Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Edi Rama përjashton mbledhjen e radhës me Maqedoninë, qetëson serbët për bashkimin e kufijve

Edi Rama përjashton mbledhjen e radhës me Maqedoninë, qetëson serbët për bashkimin e kufijve

Postuar: 12/01/2014 - 09:26

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare, e mbajtur në Prizren, partitë politike shqiptare të Maqedonisë nuk u ftuan. I pyetur nga mediat, nëse mbledhja e Vlorës do të përfshinte edhe qeverinë e Maqedonisë, Rama u përgjigj prerë se mbledhja në Vlorë do të jetë mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës. “Ç’punë kanë maqedonasit në këtë mbledhje, ne po flasim për mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive”, tha Rama. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi e ka quajtur marketing politik takimin e drejtuesve të Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës në Prizren.  Thaçi është shprehur i revoltuar që kryeministri Edi Rama dhe Hashim Thaçi janë fokusuar vetëm në gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ndërsa kanë anashkaluar pa thënë asnjë fjalë për 1 milion shqiptarët e Maqedonisë. 
 
Rama qetëson serbët 
Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës, mbajtur në Prizren ditën e djeshme, sqaroi se nuk do të ketë bashkim kufijsh me Kosovën. Lideri i qeverisë, siguroi se i qëndron besnik marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. “Nëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive, një kombi të shtrirë në dy shtete, bëhet arsye trembjeje, apo nga ana tjetër inkurajimi, për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare, dua ta them kryekreje, kthjellët dhe fort, se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është për ne shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm, si një vijë që na kujton, qoftë pamundësinë e historisë nga njëra anë, apo përpjekjen heroike që solli krijimin e shtetit të dytë shqiptar nga ana tjetër, dhe qoftë edhe detyrimin tonë për t’i qëndruar besës së dhënë atyre, pa të cilët Kosova e lirë dhe pavarur do të kishte mbetur një ëndërr e përgjakur, SHBA-ve dhe BE-së”, u shpreh Rama. Kosova e Shqipëria firmosën dje dokumentin e partneritetit strategjik mes dy shteteve, i cili do të mbështetet në katër shtylla: Politika e jashtme dhe e sigurisë, Drejtësia dhe Çështjet e brendshme, Ekonomia, energjia, transporti, turizmi dhe mbrojtja e mjedisit, Kultura Arsimi dhe Shkenca. Kreu i mazhorancës, deklaroi se mbledhja e dy qeverive shërbeu si gur themeli për hapjen e një rruge të re për zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Ishte një mbledhje pune që vuri një gur themeltar duke çelur një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik social e kulturor në dy shtetet tona dhe mbarë hapësirën shqiptare që përkufizojnë këto dy shtete. Deklarata e përbashkët për bashkëpunim është gur i themelit të një strategjie të përbashkët për zbatimin e politikave të përbashkëta në planin ekonomik, social e kulturor. Të gjitha janë në funksion të jetës së përditshme të shqiptarëve tanë të dy shteteve tona, në funksion të jetës së gjeneratave të tjera”, tha Rama. 
 
Mbrojtja e të drejtave
Kryeministri Rama siguroi mbështetjen e tij, ndaj të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve zyrtarë. “Një rëndësi e posaçme duhet dhe do t’i jepet mbështetjes dhe mbrojtjes me vendosmëri të bashkuar të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve tanë zyrtarë. Për të rishënjuar këtë vendosmëri, kjo mbledhje përfshin një gjest të shumëpritur qoftë nga Tirana, qoftë nga Prishtina dhe jo thjesht simbolik, në mbështetje të shqiptarëve të Preshevës. Vendosmëri kjo, që në anën tjetër të medaljes ka angazhimin e dy shteteve shqiptare në mbrojtje të çdo pakice dhe promovimin e të drejtave të pakicave në gjithë rajonin”, pohoi Rama. Ndërkaq, kreu i qeverisë u ndal dhe të lufta ndaj Kosovës, duke u shprehur krenar për Pavarësinë e saj. “Ne jemi të gjithë krenarë për Kosovën, e cila doli e përgjakur nga një sundim i gjatë ku u trajtua si pakicë për t’u shtypur dhe spastruar, dhe pastaj nga një luftë e madhe ku humbi shumë bij dhe bija, por jo vetëm nuk ktheu pavarësinë e vet republikane, të fituar me urtësi e me gjak, në një forcë shtypëse ndaj pakicave, por u kthye e tëra në modelin më shembullor të rajonit për mbrojtjen dhe respektin ndaj pakicave”, tha kryeministri.
 
 
Konferenca për shtyp e Ramës dhe Thaçit 
-Përsa i përket marrëveshjes së partneritetit strategjik, a përfshihet bashkimi i shërbimit diplomatik mes Kosovës dhe Shqipërisë? 
 
-Thaçi: Kemi marrë sot vendime në takimin e përbashkët si dy qeveri edhe për hapjen e konsullatave tona të përbashkëta. Në fillim është dakorduar që të hapen dy, natyrisht do të vazhdohet. 
 
-Rama: Do të avancojmë për të sinkronizuar burimet tona financiare në aspektin e shërbimit konsullor, për të racionalizuar shfrytëzimin e këtyre burimeve dhe për të lehtësuar shërbimet për bashkëqytetarët tanë përmes konsullatave tona. 
 
-Ju sot u dhatë mbështetje të gjithë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, a do të vazhdojë përkrahja nga dy qeveritë? 
-Rama: Ne i kemi dhënë sot formë përfundimtare një angazhimi të marrë, një zotimi që ka qenë i përbashkët për të asistuar dhe finalizuar përpjekjen për të ndërtuar maternitetin dhe për tu dhënë mundësi nënave të reja në Luginë që ta marrin shërbimin e nevojshëm brenda komunave përkatëse, duke filluar nga komuna e Preshevës. Është një domosdoshmëri por njëkohësisht edhe një gjest sa simbolik aq edhe i nevojshëm, për të krijuar kushtet që fëmijët në atë Luginë të lindin normalisht, pa krijuar detyrimin për nënat e reja që të marrin dhjetëra kilometra për një shërbim që nuk është vetëm i një dite, por në vazhdimësi. Një fond më natyrë humanitare në funksion të lehtësimit të kushteve të vështira të shqiptarëve të Luginës dhe në koherencë të plotë me angazhimin tonë kushtetues, por dhe politik publik të përbashkët të dy qeverive për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo ju ata jetojnë. 
 
-Thaçi: Themelimi i fondit për Preshevën është një çështje humanitare. Është në përputhshmëri me të drejtën ligjore të dy vendeve tona. Jemi në konsultime të vazhdueshme edhe me lidershipin e shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanovç dhe dëshiroj ti përshëndes edhe ata. Ne do jemi afër qytetarëve në Preshevë për afirmimin e drejtave të tyre kombëtare dhe demokratike. 
 
-Çfarë ndryshimi do të sjellë ky partneritet strategjik për shqiptarët dhe çfarë impakti do të ketë në rajon? 
 
-Thaçi: Bashkëpunimi strategjik do të bazohet në të gjitha fushat institucionale, në politikën e jashtme Kosova ka nevojë për mbështetje. Do të vazhdojmë me integrimin e Kosovës në organizata rajonale dhe kombëtare. Synimi dhe qëllimi ynë është të jemi pjesë e NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara. Do të ketë bashkëpunime dhe sa i përket aspekteve të sigurisë, politikës së brendshme, luftës kundër krimit, korrupsioni dhe trafiqeve. Do të vazhdohet me bashkëpunim me arsim kulturë, tregti të lirë, në të gjitha sferat institucionale. 
 
-Rama: Bashkëpunimi që këtu e më tutje do të jetë bashkëpunim i bazuar në domosdoshmërinë për të krijuar rezultat konkret në çdo fushë, në përfitim të bashkëqytetarëve tanë këtej dhe andej kufirit dhe në funksion të bashkimit të rrugëve tona në rrugën e Bashkimit Evropian. Rezultat korrekt në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete që promovojnë një demokraci dhe tolerancë për pakicat, të cilën jo vetëm popujt tanë në të gjithë rajonin por edhe vetë Europa ka nevojë të vazhdueshme. 
 
-Thatë që mbledhja e radhës do të jetë në Vlorë, a do ta ftoni edhe kryeministrin e Maqedonisë, apo do të prisni derisa të jetë homolog një shqiptar? 
 
-Rama: Nuk kuptoj çfarë hyn kryeministri i Maqedonisë në një mbledhje të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Ne duam dhe do të bëjmë mbledhje të kësaj natyre edhe me qeveri të tjera. Në thelb mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës është unike dhe e pareplikueshme. 
 
 
 
 
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/07/2019 - 16:37

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Grupit Ndërinstit

Postuar: 20/07/2019 - 16:17

Zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka reaguar sa i takon dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pos

Postuar: 20/07/2019 - 15:35

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë krimin elektoral të 30 qershorit.Opozita ka kal

Postuar: 20/07/2019 - 14:55

Kreu i LDE-së Arian Galdini ka reaguar lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i Kryem

Postuar: 20/07/2019 - 14:51

Pas aktit të dorëheqjes së parevokueshme të Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës, ka ardhur