Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Guvernator i huaj, politika dhe ekspertët kundër, ligji për BSH e lejon

Guvernator i huaj, politika dhe ekspertët kundër, ligji për BSH e lejon

Postuar: 10/09/2014 - 07:47

Politikanë dhe ekspertë të ekonomisë shprehen kundër idesë që në krye të Bankës së Shqipërisë të emërohet një shtetas i huaj. Në një prononcim për gazetën “Sot”, ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj, ka deklaruar se nuk do të preferonte që Guvernator i Bankës së Shqipërisë të emërohej një person i huaj. Sipas tij, kryeministri Edi Rama shprehu qartazi se në krye të BSH do të vihet një person me profil të lartë ndërkombëtar, çka sipas Brokajt, nënkupton se Guvernatori do të jetë shqiptar i njohur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. “Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp tha se Guvernatori i ri do të ketë profil të lartë ndërkombëtar, çka donte të thoshte se është shqiptar i njohur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore dhe që ka punuar në këto institucione. Unë kështu e kuptova të paktën. Dhe, nëse do të ishte vërtet kështu, do të ishte shumë mirë. Unë personalisht nuk do të pëlqeja që shefat e mi të më sillnin një person të huaj”, deklaroi ish-ministri Brokaj. Në të njëjtën linjë ka vijuar dhe avokati Spartak Ngjela i cili është shprehur kundër emërimit të një Guvernatori të huaj në Bankën e Shqipërisë. 
 
Ekspertët 
 
Ekspertët e ekonomisë kanë shprehur qëndrimin kundër zgjedhjes së një Guvernatori të huaj në BSH. Duke nënvizuar pjesën e profilit ndërkombëtar, ekspertët bashkohen në mendimin se Guvernatori i ri duhet të jetë i pavarur, jo me prejardhje politike, por kurrsesi i huaj. Eksperti Arben Malaj, ka deklaruar se Shqipëria nuk ka eksperienca të mira në drejtimin e institucioneve nga të huajt, duke përmendur këtu CEZ-in, Albtelekomin etj. Por, gjithashtu edhe kapacitetet shqiptare të denja për këtë post janë të shumta. Duke ardhur te pjesa e ligjit të ri që është duke përgatitur Kuvendi i Shqipërisë, Malaj është shprehur se këtu mund të merret ndihma e huaj, por vetëm në formë asistence këshillimore. Në të njëjtën linjë ka vijuar edhe eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, i cili deklaroi se ligji i ri duhet të ruajë pavarësinë e këtij institucioni. Malaj dhe Preçi kanë propozuar që mbikëqyrja të jetë më vete nga drejtimi i bankës. Ndërsa eksperti Selami Xhepa, ka deklaruar se një guvernator i huaj mund të jetë zgjidhje shumë e mirë për t’i kthyer besimin institucionit. Xhepa shtoi më tej se, Guvernatori nuk duhet t’i përkasë kurrsesi politikës. “Pavarësisht dorëheqjes në Këshillin Mbikëqyrës dhe arrestimit të Fullanit, unë e shikoj si fillimin e zgjidhjes së problemit. Struktura e bankës është e rëndësishme të rifreskohet me personalitete e figura të reja. Teza e marrjes së një guvernatori të huaj nuk është e re, ka patur shembuj në shumë vende të botës. Kjo praktikë është zbatuar në ato raste kur vendi ka kaluar në kriza të rënda financiare, me qëllim rikthimin e besimit të sistemi bankar. Si përshembull Argjentina në vitin 2000 kur pati një krizë të thellë financiare. Ideja për një guvernator të huaj më duket shumë e pranueshme, por që të jetë personalitet global dhe t’i japë kredibilitet. Por në rastin konkret Shqipëria ka nevojë për besueshmëri në tregun e brendshëm dhe jo atë global. Problemin ne e kemi me pjesën tonë të brendshme dhe jo me pjesën tjetër të botës. Por mund të jetë edhe shqiptar, por e mira është që të mos ketë qenë pjesë e politikës. Nëse do të respektohen këto kritere mua do të më dukej zgjidhje ideale”, thotë Xhepa. Por eksperti i ekonomisë ndalet edhe te largimet e fundit në Këshillin Mbikëqyrës së Bankës, duke argumentuar se edhe në rastin e emrave të rinj, duhet të zbatohen kritere të forta profesionale, dhe më kryesorja mos të vijnë nga politika. 
 
Ligji i BSH nuk e përjashton Guvernatorin e huaj
 
Ndonëse politikanët dhe ekspertët shprehen kundër emërimit të një individi të huaj në krye të Bankës së Shqipërisë, ligji për këtë të fundit nuk e përjashton një gjë të tillë. Konkretisht në ligjin për BSH thuhet se të nëntë anëtarët e Këshilli Mbikqyrës, përfshi këtu dhe kryetarin, zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë. Por, është Presidenti i Republikës, ai i cili emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave. 
 
Neni 44 i ligjit për BSH
 
1. Këshilli Mbikqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë, si më poshtë:
- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë - kryetar i Këshillit Mbikqyrës;
- zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë - zëvendëskryetar i
Këshillit Mbikqyrës;
- zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë;
- gjashtë anëtarë.
2. Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi
Popullor i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:
a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi Popullor;
b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;
c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në
propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave.
Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron
zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori. 
 
Eksperti i sigurisë: Guvernatori i ri të jetë shqiptar
 
Eksperti i sigurisë, Fabian Zhilla ka deklaruar se, Këshilli Mbikqyrës dhe punonjësit e Bankës së Shtetit nuk janë të ndarë nga klasa politike. Zhilla e lidh këtë me faktin që vetë kompozimi i Këshillit Mbikqyrës apo edhe emërimet në të, janë të tilla që nuk mund të flitet për një pavarësi nga politika. “Vetë kompozimi i Këshillit Mbikqyrës, deri diku, sepse jemi në raportin e kontrollit dhe balancimit. Vetëm emërimet që ndodhin në Këshillin Mbikqyrës, 5 anëtarët emërohen nga Parlamenti, 3 nga Këshilli i Ministrave dhe një nga vet Këshilli Mbikqyrës, çka do të thotë se nuk mund të flasim për një ndarje dhe pavarësi sterile nga klasa politike dhe kjo mbase nuk duhet kërkuar në këtë kontekst. Në momentin që Banka Qendrore del jashtë kontrollit efektet në tregun financiar janë të paparashikueshme, kam parasysh këtu 1997 dhe Shqipërisë nuk do i duhej një 1997 e dytë”, u shpreh Zhilla. Në lidhje me debatin, nëse Guvernatori i ri duhet të jetë i huaj apo shqiptar, Zhilla tha se prioritet duhet t’i jepet ekspertëve shqiptarë. 
 
Topi: Këshilli Mbikqyrës përgjegjës për vjedhjen e BSH
 
Ish-presidenti Bamir Topi, ka komentuar ngjarjet e fundit të ndodhura në BSH. Topi deklaroi se politika duhet të hesht dhe nuk duhet të ndërhyjë në çështje që i takojnë drejtësisë. Topi nuk u ndal tek arrestimi i Fullanit, duke shtuar se “nuk komentoj rreth zhvillimeve pas vjedhjes". Më tej Topi, duke u ndalur tek deklarata e kryeministrit Edi Rama, në lidhje me faktin se Këshilli Mbikëqyrës nuk ka përgjegjësi sa i takon vjedhjes, kreu i FRD-së, theksoi se kjo nuk është e vërtetë. “Deklarata e Ramës ishte gabim. Si ka mundësi që të deklarohet se një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës mos të ketë përgjegjësi. Aq me tepër nuk i lejohet Kryeministrit të jap komente rreth një çështje që është ndryshe. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të jenë njerëz që marrin rrogën e 9 apo10. Pasi ka një ligj që e përcakton qartë këtë. Ndaj është e turpshme që vjen nga një zyrë kryeministër, ku thuhet se s’ka përgjegjësi. S’duhet të përmend emra, të personave që janë pjesë e 9 bordeve”, tha Topi. 
 
Haxhia: Fullani i shokuar pas arrestimit
 
Avokati i Ardian Fullanit thotë se ai është i stresuar pas arrestimit. Sipas Maks Haxhisë, pas 30 vitesh punë, Fullani e sheh veten në burg. “Kuptohet që, kushdo që ndodhet në atë situatë, nuk është situatë e pëlqyeshme; është një situatë nën stres dhe një situatë ku e sheh veten, pas një veprimtarie, kontributi në profesionin tënd, në detyra shtetërore mëse 30-vjeçare dhe përfundon një ditë si ajo e djeshmja, ku z.Fullani, guvernator i Bankës së Shqipërisë, përfundon pas hekurave nën akuzën e shpërdorimit të detyrës”, tha Haxhia. Ai konfirmoi faktin që Fullani ka mbetur i habitur nga akuzat e prokurorisë ndaj tij. “Natyrisht që e konfirmoj, sepse z.Fullani, për mendimin tim kuptohet dhe me aq sa ne jemi njohur me materialin, nëpërmjet Gjykatës dhe jo nëpërmjet organit të akuzës, në të gjithë atë material ne konstatojmë se nuk ekzistojnë elementët e veprës penale, të asnjë lloj vepre penale dhe aq më pak të shpërdorimit të detyrës”, tha ai. Joana Tafa
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 23:25

Presidenti, Ilir Meta pasi ç’dekretoi zgjedhjet e 30 Qershorit, caktoi një tjetër datë që shqiptarët të vononin. Kjo datë sipas tij ishte pikërisht dita e sotme, 13 tetor 2019.

Postuar: 13/10/2019 - 22:59

Avokati Altin Goxhaj shprehet se ka ndodhur në Paris, marsin e kaluar një takim mes kryeministrit

Postuar: 13/10/2019 - 22:35

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho ka reaguar në lidhje me shoqërimet e kryera tek Unaza e

Postuar: 13/10/2019 - 22:01

Ish-deputeti i LSI, Petrit Vasili shprehet se mbështet deri në fund politikisht, si dhe nga pikëp

Postuar: 13/10/2019 - 21:31

Kryedemokrati, Lulzim Basha ka reaguar ashpër pas shoqërimit në polici të ish-deputetit Klevis Ba

Postuar: 13/10/2019 - 21:02

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dhendias ka ripërsëritur se një prej kushteve kryesore që kërkon At

Postuar: 13/10/2019 - 20:44

Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji shprehet se protesta ishte e ligjshme dhe se policia po vepr