponjash, besoj se mjafton për t’i qetësuar fakti se shqiponja që ka mbajtur në sup gjatë qëndrimit në Kryeministri paraardhësi im, ajo e verdha e hallakatur, ishte e ndryshme nga ajo e flamurit, por nuk ishte gabim nga pikëpamja e rregullave të heraldikës. Paçka se estetikisht ishte po aq e bukur sa qeveria juaj”, theksoi Rama.

Noka: Qeveria, pa program

Shqiptarët prisnin një program qeverie, por panë që s’u thanë asgjë. Por vetëm përralla dhe dëshira. Fjalë dhe vetëm fjalë. Një fjalim fund e krye nihilist, që nuk tregon në asnjë frazë si u bë, çfarë u bë, si do realizohen premtimet në fushatë. Nuk lexojmë objektivat e qartë strategjikë. Asnjë objektiv dhe asnjë detajim, as afate kohore dhe formën që duhet të marrin. Në fushatë premtuat parajsën, se do hanin me lugë floriri, si etërit tuaj në 1945. Pas zgjedhjeve, një hartim tjetër fund e krye demagogji. Nuk kishte program konkret as për 100 ditë, as për 300 ditë, por dhe pa program 4-vjeçar.

Bregu: Qeveria, asgjë për integrimin

I ashtuquajturi program nis me integrimin, por aty s’ka asgjë për programin e integrimit. Rama pengoi integrimin për tre vite. I zhveshi shqiptarët nga mundësia për stacionin ku meritonin të ishin me kohë. Asnjë rresht në program nuk ka sesi qeveria e re do të ndjekë procesin e integrimit. Çfarë politike të qeveritare keni ju, dhe të bëni këtë trenin ku ka hipur Edi Rama, të ecë më shpejt. Si mund të jeni kaq të dobët dhe të gënjeni, dhe bëni copy-paste të dokumenteve të qeverisë paraardhëse. Ajo që keni shkruar në program është një plagjiaturë që do ta paraqisni si të re. Po ju denoncoj publikisht sot, se gjoba juaj ndaj qytetarëve po shtohet.

Bushati: Programi për integrimin, i konsultuar

Së pari, do të doja të siguroja deputeten Majlinda Bregu, se pjesa e programit tonë është pjesë e programit të qeverisë, nuk është një program që është bërë nga një parti apo nga një tjetër. Së dyti, do të ketë një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis ministrit të Jashtëm, ministrit të Integrimit Europian, Kryeministrit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe shpresoj shumë që kushdo që do të emërohet apo zgjidhet nga ju si kryetar i Komisionit të Integrimit Europian, do të bëjë atë gjë që kam bërë unë. Nuk pres që të bëjë diçka më shumë. Nëse bën diçka më shumë edhe më mirë.
 
Bode: Modeli për ekonominë, fantazmë

Mazhoranca aktuale ka lënë në harresë premtimet e fushatës dhe po paraqet një program që nuk shpjegon se si do të vijë rritja ekonomike, apo hapja e 300 mijë vendeve të reja të punës. Mazhoranca pretendon se do të rimodelojë ekonominë shqiptare, por modeli i ri mbetet një fantazmë. Çfarë është ky modeli i ri ekonomik në programin tuaj, një fantazmë. Rritja ekonomike do të jetë në qendër të tij thotë manifesti i programit, por si dhe nga do të vijë rritja ekonomike. Taksa do të jetë progresive për të gjithë, nuk thuhet asnjë fjalë për sektorët. Ne jemi dhe do të mbetemi përballë jush një sfidë e pakapërcyeshme lehtë.

Naço: Reformë në KLD

Reforma jonë në raport me Këshillin e Lartë të Drejtësisë do të synojë rishikimin kryesisht, por jo vetëm, të përbërjes dhe statusin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve, si dhe proceset disiplinore. Në këtë proces qëllimi kryesor që do të na udhëheqë do të jetë synimi për të forcuar pavarësinë, paanshmërinë, profesionalizmin dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor. Ministria e Drejtësisë do të ndërmarrë çdo nismë ligjore, e cila ka si qëllim rritjen e kapaciteteve menaxhuese të sistemit të drejtësisë.

Keltis Kruja: Programi, tallje me qytetarët

Nënvlerësim e tallje me ata që i dhanë votën e i besuan qeverisjen së 4 vjetëve. Nuk kam parë apo dëgjuar kurrë, që detyrat funksionale të qeverisë të paraqiten si program qeverisës ashtu sikundër nuk kam parë apo dëgjuar kurrë në asnjë demokraci normale që një qeveri të bëjë disa mbledhje si e tillë, pa u dekretuar, pikërisht për t’u përgatitur e për të mos humbur kohë, e të paraqitet para popullit e përfaqësuesve të tij me këtë fletore të sajuar shpejt e shpejt. Në asnjë rast, për asnjë reformë ligjore apo administrative, nuk jepet asnjë afat, nuk shpjegohet asnjë mënyrë e nuk është llogaritur asnjë kosto.

Lefter Koka: Do ulim ndotjen

Qeveria do të synojë uljen në 30% të nivelit të ndotjes në zonat urbane nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të gjelbëria në zonat urbane, kontrollit të injektimit të pluhurit në zonat urbane duke aplikuar teknologji të reja monitorimi. Përdorimi i karburanteve kërkon kritere të bashkimit evropian, zbatimi të standardeve të rrepta që ndotin ajrin. Zhvillimet urbane kaotike, migracioni, legalizimet pa infrastrukturën nëntokësore rrugore kanë bërë të mundur që sot situata e mbetjeve urbane në Shqipëri të jetë ndoshta nga më problematiket në rajon.

Patozi: Qeveria, me dy kryeministra

Z. bashkëkryeministër, tashmë i zgjedhur Ilir Meta dhe bashkëkryeministri i votuar Edi Rama! Sot është dita e qeverisë me dy koka. Ju sot merrni në dorëzim me letra një Shqipëri normale, çelësat e një atdheu ku shqiptarët janë më mirë se 8 vite më parë. Të paktën mos e ktheni në delen e zezë të Europës kur ta lini pushtetin. Po e merrni me një infrastrukturë moderne falë dy qeverive të fundit të Sali Berishës. Nuk pres të ndërtoni rrugë të reja, por të paktën mos i prishni ato që i kemi ndërtuar. Mos i ulni pensionet e pagat se do bëheni gazi i botës. Mos lini ekonominë e 4 milionë shqiptarëve të bjerë në greminë.

Mediu: Mazhoranca fyeu opozitën

Shqipëria ka arritur hapa përpara, për shkak të reformave. Ndihma e parë që mund t’i japim aleatëve tanë, është të sillemi të përgjegjshëm. Në një krizë ekonomike botërore, ne arritëm të ruanim zhvillim ekonomik të vendit. Investuam në çdo zonë të vendit. Ne i bëmë, ju duhet të bëni pjesën tuaj. Ne nuk do hezitojmë të mbështesim projektet në interes të reformave të vendit. Por, cilat janë projektet tuaja konkrete dhe si do t’i realizoni?! Nuk pritëm vetëm ne, por të gjithë shqiptarët. Ajo që dëgjuam si çdo herë tjetër ishte sharja dhe fyerja e opozitës, sharja dhe fyerja e punës së shqiptarëve në këto 8 vite.

Topalli: Rama e mori gati Shqipërinë

Për të marrë atë karrige premtove oqeanin, diellin, hënën. Premtimet ishin false dhe pse të bukura shumë të bukura. Të marrësh detyrën pasi vendi ka bërë rrugën më të gjatë në një kohë të shkurtër, duhet të matesh me arritjet dhe ato janë të mëdha. Është e vërtetë se Shqipëria dhe shqiptarët kanë dhe halle e probleme, por ti e ke gati Shqipërinë, me rrugë standarde të mira, por ti nuk e pranon, ky është nihilizëm. Është e vërtetë që ka të papunë, por është e vërtetë që ti Shqipërinë e kë gati me rritje rrogash e pensionesh. Rama këto i quan rrënim. Shqipërinë e ke gati, rrugët i ke gati, TAP-in e ke gati, Devollin e ke gati, por ti këto i mohon dhe prandaj thërret e bërtet rrënim. Adriatik Doçi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 23:25

Presidenti, Ilir Meta pasi ç’dekretoi zgjedhjet e 30 Qershorit, caktoi një tjetër datë që shqiptarët të vononin. Kjo datë sipas tij ishte pikërisht dita e sotme, 13 tetor 2019.

Postuar: 13/10/2019 - 22:59

Avokati Altin Goxhaj shprehet se ka ndodhur në Paris, marsin e kaluar një takim mes kryeministrit

Postuar: 13/10/2019 - 22:35

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me shoqërimet e kryera tek Unaza e

Postuar: 13/10/2019 - 22:01

Ish-deputeti i LSI, Petrit Vasili shprehet se mbështet deri në fund politikisht, si dhe nga pikëp

Postuar: 13/10/2019 - 21:31

Kryedemokrati, Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas shoqërimit në polici të ish-deputetit Klevis Ba

Postuar: 13/10/2019 - 21:02

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias ka ripërsëritur se një prej kushteve kryesore që kërkon At

Postuar: 13/10/2019 - 20:44

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji shprehet se protesta ishte e ligjshme dhe se policia po vepr