BREAKING NEWS

Kryebashkiaku Erion Veliaj zbulon për herë të parë pse u anulua takimi me kryeministrin Albin Kurti

Kryebashkiaku Erion Veliaj zbulon për herë të parë pse u
x

Opinion / Editorial

Këta or miku im, janë “ata”... që mos qofshin kurrë!

Këta or miku im, janë “ata”... që mos qofshin

Drithërohem, pse jo dhe revoltohem kur shikoj matanë një kufiri të dukshëm ndarjen tonë, ndarjen gradual drejt dy poleve krejtësisht të kundërta shoqërore, ndarje kjo që na përcakton “ne”, por përcakton dhe “ata”. Çuditërish midis “nesh” dhe “atyre” ka një lidhje koherente, një lidhje kjo që e bën të domosdoshme sistemi kapitalist që përjetojmë. Kjo do të thotë, se nëse një shtresë e shoqërisë gradualisht formoi klasën e vet duke u pasuruar me hapa galopante, rrjedhimisht pjesa tjetër që ngeli, do të formonte klasën tjetër, me kahe dhe interes të kundërt, por që shtypet dhe shfrytëzohet nga e para. Ajo që bie në sy, është fakti se klasa e re e borgjezisë shqiptare si kudo në botë, përbën pakicën numerike, teksa shumica përbën klasën tjetër, e cila jo vetëm që punon për pasurimin e padronëve të tyre, por dhe vuan deri në palcë të gjithë plagët që shkakton sistemi i tyre ekonomik. Po si është e mundur që “ata” të cilët janë pakica të sundojnë mbi “ne”, pra mbi shumicën? Pikërisht, në këtë kontradiksion në dukje, qëndron enigma e forcës dhe e pushtetit ekonomik, që fatkeqësisht nuk kuptohet nga të gjithë, i cili qëndron nga ana e pakicës, qëndron te ata, të cilët kanë mjetet e punës e të prodhimit dhe për t’i ruajtur ato kanë ngritur një aparat të tërë administrativ dhe sistemin e tyre politik, i cili tërësisht e për fatin tonë të keq, sundon mbi kurrizin tonë. Le të marrim si shembull demonstrimet e njëpasnjëshme të punëtorëve të naftës në Ballsh, të cilët që kurse u formuan kompanitë private dhe qëkurse filloi dhënia me koncesion e pasurive të vendit tonë të huajve, sikurse janë nafta dhe gazi, fatkeqësitë të gjitha, përveçse ranë mbi kurrizin e punëtorëve naftëtarë, ato, si një reaksion zinxhir u transmetuan dhe te familjet e tyre, të cilat shpresat i kanë varur te krahu i punës së këtyre punëtorëve që janë vëllezërit apo baballarët tanë. Shkruajnë nëpër libra apo editoriale të ndryshme për shkaqet e anemisë, apo llojet e ndryshme të sëmundjeve nga mënyra keqe e të ushqyerit, na flasin me shifra për mortalitetin e fëmijëve, po a jetojnë këta sociologë politologë analistë e deri në pseudo-politikanë me hallet e popullit? Përse nuk e thonë të drejtën ashtu sikurse është se faktori kryesor nuk është të përcaktojmë sëmundjen (patologjike të pacientit) apo dhe sëmundjen e shoqërisë shqiptare, por të gjejmë shkaqet dhe burimin e tyre? Nga na vijnë këto sëmundje që shoqëria jonë përpëlitet si në “komë klinike”?! Përse plagët dhe sëmundjet e shoqërisë i vuajmë vetëm “Ne” dhe asnjëherë “Ata”? Mbase dhe “Ata” vuajnë nga pagjumësi e mirëqenies së tyre, sikurse dhe nga pagjumësia e fukarallëkut tonë. Por si “Ne” ashtu dhe “Ata”, secila palë ka hallet e veta. Po pse kështu? Cilat janë hallet tona të brendshme që na mbajnë me kokën mënjanë dhe me njëri-tjetrin? Pikërisht këtu qëndron një nga “rrufjanllëqet” e “atyre”, sepse “ata” na kanë përçarë keq me njëri-tjetrin, por si të mos mjaftonte kjo, “ata” nën thirrjet patetike për çështjen e madhe kombëtare, përçanë dhe vet kombin tonë teksa dhe brenda përbrenda shtresës së tyre ka nga ata që e tradhtuan direkt çështjen kombëtare duke u bërë servilë sahan lëpirës e deri matrapazë të shitjes së nderit të nënës tonë Shqipëri. Nënën tonë, ata e nxorën për shitje nën dritën e zbehtë të neoneve teksa pushtat e Europës madje dhe ata sllavomëdhenj, kënaqen e kënaqen jo vetëm duke shfryrë epshet e tyre, por edhe duke i rrjepur dhe atë pak lëkurë anemike që i ka ngelur. Kusarë e banditë të shtresës së “atyre” nuk e kanë aspak për gjë të lenë pa bukë qindra e qindra familje naftëtarësh sepse ata janë vet pjesëmarrës të batërdisë së madhe pa limit që i kanë shkaktuar atdheut tonë. Ja kanë shkaktuar pikërisht ata që nuk kanë nder dhe atdhe, ata që na vrasin në çdo orë të ditës e të natës dhe në podiumet e turpit na mbajnë fjalimet tona mortore. Janë pikërisht “ata” e jo “ne”, por ne të keqen e kemi brenda vetes tonë, sepse jemi të qorruar, por dhe të përçarë me njëri-tjetrin. E dini, ja unë punëtori komunist i shkova për ngushëllim mikut tim punëtor demokrat. E dini përse? Atij i vdiq fëmija se nuk kishte marrë lekët t’i blinte ilaçe nga që ato kushtonin, teksa madamat e manjatëve tanë shkojnë të heqin rrudhat në klinikat më të shtrenjta të Europës, që të duken të bukura. Paratë e atyre që ndodhen brenda çantave luksoze, janë gjak nga gjaku ynë, nga gjaku i fëmijëve tanë që vampirët shqiptarë pa dallim feje, krahine e ideje na i pinë çdo ditë. Ata, ngrejnë dolli me kupat plot. Joo- jo nuk i kanë të mbushura me verë të kuqe, por me të kuqen e gjakut tonë. Nuk di pse mu kujtua “Taçi Oil”. E dini ju kush është ai? Të jetë rastësi Taçi që është milioner i naftës apo mos mbas tij qëndron Berisha? Çuditërisht mbase dhe rastësisht fjala “Taci” në italisht (sepse ai Taçi i famshëm u bë dhe sponsor i Milanit) do të thotë “heshtni”! Dhe ne heshtim e rrimë “sus”. Na vjen keq duke parë batërdinë mbi kurrizin e vëllezërve tanë! Pse kjo qenka kryesorja keqardhja? Edhe Papa i Romës lutet, por se mos të varfrit e gjithë botës i kuron fjala e Papës.s

Ja pra, ne harrojmë se kjo e keqe që u ndodhi punëtorëve tanë të naftës nesër do na ndodhë dhe ne të tjerëve dhe ne rrimë e vështrojmë e shumta diskutojmë: Sa keq, me të vërtetë çfarë maskarenjsh na qenkan këta që nuk i paguajnë! Po kush janë këta që nuk paguajnë? Janë “ata” zotërinjtë tanë nacionlë, madje tashmë këtë të drejtë me status të veçantë të miratuar nga qeveritë e të gjitha kohërave mbas viteve ‘90-të e kanë fituar dhe ata internacionalë. Doni fakte? Plot, ka aq shumë sa dhe “të dhjesin qentë” i thonë andej nga Labëria. Sa e sa ndërmarrje minerare janë dhënë me koncesion, se sa herë është shitur ndërmarrja e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, po mineralet e tjera po Selenica, po tentativa për dhënien e detit, po tokat e Fazlliçit, ÇEZ-i apo kompanitë amerikane të demontimit të municioneve?! Janë miliona e miliona dollarë, mbase dhe miliarda. Po kush i mori? Punëtori demokrat, ai socialist, apo ballistët e ndershëm, që gjithë jetën ngelen të persekutuar?! Mirë në kohën e luftës, po në kohë paqe pse nuk i lanë rehat? (E kam fjalën, për ballistet e mirë si Arifi i gënjyer të filmi “I teti në bronx”). Ja pra, që nuk na qenka punëtoria ajo që ka vjedhur, por janë kusarët, banditët e gjithë Shqipërisë, të cilët në këtë tragjedi me përmasa apokaliptike janë të bashkuar me njëri-tjetrin për tu lumturuar nga djersa dhe mundi ynë. Dhe ne qorrat heshtim jo vetëm kur na kërcënojnë, por dhe kur na vrasin. Jooo, mund të thotë dikush se punëtoria shqiptare nuk është e tillë. Dhe mbase, por unë nuk jam i bindur sepse si nuk doli një sindikatë në shkallë kombëtare të përkrahi vëllezërit e tyre punëtorë?! Po sindikatat e pavarura janë të punëtorëve të pavarur, apo të Sali bej Berishës e të “Lulushanes”? Po “kon-pordhëfederata” në shkallë kombëtare, pse nuk mbron të drejtat e punëtorëve? Mos vallë krerët e tyre heshtin se është Partia Socialiste ajo që ka pushtetin?! Po a nuk e dini ju miqtë e mi se kjo parti është zanafilla e gjithë tragjedisë tonë kombëtare që mbas viteve ‘90-të? A nuk e tha me gojën plot “Ramua” ( Ramo - sepse me tingëlloka si kompania “Armo”, vetëm se çuditërisht i janë ngatërruar germat), se ne do jemi kapitalistët e ardhshëm? Fjala kapitalist do të thotë bandit e kusar vrasës, me dhe pa pagesë, përdhunuesi më ekstrem i të drejtave të tona. Ky është kapitalizmi i egër. Mblidheni mendjen, nuk ka dhe s’ka për të patur kapitalizëm human dhe për rrjedhojë as shtet human. Ja se ç’dëgjova një ditë rastësisht në një nga sallat e tyre: “Ohhhooo si të kam e i nderuar, kam kohë që nuk të kam parë! Më thuaj të lutem a e lexove artikullin tim që pata për demokracinë?!!

- Si ore jo, je fantastik të betohem, na shokove sinqerisht sepse ishte diçka e rrallë.

-Hahahahaha.. miku im të falënderoj shumë! Po ç’të bëjmë ky është misioni ynë, duhet të ndërgjegjësojmë popullin.

-Popullin the! Po pse ore a mund të ftohet dot populli në një koktej si ky, po lëre aman popullin e më thuaj, do bëjnë gjë ata të Komisionit të Venecias? Si thua ti do e shkarkojnë presidentin?

- Ehhh kjo puna e Komisionit të Venecias ç’është e vërteta është punë delikate, sepse ata nuk kanë dënuar dot ish k/ministrin e tyre Andreoti, apo dhe Berluskën, për lidhje me mafien e jo më Lili ynë që çfarë ka bërë? Fundja “orëziu” vodhi flori në ‘97-tën. E kush nuk vodhi në ato vite?! Në enciklopedinë shqiptare madje dhe botërore ai vit i shekullit të XX-të do të shënohet si “Vitkusari”. Dhe kur vjedhin të gjithë, si mund të dënohet vetëm njëri. Pra akuza bie. Akuza bie dhe për “CEZ”-in. Bie sepse është Berisha në mes. Po të ishim unë e ti do e kishim ngrënë të sëmës

- Ore po ai në tryezën përballë i dyti majtas, mos është gjë kryeministri? Nuk e di, por më duket se i ngjan shumë, të betohem që i ngjan!

-Shëëëët gomar, se më duket e ktheu kokën nga ne, po ç'dreqin ka që na shikon ashtu sikur ne të kemi vrarë e prerë? Apo mos dyshon se jemi ne kriminelë? E them këtë se mbase ai mendon: Pa dal t’jua u verifikoj një herë pasurinë këtyre rrufjanëve, se ku i gjejnë paratë që pikan “tekila” sëbashku me mua në të njëjtin lokal?! Do ta gjesh dhe verifikosh pasurinë e tjetrit – ndiqi paranë!

- Mos fol ashtu për të, sepse ai ka ngritur SPAK, ka ngritur Byro Hetimi, ka ngritur KÇK ka ngritur dhe OFL.

Ore, meqenëse ra fjala mirë që KÇK e kuptoi se do merren me luftë kundër kaçakëve, po kjo OFL mos është Ofelia, ajo që ra në dashuri me Hamletin?!

-Lena ore rehat për kokën tënde me gjithë Ofelinë, se ai nuk merret as me të dhe as me ne që pimë nga një gotë, por me ata që e thithin me hundë. Dhe ai po e dha fjalën e mban. Ja, e çuan dinastinë “Berisha” në gjyq për “CEZ”-in? E çuan. Është tjetër gjë, se gjykata e i nxori të pafajshëm. Kështu do ndodhë me të gjithë kryekusarët. Kusarët do dënohen, kryekusarët jo.

- Ee... po atëherë paska të drejtë Lili që kërkon amnisti për të gjithë duke e filluar nga e para apo më saktë sikurse e ka shprehur “viti zero”. Pra të gjithë do ja hedhin. Kjo do të thotë që ta rifillojmë kusarinë nga e para. Do fshihen të gjitha me gomën e lapsit kinez dhe nga ky vit fillon startimi në mënyrë të barabartë për të gjithë kusarët dhe kriminelët. Qyp që nuk kupton fare!

- Jo miku im nuk do ja hedhin të gjithë. Ata kusarë të rëndomtë e pa licencë që konkurrojnë “shtetkusarin” me licencë do të ndëshkohen të gjithë edhe sikur në “birë të sëmës” (më falni të miut) të shkojnë të futen.

- Mund të kesh dhe të drejtë, por ka dhe nga ata që mendojnë seriozisht për punëtorët dhe masat e gjera të popullit. E vërejte? Ja shkoi Mozi (Gramozi) në Ballsh, por nuk e pranuan. Gabuan punëtorët sepse Mozi për hallatet e tyre shkoi atje dhe jo për të tijat. (Më fal, hallet desha të thoja). Ai hall ka vetëm jetën e popullit të vet, sepse po qe se vuan populli vuan ai më shumë se ata, vuan sepse ai e njeh mirë jetën e minatorit, ngaqë ka qenë bir i lindur, nga klasa punëtore e që në kohën e “Xhaxhit”

- Lëre “Xhaxhin” mos e përmend, se po u përmende “Xhaxhin” duhet të vijnë në Tiranë gjithë kardiologët e botës. Do thuash ti ne kemi Saliun. Jo, ai do vdiste i pari nga frika dhe kur t'i bënin autopsinë, gjënë e parë që do të bënte mjekësia ligjore do t’i ndërronin brekët, jo se do i kishte me çpofka, por të menderosura nga frika. Hahahahahahahahahahahahha! Tragjikomedia jonë!

Këta or miku im janë “Ata” që mos qofshin kurrë!