Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Izolimi nga SHBA, Berisha hedh 400 milionë lekë për të shkrirë akujt me Uashingtonin para zgjedhjeve

 Izolimi nga SHBA, Berisha hedh 400 milionë lekë për të shkrirë akujt me Uashingtonin para zgjedhjeve

Postuar: 15/05/2013 - 10:47

Sali Berisha po lëviz çdo gur për të liruar lakun e izolimit nga Perëndimi si dhe për të shkrirë akujt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas 21 Janarit, kapjes së SHISH, kapjes së Presidencës, kapitullimit të drejtësisë, tezave të rrezikshme nacionaliste, shkatërrimit të KQZ dhe tentativës për të vjedhur zgjedhjet, marrëdhëniet e qeverisë Berisha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kalojnë ditët më të zeza që nga vitet 1996-1997, kur amerikanët e përzunë nga pushteti me dhunë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë kërcënuar në mënyrë zyrtare Sali Berishën për nacionalizmin, ndërsa e kanë paralajmëruar se nuk do t’i njohin zgjedhjet e 23 Qershorit me këtë KQZ gjysmake dhe të shkatërruar. Komisioni Amerikan i Sigurisë, në një mbledhje të posaçme për Sali Berishën, e ka paralajmëruar këtë të fundit të largohet paqësisht nga pushteti në të kundërt do të përballet me një reagim të ashpër. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker, vetëm disa ditë më parë, ka deklaruar se nëse Sali Berisha prek zgjedhjet, atëherë Uashingtoni nuk do të qëndrojë duarkryq. Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi disa ditë më parë një raport tronditëse për korrupsionin në qeveri si dhe situatën në Shqipëri. Nga ana tjetër, marrëdhëniet mes ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu dhe qeverisë Berisha, kanë pësuar një krisje të papritur. Në këtë situatë të tendosur dhe të acaruar, Berisha ka vënë në lëvizje lobistët e tij në Uashington për të rregulluar marrëdhëniet e ndera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri ka hedhur 400 milionë lekë për të zbutuar klimën e tensionit me Uashingtonin. Paratë do të shkojnë në duart e kompanisë lobuese Podesta, e cila ka zëvendësuar ambasadën shqiptare në SHBA dhe po punon kundër ambasadës amerikane në Tiranë.

Vendimi

Në Fletoren Zyrtare është botuar një vendim, ku akordohet një fond prej 400 milionë lekësh për lobim në SHBA. “Vendim nr. 321, datë 19.4.2013 për një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2013, miratuar për Kryeministrinë. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45 të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”dhe të nenit 13 të ligjit nr. 119 /2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e Ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave vendosi; 1. Kryeministrisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, zëri “Shpenzime korrente”, t’i shtohet fondi prej 40 000 000 (dyzet milionë) lekësh, për përballimin e shpenzimeve, për shërbimet e kërkimit në fushën ligjore dhe të lobizmit, të cilat do të shërbejnë për forcimin e marrëdhënieve midis institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe atyre të vendeve të tjera, si dhe identifikimin e tërheqjen e financimeve nga agjenci të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe agjenci të tjera ndërkombëtare dhe të investimeve në fusha me interes”, thuhet në vendim.
 

Ambasada

Kryeministri Berisha ka zëvendësuar ambasadën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me kompaninë lobuese Podesta. Ambasada shqiptare ka dhënë alarmin se po shkon drejt falimentimit për shkak të mungesës së fondeve, ndërsa Berisha i paguan miliona euro Podestës. Kujtojmë këtu që Podesta, ndryshe nga ambasada amerikane, u përpoq të paraqiste një realitet tjetër në SHBA, sa i takon vendimit të pushtetit për të shkatërruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Konfliktet e qeverisë shqiptare me SHBA
1. KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u shndërrua në mollë sherri mes amerikanëve dhe kryeministrit Berisha. Ambasadori amerikan në Tiranë i kërkoi Berishës të mos prekte anëtarin e LSI në KQZ. Ai tha se KQZ është e pavarur dhe çdo manovër për të ndryshuar anëtarin e KQZ minonte besimin në zgjedhje. Por Berisha i sfidoi amerikanët. Me tre deputetë të blerë majtas Berisha rivendosi kontrollin mbi KQZ.   
2. Nacionalizmi
Tezat nacionaliste të kryeministrit Berisha, kërcënimi i fqinjëve dhe nisma për nënshtetësinë, mund të themi se minuan marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nuk po bëni një përshtypje të mirë, ndërsa përgatitemi për ardhjen në krye të Departamentit të Sekretarit të ri të Shtetit. Mos na bëni t’ju dënojmë publikisht”, thuhet në memon ultimative, që SHBA ia ka dërguar Berishës.
3. Nënshtetësia
Nënshtetësia e Berishës acaroi më tej marrëdhëniet me amerikanët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shprehën kategorikisht kundër projektit të artikuluar nga kryeministri Berisha për nënshtetësi për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke përjashtuar ato të Kosovës. Amerikanët, nëpërmjet ambasadorit të tyre në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhanë një tjetër sinjal kryeministrit Berisha, lidhur me nismën e nënshtetësisë. Pasi e paralajmëroi të hiqte dorë nga tezat e rrezikshme nacionaliste, të cilat provokonin destabilizimin e Ballkanit, ambasadori amerikan tha se nisma për nënshtetësinë ishte e rrezikshme.
4.  21 Janari
Ndërsa amerikanët morën në mbrojtje kryeprokuroren, Berisha e quajti lavire bulevardi dhe psesë e grushtit të organizuar të shtetit. Po ashtu, në kundërshtim me apelin e SHBA, Berisha nuk lejoi zbatimin e urdhrit të Prokurorisë për arrestimin e zinxhirit komandues të Gardës. Po ashtu, Berisha ngriti edhe një komisioni hetimor. Komisioni, edhe pse u kundërshtuar ashpër nga BE, pritet të riaktivizohet në ditët në vijim.
5. Gërdeci
 Dy vjet pasi i besuan drejtimin e vendit, pas mësimit që i dhanë në ’97, amerikanët u përplasën me Berishën për Gërdecin. Edhe pse ishte i implikuar familjarisht në Gërdec, Berisha tensoi të implikonte ambasadorin amerikan. “Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin.  (I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu). Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavaruara pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO?”, do të shkruante ish-ambasadori amerikan Xhon Uidhers.
6. Ligji për SHISH
Ligji i qeverisë për SHISH, i hartuar enkas për të shkarkuar ish-drejtorin Bahri Shaqiri, u kthe në mollë sherri mes SHBA dhe qeverisë Berisha. Amerikanët kundërshtuan këtë ligj, ndërsa kërkuan pavarësinë e SHISH nga qeveria. Ndërkohë Berisha tentoi ta kalonte ligjin në Kuvend. “Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandate. Ky është një qëndrim përfundimtar i imi”, deklaroi kryeministri Berisha. Beteja përfundoi me tërheqjen e kryeministrit Berisha. Por, dy vjet më vonë Berisha e shkarkoi Bahri Shaqirin. Adriatik Doçi
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/08/2019 - 09:20

Shtetet e Bashkuara të Amerikës iu dërguan dje një mesazh shumë të qartë të gjithë pushtetarëve të korruptuar shqiptarë, se nuk do të shpëtojnë dot nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion.

Postuar: 21/08/2019 - 09:10

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po dërgojnë përditë mesazhe ndaj të korruptuarve.

Postuar: 21/08/2019 - 07:56

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Sussane Schutz do të zëvendësohet nga gjermani Peter Zingraf.

Postuar: 21/08/2019 - 07:50

Me ngritjen e SPAK, hapi i radhës që do të vijojë është Byroja Kombëtare e Hetimit.

Postuar: 20/08/2019 - 23:58

Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me procesverbalin e publikuar nga ish-kryeministri Sali Be

Postuar: 20/08/2019 - 23:46

Ministrja Elisa Spiropali shprehet se rritja e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë është

Postuar: 20/08/2019 - 23:33

Pronari i një lokali në Sarandë, Spiro Iljadhi replikon me ish-kryeministrin Sali Berisha pas den