Politike

Kontrata e vaksinës Pfizer që erdhi në Shqipëri sekret shtetëror, zbardhet porosia e prerë që Gramoz Ruçi u ka dhënë deputetëve

Kontrata e vaksinës Pfizer që erdhi në Shqipëri sekret

Marrëveshja e shtetit shqiptar me kompaninë gjermano-amerikane “Pfizer/BoNTech” për një sasi prej 500 mijë vaksinash anti-COVID do të mbetet sekret.

Pas parashikimeve të vendosura në aktin normativ që u publikua në Fletoren Zyrtare, ku marrëveshja cilësohej si sekret dhe detajet e saj nuk do të publikoheshin, në këtë çështje është angazhuar edhe Kuvendi.

Në diskutimet e bëra në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku kryeparlamentari Gramoz Ruçi u ka dhënë porosi të prerë  krerëve të grupeve parlamentare për të ruajtur konfidencialitetin e marrëveshjes, shkruan Euronews Albania.

“Sigurisht, deputetët nuk do të votojnë qorrazi. Do të njihen me aktin normativ, do të njihen me relacionin, do të njihen edhe me marrëveshjen. Çështja është që marrëveshja nuk do të botohet në faqen zyrtare. Marrëveshja do të jetë e depozituar si marrëveshje sekret, brenda të gjitha rregullave që përbën sekreti dhe konfidencialiteti i gjërave”, u shpreh Ruçi.

Kërkesa e Ruçit ndaj deputetëve për ta trajtuar si sekret përmbajtjen e kontratës bëhet për periudhën kohore kur ajo do të diskutohet dhe miratohet në Komisionet Parlamentare, para se t’i kalojë për votim seancës plenare në datën 28 janar.