Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Klosi: Përfshirja e ekspertëve francezë në hetimin për helikopterin konflikt i hapur interesi, duhej përfshirja e një shteti tjetër, Ministria e Mbrojtjes gaboi

  Klosi: Përfshirja e ekspertëve francezë në hetimin për helikopterin konflikt i hapur interesi, duhej përfshirja e një shteti tjetër, Ministria e Mbrojtjes gaboi

Postuar: 13/04/2016 - 14:29

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, e ka cilësuar konflikt interesi dhe gabim të rëndë përfshirjen e ekspertëve francezë në procesin hetimor për zbardhjen e shkaqeve që çuan në rrëzimin e helikopterit të Forcave të Armatosura, në Liqenin e Shkodrës. Fatos Klosi deklaroi se Ministria e Mbrojtjes gaboi kur kërkoi ndihmën e ekspertëve francezë që të asistojnë në zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të helikopterit, ndërkohë që helikopterët e tipit “Cougar” janë blerë në Francë dhe kanë rezultuar difektozë dhe me cilësi të dobët, që kur qeveria ‘Berisha’ nënshkroi marrëveshjen në vitin 2009 me qeverinë franceze. Ish-kreu i shërbimit më të madh të spiunazhit shqiptar theksoi se në procesin hetimor, në vend të Francës, duhet të përfshihej një shtet tjetër, në mënyrë që të shmangeshin të gjitha dyshimet e errëta për manipulim të fakteve të vërteta, të cilat do të zbardhnin tragjedinë ku humbën jetën padrejtësisht dy pilotë, në një moshë shumë të re. Gjermania dhe Franca janë dy shtetet mbajnë autorësinë e prodhimit të helikopterëve të tipit “Cougar”. Fillimisht, këta helikopterë u prodhuan në Gjermani dhe më pas Franca bleu firmën e prodhimit të helikopterëve, të cilëve nga “Cougar” u ndryshoi emri në “Eurocopter”. 
 
Kutia e kontrollit
 
Gjithashtu, Fatos Klosi hedh dyshime se përse kutia e kontrollit duhet të shkonte në Gjermani për hetim dhe jo në një shtet tjetër. “Unë mendoj se përfshirja e ekspertëve francezë në procesin e hetimit përbën konflikt interesi. Këta helikopterë janë blerë në Francë, dhe përfshirja e ekspertëve në procesin hetimor përbën konflikt të hapur interesi. Pse kutia e kontrollit u dërgua për hetim në Gjermani?! Kutia e kontrollit, për të shmangur të gjitha dyshimet për manipulim të së vërtetës, mjaft mirë mund të shkonte për hetim në SHBA apo në një shtet tjetër. Të bën të dyshosh fakti që po përfshihen pikërisht këto dy shtete, ndërkohë që duhet të qëndronin më larg procesit, për të mos ndikuar në zbardhjen e së vërtetës”, sqaroi Fatos Klosi. Ndërkaq, Fatos Klosit i ka bërë përshtypje fakti që ministrja Mimi Kodheli nxitoi të shpallte dëshmorë dy pilotët. Klosi tha se, pavarësisht se dy pilotët ishin djem të rinj në moshë dhe u ndanë nga jeta padrejtësisht në moshë aq të re, ata nuk ranë në një mision ushtarak për mbrojtjen e atdheut. “Më bën përshtypje fakti që dy pilotët u shpallën menjëherë dëshmorë nga Ministria e Mbrojtjes. Ata ishin dy djem të rinj që humbën jetën në një moshë aq të re, dhe unë do t’i shprehja ngushëllimet e mia familjeve të tyre, por dy pilotët nuk ranë gjatë një misioni ushtarak. Pastaj, ministria duhet të priste rezultatin e hetimeve. Pse nxitoi? Nëse ka qenë një defekt teknik apo për shkak të pakujdesisë, atëherë humbën jetën në një aksident tragjik. Është për të ardhur keq, por këto janë gjëra që ndodhin!”, u shpreh Fatos Klosi.
  
Marrëveshja e 2009
 
Marrëveshja për blerjen e helikopterëve u lidh që në kohën kur vendi qeverisej nga Sali Berisha. Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2009 dhe qëllimi i saj ishte që Franca të garantonte integrimin në NATO dhe nuk kishte fare rëndësi cilësia e helikopterëve. Mediat e asaj kohe treguan qartë se Berisha negocioi me ish-presidentin Nikola Sarkozi, ku në këmbim të NATO-s firmosi marrëveshjen me “Eurocopter”, shumica e aksioneve të së cilës janë shtetërore. Por, përveç kësaj e implikuar është dhe qeveria aktuale dhe ministrja e Mbrojtjes.
 
Ministria e Mbrojtjes heton kartelat mjekësore të dy pilotëve dhe kontrollin e helikopterit
 
Ministria e Mbrojtjes ka vijuar me hetimin administrativ nëse janë zbatuar apo jo rregullat e fluturimit ajror nga helikopteri i rënë në Liqenin e Shkodrës. Burime bëjnë me dije se janë verifikuar kartelat mjekësore të dy pilotëve ku ka rezultuar se ata e kanë kryer kontrollin një ditë para fluturimit dhe kanë rezultuar në kushte të mira shëndetësore. Gjithashtu, nga verifikimi ka rezultuar se mjetit i është bërë kontrolli teknik ku ka rezultuar në rregull. Po në përputhje me parametrat ka rezultuar edhe karburanti një mostër, e të cilit është dërguar edhe prokurorisë. Nga ana tjetër, prokuroria ka vijuar kontaktet me ekspertët gjermanë për të bërë të mundur çkodimin e kamerës së helikopterit, e cila do të hedhë dritë mbi shkaqet e aksidentit. Në lidhje me ecurinë e hetimeve, Prokurori i Përgjithshëm ka informuar në mesditë edhe Presidentin e Republikës, i cili është njëkohësisht edhe Komandant i Forcave të Armatosura. Tashmë pritet zbardhja e kartës së memories që ishte në kameran e sigurisë së pilotit, të tjera fakte dalin në dritë. Në këtë zonë, rreth 300 metra larg vendit të rrëzimit të mjetit fluturues në ujë, 4 ditë pas aksidentit u gjetën pjesë të tjera që janë radari, kapakët e motorit, pjesë nga veshja e jashtme, kufjet e pilotëve. Pjesët e helikopterit janë gjetur. Këto mbetje të helikopterit kanë ngritur pyetje të tjera si: çfarë i ka çuar kaq larg vendit të rrëzimit? A kanë rënë ato të parat në tokë e më pas ka rënë helikopteri 300 metra më tej në ujë? Burimet thonë se fakti që pjesë të helikopterit ndodhen kaq larg është: ose ato janë shkëputur që në ajër, e më pas helikopteri ka rënë; ose pas impaktit me ujin helikat mund të kenë goditur trupin dhe forca e madhe i ka flakur pjesët në një distancë të konsiderueshme. Eneida Jaçaj
 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2019 - 14:08

Ish-deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari, e ka cilësuar mosh-hapjen e negociatave një ngjarje të rëndë për të gjithë klasën politike.

Postuar: 21/10/2019 - 13:59

Deputetja, Rudina Hajdari, shkruan në mediat sociale se i ka kërkuar informacion Gent Cakajt, në

Postuar: 21/10/2019 - 13:35

Nëpërmjet një analize të detajuar në rrjetet sociale avokat Spartak Ngjela flet për prapaskenat q

Postuar: 21/10/2019 - 12:58

Lideri demokrat, Lulzim Basha do të mbledhë sot në selinë blu aleatët e tij.

Postuar: 21/10/2019 - 12:22

Pasi bllokoi hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, presidenti francez Emmanuel Macron) prite

Postuar: 21/10/2019 - 12:03

Kryeministri Edi Rama ka folur sot pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, ku ndër të tjera përmendi