BREAKING NEWS

Ndodh për herë të parë në PD/ Zbardhen emrat e 5 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, nga Bujar Nishani tek Besnik Mustafaj

Ndodh për herë të parë në PD/ Zbardhen emrat e 5
x

Politike

“Kemi besim se negociatat do të çelen brenda këtij viti”, Gramoz Ruçi i dërgon letër homologut të tij francez: Të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve! (E PLOTË)

“Kemi besim se negociatat do të çelen brenda këtij

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ka dërguar një mesazh urues për ditën kombëtare të Francës, homologut të tij francez Richard Ferrand, i cili prej 2018 është President i Asamblesë Kombëtare.

Ruçi shpreson që me ndihmën dhe mbështetjen edhe të kësaj Asambleje negociatat e Shqipërisë të hapen brenda këtij viti, që përmbyllet me Presidencën gjermane në PE si dhe me diskutimin sa më parë të kapitujve të parë për anëtarësim në BE.

Sot Franca feston si rrallë herë në kushte pandemie ditën kombëtare të 14 korrikut, kur një nga ngjarjet historike dhe unike të historisë botërore u shënua pikërisht në Bastije, në vitin 1790 ku kështjella e atij qyteti u dogj dhe Revolucioni francez shënoi një pikë kthese të pandalshme.

MESAZHI NGA GRAMOZ RUÇI

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, uron Presidentin e Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Richard Ferrand, me rastin e Festës Kombëtare: Franca ndriçon popujt drejt lirive, mirëqenies, demokracisë, kushtetueshmërisë, solidaritetit dhe paqes.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Francës, z. Richard Ferrand, me rastin e 14 korrikut, Festës Kombëtare të Republikës Franceze.

“Me rastin e 14 korrikut, Festës Kombëtare të Francës,  Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.

Revolucioni francez u bë një moment kthese jo vetëm në historinë e Francës, por në historinë botërore. Franca u lartësua si atdheu i lirive dhe i të drejtave të qytetarëve dhe vazhdon të ndriçojë dhe të influencojë popujt e botës drejt lirive, të drejtave, mirëqenies, demokracisë, kushtetueshmërisë, sundimit të shtetit të së drejtës, solidaritetit dhe paqes.

Franca është një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën tonë drejt demokracisë, zhvillimit, progresit dhe bashkimit me familjen europiane.

Gjej rastin që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, të falenderoj Asamblenë Kombëtare të Francës dhe Ju personalisht për mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Europian vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe ky vendim është rezultat edhe i mbështetjes së Presidentit Macron, Asamblesë Kombëtare dhe Tuajës personalisht.

Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Asamblesë Kombëtare dhe të Francës që negociatat të çelen brenda këtij viti dhe të fillojë sa më parë diskutimi i kapitujve të tyre.

Duke përfunduar, më lejoni, Zoti President, të shpreh edhe njëherë kënaqësinë se Franca po del nga situata e pandemisë dhe populli francez po i kthehet jetës normale dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Kombëtare e Francës do të vazhdojnë bashkëpunimin midis tyre.

Kam kënaqësinë që t’iu ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Shkëlqesinë Tuaj.”, shkruan në letrën e tij të urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.

Më të lexuarat