Politike

Konflikti për Gjykatën Kushtetuese, Moisiu mesazh presidentit Meta: Mos u bëj palë, debato për respektimin e Kushtetutës

Konflikti për Gjykatën Kushtetuese, Moisiu mesazh presidentit Meta:

Konflikti për Gjykatën Kushtetuese vijon të jetë një problem në vend. Ndërkohë që presidenti i vendit Ilir Meta nuk e njeh Arta Vorpsin si anëtare, pala tjetër nuk njeh Marsida Xhaferllarin, e cila është dekretuar nga presidenti, por që sipas KED-së dekretimi i saj është bërë jashtë afateve që parashikon ligji. Jo vetëm ky shqetësim, ende nuk janë plotësuar vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese, duke sjellë ngërç për ngritjen e këtij institucioni. Ndërsa Delegacioni i Komisionit të Venecias ka zhvilluar një vizitë dy ditore në vend, në kuadër të kësaj situate, ish-presidenti Alfred Moisiu ka reaguar dje, ndërsa i del në krah presidentit Ilir Meta. Në një intervistë për mediat, Moisiu këshillon presidentin aktual që të mos bëhet palë, por të debatojë në respektimin dhe në kërkesën për respektimin e Kushtetutës. “Përfaqësojnë unitetin e kombit dhe unitetin e kombit nuk mund ta përfaqësosh nëse bëhesh palë ose merr pjesë në debatet e ndryshme politike. Presidenti bën debate kushtetuese për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesave të vendit. Unë u përpoqa të jap një shembull, të cilin e ndjek sipas eksperiencës”, deklaroi ish-presidenti Alfred Moisiu. Ky i fundit ka qenë “i fshehur” që pas përfundimit të mandatit, duke mos marrë pjesë në asnjë nga debatet politike në vend, ndërsa dje, gjatë një aktiviteti në Kavajë, vendosi të thyejë heshtjen duke i dhënë një mesazh presidentit Meta, në kuadër të zgjidhjes së krizës. Ish-presidenti Alfred Moisiu dje mori pjesë në një ceremoni të zhvilluar në Kavajë, ku u shpall nderi i qarkut të Tiranës. “Ndihemi shumë i ri në fakt. Në Kavajë unë kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime. Kjo mund të ishte bërë edhe në Tiranë, por ata vendosën në Kavajë. Unë jam pjesë e Kavajës”, tha Alfred Moisiu. Sjellim në vëmendje se Moisiu është presidenti i parë konsensual i zgjedhur në Shqipëri, pas negociatave të gjata mes ish-kryeministrave Fatos Nano dhe Sali Berisha. Ai ka qëndruar në postin e presidentit për 5 vite, i cili në vitet e tij të punës, nuk bëri asnjëherë kompromis me parimet e tij.