BREAKING NEWS

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon paralajmërimin ‘bombë’ për Presidentin: Çështja e floririt do të...

“Meta si oktapodi”, shpërthen Frrok Çupi dhe lëshon
x

Opinion / Editorial

I pashpresi premton qiejt!

I pashpresi premton qiejt!

Asgjë nuk ka ndryshuar tek PD që të sjellë ndryshim për të tjerë.

E udhës do të ishte, që pas 30 vjetësh demokraci edhe beteja zgjedhore të ishte më e qetë dhe racionale. Por ja që ka mjaft delir dhe zhurmë, sidomos nga PD, që ende si dikur vijon me karvanë makinash, rreshtore e parada flamujsh, tubime sikur të mos kishte COVID, trashje zërash… dhe të gjitha këto për të trumbetuar kauzën për ndryshim! U bë kohë që zhurma zgjedhore nuk e ka më efektin e dikurshëm. Përveçse teatrale, siklet e trishtim, ajo nuk bën më diferencën, vetëm nëse për keq, e as ngjall besim shtesë apo shton radhë votuesish. Tam-tamet e festës tek PD pas atyre që u mbetën në derë përjetë, retorika e masivitetit me shifra qesim pjesëmarrësish që rreket të stimulojë psikozën e shumicës (!) dhe “gravitetit” në rritje rreth PD (deri me lojëra kamerash që një dron i nxjerr zbuluar) etj. marifete zgjedhore, nuk shtojnë pikë tek kuota e PD, përkundrazi, thjesht shpalosin imazhin tepër arkaik të PD në komunikimin e saj me votuesin. Votuesi ka “peshoren” e tij dhe entuziazmi nuk injektohet me zor e nga hiçi prej politikës lart. Zhurma zgjedhore as nuk shurdhon e as nuk hipnotizon si dikur. Malli mirë shet veten dhe ai që bërtet më shumë është ai që i ka mbetur gjëja stok dhe kjo sikur të rikujton pse nuk ia vlen të kuturisësh me të. Asgjë nuk ka ndryshuar për PD këto 4 vjet, përveçse për keq (qëndrimi ndaj reformës në drejtësi, bojkoti i zgjedhjeve lokale, parlamentit, molotovët etj.) që papritmas PD të ngjallë besim për ndryshim për mirë, për të gjithë. I vetmi ndryshim që PD mund të ofrojë është rikthimi pas në kohë. Rotacioni politik nuk ndodh se të teket ty, por kur pushteti lodhet dhe opozita rigjenerohet duke ofruar shpresë. Kjo nuk ka ndodhur, përkundrazi PD mbetet e lodhura kronike dhe PS e ethshmja për punë. Ndaj dhe si e pashpresë, sot PD premton qiejt!

Konstantja zgjedhore në Shqipëri

Bashkë me fushatën zgjedhore, nisi si zakonisht edhe moria e sondazheve rreth preferencave të votuesit, problemeve, pritshmërive etj. Pavarësisht debatit rreth tyre, ato përgjithësisht janë me vlera si për hartimin e programeve elektorale, qasjen e komunikimit me votuesin etj.

Ajo që stonon është spekulimi eventual që mund të bëjnë partitë me to. Sidomos me sondazhet për preferencat partiake, kryeministrin e ardhshëm etj, ku tentohet të kapitalizohet mbi rezultate që u vinë sipas oreksit partive me synim intimidimin e votuesit, krijimin e psikozave të fitimtarit, “ortekëve” partiakë, merakut të shpërdorimit të votës etj me ndikim tek motivimi votuesit, adresimi votës etj. Vota meriton respekt dhe ajo nuk duhet marrë e mirëqenë. Nëse politika spekulon me to, jo vetëm rrezikon bumerang, por dhe kompromenton institucionin e sondazhit në sytë e opinionit publik. Ato mund të paragjykohen, deri të shihen si të kurdisura nga vetë partitë si shtojca të marketingut politik. Vota dhe jo sondazhet apo pritshmëritë e trumbetuara përcaktojnë kryeministrin e radhës dhe politika nuk ka punë t’i ngrejë mendjen kot votuesit duke bërë që rezultati të shihet nga ca si triumf e nga ca si qamet duke mbajtur peng kohezionin social. Nëse flasim për parashikime zgjedhore, e vetmja tablo e bazuar në shifra reale është dinamika e zgjedhjeve këto 30 vjet (të përgjithshme, lokale, referendume) ku ka një konstante zgjedhore me PS pjesën e luanit tek “torta” zgjedhore. PD gjithnjë ka qenë forcë e dytë dhe asgjë nuk ka ndryshuar për mirë për të, që të ndodhë ndryshe më 25 prill.

Si “underdog” (sfidanti nga poshtë) i përhershëm edhe për këtë 25 prill, falë dhe inercisë së “besës” ndaj partive, PD mbetet e para në radhë për rotacion, por ky i fundit nuk është punë radhe, por imazhi dhe bilanci dhe retorikat e matja me hijen e mëngjesit nuk pinë ujë.

Kutia e Pandorës dhe universi paralel i PD!

Sazet e “dasmës” zgjedhore të PD bien kot se nuk bëhet fjalë as për “dhëndër” të ri si më 1992, as për “dhëndër” që ndan çiftin tjetër dhe as për “dhëndër” me pahir se po ikën mosha dhe u mbeti në derë! PD nuk e ka për herë të parë që “dhëndëron” por bilanci negativ e katastrofik në qeveri e opozitë i saj është monumental dhe sa kohë mbetet e pareformuar, PD shihet si kutia e Pandorës në politikë.

PD sot refuzon të njohë realitetin (“in denial”- anglisht) dhe përjeton një tjetër univers paralel ku ajo vetëm fiton! Nuk do të besojë atë që e di që e dinë të gjithë. Ndaj dhe në dëshpërim dhe sokëllitur në fushatë si ai që e zë nata në pyll, rreket si në një rreth vicioz t’i mbushë mendjen vetes së pari se fitorja është në prag, me shpresë se kjo do u mbushë mendjen atyre që u venë pas dhe këta të fundit pastaj duke e brohoritur në shesh do e bindin atë vetë se nuk po ëndërron! Ndaj dhe bën fushatë e feston paradhënie në butafori fitoren imagjinare dhe pasi nanurisi veten kaq vite në opozitë, nanuris sot të gjithë se do sjellë ndryshimin kur atë nuk e bëri as tek vetja në 8 vjet. Dhe e ka bërë udhë këtë gjë. Çdo katër vjet, bën një muaj “dasmë” dhe e djeg se e di që e presin vite prapë në opozitë. E mban fort, si shumë parti në garë, një “biletë” fati në xhep, por e di se jeta e njerëzve nuk është lotari dhe vota nuk jepet për sport. E kështu do vazhdojë derisa PD më së pari të fitojë betejën me veten e saj.