Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ilir Meta paralajmëron Sali Berishën: Pas 23 Qershorit të pret gjyqi dhe ndëshkimi si në ’96

Ilir Meta paralajmëron Sali Berishën: Pas 23 Qershorit të pret gjyqi dhe ndëshkimi si në ’96

Postuar: 19/04/2013 - 10:12

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka paralajmëruar  hapur kryeministrin Berisha që të mos guxojë të prekë votat e 23 Qershorit, pasi pas zgjedhjeve e pret gjyqi dhe ndëshkimi qytetar si në vitin 1996. Kreu i LSI, Ilir Meta, ka deklaruar dje se opozita shqiptare nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, ndërsa tha se Berisha do t’i humbë ato edhe sikur t’i marrë të shtatë anëtarët e KQZ. Duke u ndalur gjithnjë tek tensioni parazgjedhor, Meta deklaroi se Komisioni Qendror të Zgjedhjeve nuk ekziston më. Ai deklaroi se KQZ ka rënë që në momentin kur pseudo-mazhoranca e shkatërroi. Kreu i LSI tha më tej se Berisha është i tronditur nga aleanca PS-LSI dhe nga rotacioni i sigurtë politike.

-Çfarë ndjesie është të riktheheni përsëri në opozitë?

Në politikë kam hyrë si opozitar dhe si një parti opozitare. Kjo ndjesi është e njohur mirë tashmë.

-Më kujtohet kur ishim në këtë studio në muajin prill. E habitshme se sa shumë gjëra ndodhin në një vit?

E vërtetë, por ndryshimet më të mëdha nuk kanë ndodhur akoma, do të jenë ato në tre muajt e ardhshëm.

- Le t’i kthehemi temës së ditës, KQZ-së. Përtej argumentit politik, argumenti i dytë i mazhorancës është ai i pakorrektësive në CV-në e zotit Muho. A mendoni se ishte një gafë naive ajo e mosdeklarimit?

Lidhur me pretendimet e pseudomazhorancës, sepse e tillë është tashmë, mund të them se ka humbur logjikën, kontrollin, arsyen dhe çdo lloj përgjegjësie përpara vendit. Nuk e përtypin dot atë rotacion të domosdoshëm, të pashmangshëm dhe të sigurt. Ajo që ndodhi me minimin e pavarësisë së KQZ-së ka të bëjë me prishjen e standardit të zgjedhjeve, në mënyrë antiligjore dhe antikushtetuese, e në mënyrë të njëanshme. Natyrisht që do të ketë ndikim, por mendoj se në fund do të jetë pozitiv, në drejtimin e një angazhimi më të madh të opozitës dhe të të gjithë shqiptarëve. Në rastin konkret është një gënjeshtër e madhe preteksti se ky person kishte problem ligjor, është një mashtrim i hapur, që erdhi si reagim pasanikut të një kundërshtimi të gjerë dhe të ashpër për nismën e politizimit ekstrem të KQZ-së dhe gjoja arsyetimit se KQZ është politike, diçka që bien ndesh me përcaktimin e kushtetutës. Ndaj zotërisë është marrë një masë administrative, kjo është e vërtetë, për përgjegjësinë e tij të vlerësimit të aktit të një vartësi dhe ky prokuror, që gjithashtu u shkarkua, e fitoi në Gjykatë të Lartë këtë pretendimin e tij. Për rastin e Muhos ka pasur një dekret të president Moisiut, nuk ka asnjë fshehje, por edhe sikur të ishte kapur me një kundravajtje të vërtetë, koha e rehabilitimit, e përcaktuar në ligj, ishte shlyer. Qëndrimi i dyfishtë i Partisë Demokratike është i habitshëm, e mund t’iu them që kryetari i mëparshëm i KQZ, i propozuar nga kjo mazhorancë ka qenë i arrestuar nga presidenti Berisha dhe madje edhe i dënuar, por edhe për ata që dënohen penalisht ka procedura rehabilitimi, prandaj asnjëherë nuk është përdorur si argument. PD po kalon në një arrogancë të madhe në cenimin e institucioneve, me qëllim të kontrollojë të gjithë jetën politike dhe ky përbën një shqetësim për demokracinë, standardet europiane që duhet të ketë shoqëria. Jemi në një moment që standardi i zgjedhjeve është dhunuar, por kjo nuk do të pengojë në asnjë mënyrë rotacionin, pasi opozita është e motivuar, e ka mundësitë dhe instrumentet për të mbrojtur fitoren plebishitare.

-Çfarë do të ndodhë me KQZ? PS tha që nuk do të propozojë emra të rinj. A do ta bëjë këtë LSI?

- LSI nuk mund të bëhet pjesë e kësaj farse. Ne sot nuk kemi një KQZ, nuk është më siç e përcakton kodi, e pavarur. Nuk është dhunuar vetëm një person, që u hoq në mënyrë të paligjshme, por u dhunua institucioni. Ky ka qenë edhe shkaku i reagimit individual të anëtarëve të tjerë të KQZ. Në përpjekjen për të kontrolluar në mënyrë të paligjshme, nuk mund të bëhet lojë edhe opozita.

-Po shohim një seri braktisjesh të opozitës, nga KQZ, tek zëvendëskryetari i Kuvendit, Nasip Naço, që paraqiti sot dorëheqjen e tij.

Opozita nuk po braktis asgjë, përkundrazi do të shumëfishojë forcat dhe energjitë e saj. Po kështu, opozita nuk kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, por afrimin nëse ka mundësi. Opozita ka çdo kapacitet dhe instrument për të garantuar dhe një votë të vetme, kudo që ndodhet në të gjithë vendin. Sot, të gjithë prozhektorët brenda dhe jashtë vendit janë fokusuar tek Sali Berisha, njeriu që po shkatërron zgjedhjet, njeriu që kujton se vetëm duke pasur kontroll absolute mbi çdo institucion do të imponojë shumica që nuk ekzistojnë, pasi shumica është tjetër. Në të gjithë zgjedhjet PD ka qenë pakicë, e majta është shumicë, pavarësisht historive që të gjithë i dinë shumë mirë. Në qoftë se do, le ta mbajë KQZ siç do, le ta bëjë shtatë me zero, siç ka qenë në vitin 1996. Opozita sot është në një start tjetër, është e bindur që të garantojë një rotacion të pashmangshëm dhe të sigurt.

-Por, a do të shkojë opozita drejt një braktisje të mundshme të zgjedhjeve?

Jo, ju siguroj ama që nuk ka asnjë shans për bojkot të zgjedhjeve. Berisha duhet të gjejë si do të dalë nga kjo situatë, me dinjitet, reflektim apo ndonjë mënyrë tjetër, pasi rezultatin e humbjes nuk e ndryshon dot, as të paguajë me miliona dollarë për Podestën, që manipuloi deklaratën e Jonathan Moore, drejtor në Departamentin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore, e këto janë fonde që merren nga taksapaguesit.

-Çfarë përdorët?

Të mos guxojnë të prekin qoftë edhe një votë të opozitës, pasi ndryshe do të përgjigjen një më një. Ne kemi marrë të gjitha masat, kemi ndezur prozhektorët dhe gjithçka është gati. Opozita nuk do i bojkotojë zgjedhjet, por nëse preket qoftë dhe një votë e vetme, do të ketë pasoja, do i përgjigjen vetë qytetarët. E pret gjyqi.

Ndryshimi do të ndodhë në mënyrën më absolute. Nëse Berisha reflekton do t’i bëjë një të mirë vendit dhe partisë së tij, pasi ndryshe do të hyjë në trashëgimi si prishës dhe manipulues i zgjedhjeve, e sjelljeve të papërmbajtura që nuk i takojnë një kryeministri të një vendi anëtar i NATO-s. Mua më vjen keq që ne të konsiderohemi një regjim hibrid si Uganda. Janë gjëra të palogjikshme. Kishte një marrëveshje për kodin, dëshiron një ndryshim? Kërko marrëveshje me PS dhe përfshi edhe ata të OSBE-së, bashkëhartues të kodit. Si mund të paraqesësh tre motivacione të ndryshme, brenda një seance. Në një vend të zhvilluar europian nuk mund të ndodhë kurrë diçka e tillë? Kjo ndodh si rrjedhojë e një paniku propagandistik, për manipulimin e zgjedhjeve nga opozita, që kjo është një çudi e paparë e ju siguroj që jemi vendi i vetëm në botë që mazhoranca do ka frikë nga manipulimi i opozitës.

-Megjithatë, duke dashur të gjesh një lloj logjike, duket se lëvizja e mazhorancës në KQZ ka një sens balancimi, sepse kalimi LSI i ndryshoi raportet tek KQZ e komisionet e numërimit?

Argument i vetëm është ligji. KQZ është institucion kushtetues i pavarur dhe mandati i anëtarëve është gjashtë vjet, nuk është katër, por gjashtë. Tjetra, që është shumë e rëndësishme, institucionet e tjera si KZAZ janë të përkohshme, vetëm për një palë zgjedhje dhe atje kanë partitë rol kryesor. Absolutisht që gjithçka do të bëhej këtu në frymën e kodit dhe strukturave të tjera, por kjo është një tentativë për të manipuluar opinionin publik, ku ne mund të jemi i vetmi vend në botë ku thuhet se opozita do të manipulojë zgjedhjet.

-Ju thoni që zgjidhja mund të ishte gjetur edhe nëpërmjet mbajtjes së negociatave?

Ju kujtoj që kodin e ka bërë PD me PS, ne kemi pasur kundërshtimet tona, por ata e kanë bërë me konsulencën e OSBE-së dhe negociatat ishin të natyrshme nëse do të mbaheshin. Dua t’i rikthejmë dinjitetin KQZ-së, duhet të kemi zgjedhje me standardin e duhur dhe kjo është përgjegjësi e Berishës.

-Ju e takuat atë natën në Kryeministri zotin Berisha dhe atë natë u dukët sikur u ndatë në paqe?

Raportet tona në katër vjet, që kur iu përgjigjëm pozitivisht ftesës kanë qenë konstruktive, bashkëpunuese, edhe pse kemi ndarë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme, që në raste të caktuara janë shprehur edhe publikisht dhe në takimin e fundit. Në atë takim, unë e falënderova për bashkëpunimin e di bëra të qartë se kisha vendosur të bëja një zgjedhje tjetër për PS.

-Si e priti Kryeministri këtë deklaratë?

Ajo që doja të theksoja, është se po të më kishte thënë në këtë takim që anëtari që ju keni propozuar na prish balancat në KQZ, besoj se kjo çështje mund të ishte zgjidhur me bisedime, pa qenë e nevojshme që të krijoheshin trauma të tilla.

-Pra, do e kishit tërhequr z. Muho?

Unë besoj se po, se për mua s’ishte shumë e rëndësishme 4-3 apo 3-4, nuk ishte pjesë e ndonjë marrëveshje me Ramën kontrolli i KQZ-së. Gjithçka tjetër mendoj se ishte një justifikim, për të justifikuar me propagandë bolshevike veprimet bolshevike si ky shkarkim.

-Megjithatë, u duk se divorci do të ishte në paqe e në pushtetin lokal do të vazhdonte bashkëpunimi, por në fakt, fill pas votimit të LSI-së të një projekti të rëndësishëm në bashki, një ditë më pas erdhi fillimi i përpjekjes për shkarkimin. A është kjo një prerje në besë?

Unë nuk kam zakon që të tregoj histori ç’i thashë e ç’më tha, e besoj se kjo nuk është as në interesin e publikut. Kam dëgjuar fjalë për komplotin e madh të rrëzimit të qeverisë, por unë nuk do të votoja kundër qeverisë sime dhe deputetëve të mi. Nuk ka kuptim që për një javë pas daljes nga qeveria, ajo u bë e zezë dhe hajt ta rrëzojmë. Pavarësisht se nuk i kishin 71 vota, por sipas zgjedhjeve të 2009-s, PD ishte e para dhe asnjëherë s’ka qenë pjesë e angazhimeve të mia me Ramën dhe me të tjerët që të bënim një qeveri teknike, për vetë faktin që interesi i vendit ishte që ndryshimi të bëhej me votën e qytetarëve. Kjo ka qenë një betejë e ulët, edhe në çështjen e KZAZ-së mund të ishte zgjidhur, por nuk ka qenë ky shqetësimi real i mazhorancës. Shqetësimi real është diferenca e madhe midis dy koalicioneve dhe besimit për ardhjen e saj në pushtet pas 8 vitesh e situatës me gjendjen elektorale të Partisë Demokratike. Kjo lëvizje duhej bërë për të krijuar pikërisht të kundërtën e kësaj bindje, që të dekurajojnë sa më shumë elektoratin e të shpikin beteja të paqena, me koston e shkatërrimit të një institucioni kushtetues, e tani për Shqipërinë e shqiptarët, çdo kusht i ndërkombëtarëve lidhet me zgjedhjet. Nëse KQZ qëndron kështu është një turp i madh për vendin tonë dhe gjithçka që vjen pas kësaj.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/06/2019 - 15:10

Avokati i njohur Spartak Ngjela ka bërë një parashikim shumë optimist dhe domethënës për atë që po ndodh kohët e fundit në Shqipëri.

Postuar: 26/06/2019 - 15:08

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taul

Postuar: 26/06/2019 - 14:46

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë një konference të jashtëzakonshme, tha se përgjimet e &lsquo

Postuar: 26/06/2019 - 14:27

Pas anulimit të misionit të vëzhguesve të Këshillit të Evropës për votimet e 30 qershorit, k

Postuar: 26/06/2019 - 14:18

Gent Cakaj, ministri i Jashtëm ka deklaruar se lajmi se KE ka anuluar delegacionin e tij për të v

Postuar: 26/06/2019 - 14:16

Pas anulimit të misionit të vëzhguesve të Këshillit të Evropës për votimet e 30 qershorit, ka ard

Postuar: 26/06/2019 - 14:01

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër, referuan materialet pë