Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

KLSH jep alarmin: Prej 3 dekadash asnjë inventarizim për pyjet, moratoriumi dështoi, problem arkëtimi i gjobave dhe hartimi i strategjive

Postuar: 14/08/2019 - 08:13

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dhënë alarmin sa i takon menaxhimit të pyjeve në vend. Përmes një njoftimi për shtyp, institucioni i drejtuar nga Bujar Leskaj ka bërë me dije se përfundoi auditimin e performancës me temë “Efektiviteti i menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor” të ushtruar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit si dhe Bashkitë Tiranë, Shkodër, Vlorë. KLSH konstaton se për periudhën e auditimit 2016 – 2018 problemet me kuadrin strategjik, rregullator dhe burimet njerëzore të reduktuara kanë cenuar realizimin me efektivitet dhe efiçencë të detyrave të MTM në sektorin e pyjeve. “Strategjia për zhvillimin e sektorit të pyjeve dhe kullotave në Shqipëri ka qenë tërësisht e pa përditësuar e rrjedhimisht jofunksionale, duke bërë që prej disa vitesh sektori i pyjeve të funksionojë pa objektiva dhe drejtime të qarta strategjike. Numri i lartë i shkeljeve të konstatuara dhe niveli shumë i ulët i arkëtimit të sanksioneve administrative kanë cenuar zbatimin e moratoriumit për pyjet në Shqipëri. Mungesa e strukturave profesionale në bashkitë, bashkëkomunikimi dhe bashkëpunimi pasiv me ministrinë, mosshfrytëzimi i burimeve dhe të ardhurave që fondi pyjor gjeneron, duke e çuar atë në degradim, tregon qartë për mungesë efiçencës dhe efektiviteti të bashkive në administrimin e pyjeve si pasuri kombëtare”, thuhet në njoftimin e KLSH.

Moratoriumi dhe inventarizimi

Sipas këtij institucioni, mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të jetë jo plotësisht i saktë dhe i pa përditësuar. KLSH ka bërë me dije se ndërhyrjet e paligjshme në pyje ngelen ende të shumta dhe shqetësuese, pavarësisht moratoriumit. “Abuzimet në pyje nuk vijnë vetëm nga persona individualë, por edhe nga kompani të organizuara sipas të gjitha dispozitave ligjore dhe me kapacitete të plota, të cilat mund të shkelin përcaktimet e kontratave që aktualisht kanë me Bashkitë. Një problem që shoqëron pjesën më të madhe të sanksioneve të vendosura nga ISHMPUT është vjelja e gjobave. Asnjë nga gjobat e vendosura në kuadër të moratoriumit të pyjeve nuk është vjelë”, thuhet në raport. Sipas KLSH, komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet ministrisë dhe bashkive për sa i përket fondit pyjor lë shumë për të dëshiruar dhe vihet re një qasje shumë pasive e palëve në këtë drejtim. Transferimi i pronësisë nga Ministria në favor të njësive vendore është bërë pa një studim të mirëfilltë të mënyrës së organizimit, kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore të sektorit. “Mos konsolidimi i strukturave sipas përcaktimeve ligjore në lidhje me administrimin e fondit pyjor, tregon qartë për mungesë eficience të bashkive në përmbushjen e detyrave funksionale dhe përgjegjësive, si dhe realizimin e tyre me profesionalizëm. Mungesa e shprehjes zyrtare të nevojave për personel nga vetë struktura përgjegjëse për pyjet si dhe mos inicimi i procedurave të rekrutimit të stafit, dëshmon qartë për struktura të dobëta për të zhvilluar dhe përmirësuar këtë sektor”, theksohet më tej.

Sipas KLSH, krijimi i një strukture “lidhëse” midis MTM dhe bashkive është i vonuar dhe një hallkë e tillë duhet të ishte parashikuar të funksiononte menjëherë pas transferimit të pronësisë. “Kjo ka sjellë konfuzion dhe pasivitet në sektorin e pyjeve, veçanërisht që nga viti 2016 si e tillë, pavarësisht akteve ligjore për transferimin në pronësi të bashkive të fondit pyjor dhe kullosor, realisht bashkive iu transferuan shifra në letra, pa rakorduar fizikisht sipërfaqet takuese të secilës njësi ekonomie pyjore”, vijon raporti.

Anashkalimi i ligjit

KLSH thekson në raportin e auditimit se mospërdorimi i fondeve pyjore që zotërojnë bashkitë, sipas kornizave që legjislacioni për pyjet dhe shfrytëzimin e tyre lejon, me justifikimin e ruajtjes në vazhdimësi të kësaj pasurie, se nuk është pretendim serioz për të bllokuar mundësinë e krijimit të të ardhurave që ky sektor ofron. “Sipas legjislacionit në fuqi, inventarizimi i pyjeve kryhet për një periudhë jo më pak se 10 vjet. Megjithatë, inventari i fundit i plotë i pyjeve është kryer në vitin 1985, pra më shumë se tre dekada më parë. Mungesa e inventarizimit të pyjeve për një periudhë prej më shumë se tre dekadash, ka bërë që informacioni mbi fondin pyjor të mos jetë plotësisht i saktë dhe të jetë tërësisht i pa përditësuar. Në momentin e hartimit të raportit rezulton se gjithashtu ka përfunduar vlefshmëria e planeve të mbarështimit, të cilat janë dokumente bazë për mbarështimin e pyjeve, të hartuara për çdo ekonomi pyjore. Këto plane janë të vlefshme për një periudhë 10-vjeçare dhe tashmë është detyrë e secilës bashki të hartojë plane mbarështimi për fondin pyjor që disponon”, thuhet në raport. Sipas KLSH, rritja e raportit të eksporteve kundrejt importeve të drurit dhe artikujve të tjerë të tij për periudhën 2016-2018, si dhe mungesa e informacionit të MTM mbi origjinën e këtyre produkteve, tregon qartë për mos funksionim të moratoriumit në termat e ndalimit të përdorimit të fondit pyjor vendas për qëllim eksporti.

“Mos analizimi i këtyre të dhënave sensitive nga MTM, tregon për mungese eficience të saj në funksion të përdorimit të informacionit për rritje të performancës së fondit pyjor.

Në Vendimin e Kryetarit të KLSh-së për auditimin e performancës “Efektiviteti i menaxhimit dhe administrimit të fondit pyjor dhe kullosor” janë dhënë 25 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat adresojnë eliminimin e mangësive dhe përmirësimin në të ardhmen të sistemit dhe proceseve mbi mirëmenaxhimin e fondit pyjor në vendin tonë”, thuhet më tej.

Kliti Topalli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/08/2019 - 09:23

Hetimet mbi dyshimet për manipulim dhe blerje të votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme vendore në Dibër në vitin 2016, janë rikthyer në qendër të debateve, pas vendimit për transferimin e dosjes nga Prokuroria e Krimeve

Postuar: 23/08/2019 - 09:20

Struktura e Posaçme Antikorrupsion duhet të jetë gati para vendimit për negociatat.

Postuar: 23/08/2019 - 09:04

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur si urim mëngjesi për këtë të premte, pamjet fantastike nga Fest

Postuar: 23/08/2019 - 09:00

Kreu demokrat, Lulzim Basha i ka dhënë një goditje të fortë dje presidentit Ilir Meta.

Postuar: 23/08/2019 - 08:31

Pas shumë artikujve të publikuar në Gazetën “SOT”, komunikimi mes institucioneve shqi

Postuar: 23/08/2019 - 08:29

Ministria e Financës dhe Ekonomisë zhvilloi sot takimin e radhës të drejtpërdrejtë me palët e int