BREAKING NEWS

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!
x

Politike

Ja si ra perandoria e Metës dhe Berishës në drejtësi, nga shkarkimi i gjyqtarëve të “Gërdecit” e “21 Janarit”, te arratisja e trupës së bllokut 700 mijë euro

Ja si ra perandoria e Metës dhe Berishës në drejtësi, nga

Perandoria e Ilir Metës dhe Sali Berishës në drejtësi duket se po shkon drejt shfarosjes. Presidenti edhe ish-kryeministri kanë pasur një ndikim të madh në gjykatat dhe prokuroritë e vendit, ç’ka ka sjellë që ata t’ia hedhin paq nga çdo akuzë që është ngritur ndaj tyre. Shpërthimi i Gërdecit dhe vrasjet e 21 Janarit janë dy ngjarje, të cilat kanë shënjuar qeverisjen 8-vjeçare të ish-kryeministrit Sali Berisha, përgjegjësit për të cilat nuk u ndëshkuan nga drejtësia shqiptare. Por tashmë që BE hapi negociatat për Shqipërinë, ish kryeministri Berisha ka shprehur pakënaqësi, pasi e di që i kanoset një rrezik dhe nuk do të ketë më në duar sistemin e drejtësisë në vend. Gjyqtarët, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për mbylljen e këtyre dy dosjeve, duke shpëtuar nga përgjegjësia penale ish-kryeministrin, u rrëzuan nga vetingu për fshehje pasurie, pasuri të paligjshme, vjedhje dyqanesh, fshehje dënimesh dhe për lidhje me krimin. Gjyqtari i Apelit, Ervin Metalla, pjesë e treshes gjyqësore të Apelit, së bashku me Evjeni Sinoimerin dhe Agim Bendon, të cilët vrasjet e kryera nga ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo i kanë konsideruar "vrasje nga pakujdesia", u shkarkua si i papërshtatshëm për të ushtruar detyrën. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas hetimit të thelluar, arriti në konkluzionin se gjyqtari Ervin Metalla kishte kryer një seri transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, që financohet nga buxheti i shtetit si dhe kishte fshehur një pjesë të pasurisë. Ndërsa Agim Bendo dha dorëheqjen kur kishte nisur procesi i rivlerësimit.

Shfarosja e Gjykatës së Lartë

“Thikës” së vetingut nuk i shpëtoi dot as anëtari i Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca, i cili ka gjykuar dosjen e 21 Janarit, pas vendimeve në dy shkallët më të ulëta. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkonte nga detyra Tom Ndrecën, pasi nga hetimi i thelluar rezultoi se nuk kishte deklaruar në formularin e kontrollit të figurës faktin se kunati i tij ishte arrestuar për drogë. Gjithashtu, sipas KPK, gjyqtari Ndreca nuk justifikonte pasurinë. Pjesë e kolegjit që rrëzoi rekursin e prokurorisë për 21 Janarin ka qenë edhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Ky i fundit e kaloi vetingun nga KPK, por vendimi për fatin e tij u mor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pas një kërkese nga Komisioneri Publik për një hetim më të thelluar rreth pasurisë së tij. Edhe gjyqtari tjetër i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili ka qenë pjesë e trupës së dosjes së “21 janarit”, u shkarkua nga vetingu, për shkak se nuk justifikonte pasurinë dhe kishte lidhje jo rastësore me përfaqësues të krimit të organizuar dhe dyshime për përfshirje në korrupsion pasiv në më shumë se një rast. Ndërkohë, gjyqtari tjetër i Gjykatës së Lartë, që dha dorëheqjen dhe braktisi sistemin e drejtësisë, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale ishte Aleksandër Muskaj. Edhe zoti Muskaj ka qenë pjesë e trupës që bllokoi dosjen e “21 janarit”. Nga ana tjetër, për 15 vite nga sistemi i drejtësisë është përjashtuar edhe prokurori Adriatik Cama. Ky i fundit ka qenë njëri nga prokurorët që hetoi dosjen e “21 janarit”, por që komisionet e vetingut e shkarkuan nga detyra, pasi rezultoi me probleme me pasurinë. Pra, duket qartë që vetingu i shfarosi nëntë gjyqtarët dhe prokurorët e 21 janarit, duke i përjashtuar për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.

Blloku 700 mijë euro

Por edhe trupa gjykuese e bllokut të famshëm 700 mijë euro, ku ishte i përfshirë presidenti Ilir Meta u arratis në një kohë kur procesi i vetingut kishte nisur për ta. Arjana Fullani, Guxim Zenelaj, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj dhe Evelina Qirjako u dorëhoqën apo u shkarkuan. Që të pestë këta emra kanë gjykuar dosje të bujshme, ku vlen të përmendim videon Meta-Prifti. Pjesë e trupës gjykuese që i dha pafajësinë Metës kanë qenë Arjana Fullani dhe Guxim Zenelaj, por sot nuk e gëzojnë më postin e tyre për shkak të frikës nga procesi i vetingut. Aleksandër Muskaj nga ana tjetër, shpëtoi Lulzim Bashën nga afera e Rrugës së Kombit. Shkarkimi dhe dorëheqja e gjithë këtyre emrave ka shfarosur kupolën e të korruptuarve në Gjykatën e Lartë. Tani vendet e tyre janë bosh për emra të rinj që po ashtu do të kenë në dorë dosje të tjera të bujshme, gjykimi i të cilave pritet të jetë i drejtë.