Politike

Ja si do jetë Njësia Antikorrupsion, hapen dosjet e pasurive dhe llogaritë bankare, të rrezikuar të ngelurit në veting dhe zyrtarët e administratës

Ja si do jetë Njësia Antikorrupsion, hapen dosjet e pasurive dhe

Pas sekuestrimit të pasurive për personat e dënuar dhe të lidhur me krimin e organizuar, qeveria ka vendosur në shënjestër korrupsionin e krimin ekonomik. Shumë shpejt do të ngrihet Njësia Kundër Korrupsionit dhe Evazionit Fiskal, e cila do të ketë në shënjestër të korruptuarit në administratë, në drejtësi dhe biznesmenët. Ishte kryeministri Rama që e paralajmëroi nga SHBA këtë njësi, ndërsa ditët e fundit janë zbardhur detaje nga mënyra se si do të funksionojë ajo. Vetë kryeministri Rama në një studio televizive bëri me dije se kjo njësi ndryshe nga OFL, nuk do të krijohet me një ligj special. Sipas tij, të gjitha institucionet financiare në vend do të bëhen bashkë për të goditur korrupsionin, pastrimin e parave apo evazionin. “Ne kemi një tërësi institucionesh, ku në çdo institucion ka anti kështu e anti ashtu, pra hetimi tatimor, doganor, krimi ekonomik në polici, pastrimi parave këtej, antikorrupsioni në Ministrinë e Drejtësisë. Ne do i ballafaqojmë të gjithë. Të gjithë do bëhen bashkë”, tha shefi i qeverisë. Më tej ai deklaroi se do jenë ndërkombëtarët ata që do të asistojnë në ngritjen e kësaj njësie. “E vetmja arsye se përse nuk është formalizuar akoma është se unë kam kërkuar një grup ekspertësh, por jo ekspertë nga ata që bëjnë konsulenca, por që vijnë nga terreni në 3 shtete, të cilët do të na bashkohen, që ata të bëjnë përzgjedhjen e këtyre personave të cilët do të vetohen brenda përbrenda dhe do të jenë një qendër e mbyllur komplet dhe nuk do komunikojë majtas e djathtas, por do merret me kravatat”, vijoi ai. Dje ka folur mbi këtë njësi edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u shpreh se po punohet për ngritjen e saj. “Njësia është në krijim e sipër, sepse nuk mund të them se si do të jetë trajta përfundimtare e saj, por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë me theks të veçantë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha të cilat meritojnë qasje të re. Vetëm kaq mund të them sot. Kur të formalizohet do të dini detajet. Lufta kundër krimit nuk ka kufizime gjeografike, ajo do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”, tha ministri Lleshaj.

Planet e qeverisë

Ashtu siç e tha dhe ministri Lleshaj, kjo njësi është ende në fazë përgatitore dhe mund të ketë ndryshime rrugës mbi modelin e funksionimit të saj, ashtu sikundër ndodhi me aktin normativ, i cili ndryshoi shumë nga varianti që prezantoi kryeministri. Por gazeta ka mësuar detaje se si do të jetë në koncept kjo njësi. Ajo do të jetë e ngjashme me njësinë e ngritur në Ministrinë e Drejtësisë për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, pjesë e të cilës do të jenë dhjetra institucione. Sipas burimeve, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Njësia e Krimit Ekonomik në polici, Drejtoria e Tatimeve, Drejtoria e Doganave, Banka e Shqipërisë, institucionet inteligjente, Ministria e Brendshme, disa inspektorate, prokuroritë, etj, do të kenë përfaqësuesit e tyre në këtë njësi dhe sigurisht do të bashkëpunojnë me qëllim goditjen korrupsionit dhe evazionit. Sa i takon evazionit, gjithçka do jetë në dorë të Tatimeve dhe Doganave, të cilat do nxjerrin listën e bizneseve me probleme apo taksa të papaguara dhe do merren masa. Ndërsa sa i takon korrupsionit, gazeta ka mësuar se fokusi do jetë te zyrtarët e administratës dhe sistemi i drejtësisë. Sa i takon gjyqtarëve dhe prokurorëve, më të rrezikuarit janë të ngelurit në veting, pasi me ata që janë në detyrë do të merret ILD. Kryeministri deri më tani ka thënë disa herë se gjyqtarët e prokurorët e ngelur në veting nuk i kanë larë hesapet. Njësia që do të ngrihet pritet të marrë të dhënat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe dosjet nga ILDKP, Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe nëse sheh se kemi fshehje pasurie, mosjustifikim të saj, pastrim parash e krime të tjera financiare, atëherë bëhet padi në SPAK dhe më pas është kjo e fundit që vendos për fatin e tyre. Vetë Rama deklaroi të enjten se kjo njësi nuk do të bëjë asgjë më shumë sesa do të ballafaqojë të dhënat e secilit institucion.