
Postuar: 19/06/2018 - 19:25
Kriza e emigrantëve ka mbledhur në një takim në Bruksel ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve ishte edhe Fatmir Xhafaj me ftesë të Komisionerit për Migracionin, Punët e Brendshme dhe Shtetësinë të Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos. Në takim u diskutuan çështjet që lidhen me sigurinë, menaxhimin e kufirit dhe migracionin.
Kryefjala e takimit ishte rritja e bashkëpunimit rajonal me mbështetjen e BE-së lidhur me menaxhimin më efektiv të kufijve dhe luftën kundër kontrabandimit të personave për të frenuar flukset e imigrantëve të parregullt. Xhafaj theksoi se përgjigja e vendeve të rajonit duhet të jetë e njëzëshme, ku secili nga vendet të mbajë përgjegjësitë që i takon, për përballimin e sfidave të përbashkëta, pasi çdo lëshim i një vendi do të kthehet në barrë për tjetrin.
“Ne i njohim përgjegjësitë tona edhe në këtë rast, ashtu sikundër kemi vepruar dhe jemi angazhuar me shumë përgjegjësi në sfida të mëdha, si ato për çështjet e azil kërkimit, luftës ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar e në një sërë fushash të tjera me interes të përbashkët me vendet anëtare të BE-së.”, ka deklaruar ministri Xhafaj.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, në këtë kontekst, vendet e rajonit u angazhuan gjithashtu të vazhdojnë përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe në adresimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, duke parandaluar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm, si dhe të rrisin përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve të zjarrit. Takimi u zhvillua gjithashtu edhe në kontekstin e përgatitjes së Ministerialit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Tiranë më 4 dhe 5 tetor, me pjesëmarrjen e Ministrave të Brendshëm, mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/