BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Politike

“Kërkohet një tradhtar për Sali Berishën!”, Baton Haxhiu zbulon çfarë fshihet pas ‘shfryrjeve patriotike’ të ish-kryeministrit: Ja çfarë po projekton dhëndri i një vjehrre serbe

“Kërkohet një tradhtar për Sali Berishën!”,

Gazetari Baton Haxhiu i është kthyer ish-kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha ditën e sotme. Me anë të një shkrimi, thotë se përmes çdo shfryrje ndaj të tjerëve, për “patriotizmin e munguar”, për “tradhtinë”, për “vrasje” e “operacione hartash” Berisha nxjerr në pah të vërtetat e veta, të cilat sipas tij dhëmbin shumë. Në shkrimin e tij gazetari ka treguar se Berisha akuzohej se ka thyer embargon e naftës ndaj Serbisë, ndërsa tani akuzon të tjerët për tradhtarë. Po ashtu Haxhiu ka bërë dhe tre rrëfime ku përmes tyre, shpjegon “shfryrjet patriotike” të Sali Berishës.

Shkrimi i Baton Haxhiut

Projektimi është mekanizëm mbrojtës i njohur në psikologji. Ai bën pjesë në shenjat e sigurta që paralajmërojnë makthin që afron.

Historia njerëzore njeh pafund shembuj të tillë. Projektimi pjell nga pjesët e papranueshme të personaliteti, që pa arritur të pranohen, i barten tjetrit. Në nivel individual dhe nacional.

Populli shqiptar e njeh mirë projektimin e fajit. Pas hebrenjve, shqiptarët kanë vuajtur më shumë se kushdo tjetër nga ai. Përgjatë krejt pushtimit të Kosovës, Serbia e ka përdorur projektimin për t’i paraqitur shqiptarët ashtu siç nuk ishin. Apo, siç ishin serbët. Teksa vrisnin shqiptarë, thërrisnin se po vriten nga shqiptarët. Teksa dhunonin gra shqiptare, vajtonin se gratë po u dhunohen nga shqiptarët. Teksa spastronin Kosovën, thoshin se Kosovën po e spastrojnë shqiptarët.

Ky mësim i dhimbshëm nuk na lejon të mashtrohemi. As kur projektimi bëhet brenda sojit, pra brenda kombit. I tillë është ai i Sali Berishës ndaj Hashim Thaçit dhe Edi Ramës. Apo, siç i quan ai, “Miladini shqipfolës” dhe “Zografi Bis”. Dhe, të dy bashkë “tradhtarë të kombit”.

“Miladini shqipfolës” i Sali Berishës është njeriu që ka udhëhequr me Drejtorinë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I ka prirë delegacionit në Konferencën e Rambujesë. Ka ruajtur balancat në Konferencën e Vjenës. Ka shpallur Pavarësinë e Kosovës. Dhe, në dy mandate ka drejtuar qeverinë, para se të zgjidhej President i Kosovës.

Ndërsa, “Zografi Bis”, asnjëherë nuk ka nënshkruar një marrëveshje kufiri detar me Greqinë, që është rrëzuar në Gjykatën Kushtetuese. Për dallim prej çdo Kryeministri tjetër shqipëtarë, idenë e bashkimin kombëtarë nuk e ka vënë në shërbim të demagogjisë. Ai ne fakt, ka vënë themelet e bashkimit kombëtarë. Falë punës e përkushtimit të tij të palëkundur bashkimi kombëtarë nuk është më një “nëse”, por është një “kur” – është çështje kohe. Eshtë ai që ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës e anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare anë e kënd Botës, e edhe aty ku të tjerët nuk kanë guxuar – në Beograd e Moskë. Eshtë ai që ka ndërmarrë hapat e parë konkret për bashkimin e të ardhmes. Ka nisur traditën e mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive. Dhe, në funksion të idesë së bashkimit kombëtar ka angazhuar në kabinetin e tij, në pozita zëvendësministrash e ministrash, personalitete me origjinë nga Kosova.

Këto janë dhimbjet e mëdha të Sali Berishës. Të kundërtat e tyre – fajet e mëdha të tij, të cilat do t’i fshehë nga vetja dhe populli, duke i projektuar tek tjetri. Përmes çdo shfryrje ndaj të tjerëve, për “patriotizmin e munguar”, për “tradhtinë”, për “vrasje” e “operacione hartash” ai nxjerr në pah të vërtetat e veta, të cilat duket se i dhembin shumë.

Akuzat që bën sot Sali Berisha, i janë bërë atij dikur. I akuzuar se ka njohur për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, tani akuzon të tjerët për vrasje. I akuzuar se ka thyer embargon e naftës ndaj Serbisë, tani akuzon të tjerët për tradhtarë. Ai që akuzonte UÇK-në si enveriste dhe me prirje për eliminime fizike, tani del si mbrojtësi më i madh i saj. Kërkon ta mbrojë nga themeluesit! Nga banka e të akuzuarit Sali Berisha do të dalë në bankën e akuzuesit. Prandaj kërkon ta rishkruajë historinë. Sepse vetëm në këtë mënyrë ai bëhet patrioti që dëshiron të jetë. Dhe, vetëm në këtë mënyrë ai mposht dhimbjen e tij më të madhe: cenin patriotik në familje.

Familja nuk duhet të bëhet pjesë e asnjë diskutimi të tillë, por Sali Berisha e ka bërë familjen e secilit, pjesë të çdo diskutimi. Tani radhën e ka familja e tij.

Tri rrëfime për Milicën

1.

Në vjeshtën e vitit 1992, Adnan Merovci, njeri i afërt dhe shoqëruesi i Ibrahim Rugovës do të nisej për në Shqipëri, për të marrë pjesë në festimet e Ditës së Flamurit. Disa kohë, para këtij udhëtimi, ai kishte pasur një takim të çuditshëm me dy të afërm të Lirisë nga Beogradi. Kishin një porosi për motrën e tyre Milicën e cila u kish mbetur në Tiranë nga një martesë me një burrë nga shqiptarët e Malit të Zi.

Plot pikëpyetje, Adnan Merovci niset për në Vlorë, bashkë me Ibrahim Rugovën. Në ditën festive, Ibrahim Rugova vë një kurorë lulesh tek Monumenti i Pavarësisë.

Në mbrëmje, tek ish Vila e Mehmet Shehut në Vlorë, ku ishte shtruar darka, Adnani pyet rojën e Sali Berishës, se a mund të takojë Lirinë, se ka një porosi për të dhe nënën e saj Milicën.

-Ah, Milikën, i thotë Liria. Dhe shton shpejt se nëna ime është nga Vojvodina, ndërsa babai nga fshati Vuthaj. Adnani i jep porosinë, por vet mbetet akoma i pasqaruar.

Ç’ishte gjithë ky komplikim? Me këtë moskuptim kthehet në Prishtinë.

U kthen porosinë vëllezërve të Milicës dhe merr falënderimet e tyre. Si për ta gjetur fillin e lëmshit, i pyet: -Ju, nënën nga Vojvodina e keni?

-Jo, i thonë ata. Është nga Beogradi.

2.

Pasluftë. Kosova udhëhiqet nga misioni ndërkombëtar i UNMIK-ut. Dhe, si çdo administratë e vendosur në një vend të huaj edhe UNMIK-u kishte nevojë për shqiptarë. Shumica punësoheshin si përkthyes. Të tjerë në pozicione tjera me më shumë rëndësi. Ndër ata që ishin bërë pjesë e këtij misioni ishte edhe Argita Berisha, bija e Sali Berishës. Si bija liderit opozitar të Shqipërisë, natyrisht që ajo do të binte në sy. Do të dallohej nga të tjerët, me apo pa dëshirën e saj. Por, më shumë se për këtë të fakt të kontrollueshëm, ajo do të binte në sy për një dëshirë të saj pothuaj të pakontrollueshme. Argita donte shumë që ta vizitonte Beogradin. Kishte bërë disa herë kërkesa, por i ishin refuzuar. Megjithatë, pas një kohe insistimi i saj shpaguhet. I mundësohet vizita në Beograd. Bashkë me të udhëton edhe Nje kolege perkthyes nga Kosova. Entuziazmi i Argitës gjatë vizitës në Beograd ishte gati i pabesueshëm, do të tregonte më vonë Kolegu i Argites. Ajo ishte e mrekulluar nga qyteti. “Do t’ia kryej porosinë nënës Milicë, ta vizitoj parkun, qendrën e qytetit, Hotel Moskën dhe kam për t’i ble edhe “tentene””, i kishte thënë ajo para se të niseshin. I habitur nga ajo që kishte dëgjuar, ai instinktivisht e kishte pyetur: Ti nënën nga Beogradi e ke? Po, do të pohonte ajo, pa dhënë më shumë shpjegime.

3.

Në janar të vitit 2005, Sali Berisha udhëton më në fund në Uashington për të nënshkruar kontratë lobimi me BG&R. Me vete merr gruan, Lirinë, për t’i dhënë më shumë seriozitet udhëtimit meqë shpresonte se do merrte pjesë dhe në Mëngjesin e Lutjeve në fillim të Shkurtit, pasi e kishte rregulluar Fatmir Mehdiu.

Mero Baze ishte gazetar i afërt me të që e shoqëroi në këtë udhëtim. Siç e ka rrëfyer Mero, ndërkohë që prisnin Mëngjesin e Lutjeve, përmes disa lidhjeve me Elez Biberaj Berisha kishte mundur të rregullonte disa takime joformale, me zyrtarë amerikanë, përfshi dhe ish zëvendëssekretaren për çështje globale, Dr. Paula J. Dobriansky, një zyrtare pa rëndësi të posaçme politike për Shqipërinë, por thjesht për protokoll. Po ashtu, dhe një intervistë tek Zëri i Amerikës dhe disa takime në kafen e Kongresit e Senatit që të krijohej ideja e rikthimit të raporteve të mira me SHBA.

Befas, ditën që ishte më e ngarkuara me ngjarje, në hollin e hotelit kishte rënë zia. Kishte vdekur Milica, nëna e Lirisë.

Mero Baze tregon sikletin e delegacionit në holl, ku askush nuk po guxonte t’i thoshte Berishës se çfarë duhet të bënin.

“Unë pyeta se si do të vazhdoj programi”.

-Unë do të kthehem me Lirinë , tha Saliu. Duhet të bëjmë këtë intervistën tek Zëri i Amerikës dhe duhet të kthehem. Njoftoje Elezin ta anuloj takimin me Paolën ( Ish Zëvendëssekretare e Shtetit për çështje globale)

-A nuk mund të ikë Liria me Mediun dhe ti të vazhdosh takimet, pyeti Baze. Fola dhe me Gimin dhe ai kështu mendon. (Agimi është vëllai i Lirisë)

-Atë e di unë ju përgjigj prerë. Mos u përziej në punët e mija.

Dhe, ashtu ndodhi. Baze tregon se si ju desh të priste me Lirinë mbarimin e intervistës me Berishën në VOA dhe pastaj t’i çonte në aeroport. Ndërkohë kishte njoftuar të anulohej takimi me zyrtaren e lartë.

Berisha përfundoi intervistën dhe u nis për Shqipëri. Kishte 8 vite që priste të dukej sikur kishte ndrequr diçka në raportet me SHBA dhe këtë përpjekje të gënjeshtërt e shembi vetëm vdekje e një njeriu shumë të shtrenjtë për të, për të cilën ai la gjithçka. Një përkushtim shembullor ndaj gruas së tij, dhe vjehrrës së tij, përballë disa zyrtarëve cinik amerikan me të cilët duhet të dilte në fotografi. Shumica e atyre që do të takonte, ndoshta nuk kanë vjehërr fare dhe do ta kenë pasur shumë të vështirë të kuptonin, përse ky njeri që ua kërkoi takimet me lobistë të paguar dhe pastaj nuk shkoi në takim. Ata nuk e kuptojnë dot fuqinë e një vjehrre serbe.

***

Tri rrëfimet e mësipërme janë për Milicën, po aq sa për Saliun. Përmes tyre, më qartë se në cilëndo formë, mund të shpjegohen qartë “shfryrjet patriotike” të Sali Berishës. Megjithëse shqiptarët, si të gjithë popujt tjerë të Ballkanit, janë racistë – racizëm që edhe kur nuk del sheshit është i fshehur diku, nuk u ka penguar kurrë që Saliu është dhëndër i Milicës. Më shumë se shqiptarëve, thellë-thellë duket se i pengon vet Saliut. Prandaj ai projekton tradhtinë kombëtare tek të tjerët, që vet të ndihet më patriot. Sepse patriotizmi i tij mbijeton vetëm kur përballë projekton tradhtarët. Prandaj, kurdoherë që ai flet për historinë dhe kombin, për tradhtarët dhe patriotët, kryetitulli duhet të jetë: Kërkohet një tradhtar për Sali Berishën!