BREAKING NEWS

Tërmeti i fortë në Durrës u mori 7 jetë, familjet Reçi e Karanxha marrin një tjetër lajm tronditës

Tërmeti i fortë në Durrës u mori 7 jetë, familjet
x

Politike

“Kundër lajmeve të rreme dhe shpifjeve”, Taulant Balla përshëndet miratimin e rezolutës për ndërhyrjet e huaja: Ishte e vonuar! (E plotë)

“Kundër lajmeve të rreme dhe shpifjeve”, Taulant Balla

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaron se Shqipëria mbetet e palëkundur në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian. Kjo deklaratë vjen pas votimit të Rezolutës për ndërhyrjet e huaja.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

--Rezoluta e votuar në Kuvendin e Shqipërisë gjatë seancës së djeshme plenare me 97 vota pro mbi “Ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, e përafruar me qëndrimin e Parlamentit Europian në Rezolutën e 10 Tetorit 2019, është dëshmi reale e orjentimit tonë në të njëjtën linjë me Bashkimin Europian dhe e qasjes së përbashkët kundër dezinformimit, lajmeve të rreme, shpifjeve dhe formave që mund të marrin ato.

Janë të domosdoshëm hapa të mënjëhershëm kundër çdo lloj forme të dezinformimit, e për këtë qëllim duhet të përgatiten ndërhyrjet e nevojshme në legjislacion, marrja masave ligjore dhe administrative, si dhe ndërveprimi me platformat e mediave sociale, identifikimi i llogarive të personave që merren me veprimtari të paligjshme dhe që nxisin gjuhën e urrejtjes, dhunën, diskriminimin, panikun etj., duke mos kompromentuar lirinë e shprehjes.

Ashtu siç thoshte dhe Ëinston Churchill “Në kohë lufte, e vërteta është aq e shtrenjtë sa duhet të mbrohet gjithmonë nga një rojtar kundër gënjeshtrave”

Ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore duhet të kenë një adresim sa më efikas dhe të koordinuar mes agjensive ligjzbatuese, përfshirë forcimin e legjislacionit.

#PërShqipërinëQëDuam--------

 

REZOLUTË

PËR NDËRHYRJET E HUAJA NË PROCESET ZGJEDHORE DHE DEZINFORMIMIN NË PROCESET DEMOKRATIKE KOMBËTARE

Kuvendi i Shqipërisë

– Duke pasur parasysh detyrimet që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë; anëtarësimi në NATO; “Strategjia e Sigurisë Kombëtare”; ‘Strategjia e mbrojtjes kibernetike”; “Agjenda digjitale e Shqipërisë 2014-2020”; “Dokumenti i Politikave për Sigurinë Kibernetike për vitet 2015-2017”;

– Duke marrë në konsideratë Rezolutën e miratuar nga Parlamenti Evropian më 10 tetor 2019 mbi: “Ndërhyrjen e huaj në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike”, si dhe instrumentet e miratuara nga BE në funksion të parandalimit dhe mbrojtjes ndaj luftës hibride dhe fenomenit të dezinformimit;

– Duke pasur parasysh që ndërlidhja globale e njerëzve dhe ekonomive me instrumente digjitale dhe teknologji të reja është përdorur në mënyrë të koordinuar nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë për të arritur objektiva specifikë për të ndikuar në jetën politike dhe proceset vendimmarrëse;

– Duke pasur parasysh që media dhe veçanërisht platformat sociale, lehtësisht mund të shfrytëzohen për të përhapur dezinformimin, i cili përbën një formë kërcënimi në zhvillim që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike;

– Referuar:

• Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe konkretisht neneve 1, 2, 3, 5, 15, 22, 23 dhe 45;

• Paktit Ndërkombëtar të të Drejtave Civile dhe Politike të 16 dhjetorit 1966, dhe konkretisht neneve 2, 17, 19, 20 dhe 25;

• Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, veçanërisht neneve 8, 9, 10, 11, 13, 16 dhe 17 të saj, dhe Protokollit të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, veçanërisht nenit 3 të saj;

• Ligjit nr. 2/2017 “Për sigurinë kibernetike”; ligjit nr. 107/2015 “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”, të ndryshuar; ligjit nr. 10 273, datë 29.4.2010, “Për dokumentin elektronik”, të ndryshuar; ligjit nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar;

• Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës nr. 2255 të 2019-s mbi “Shërbimin publik të mediave në kontekstin e dezinformimit dhe propagandës”;

Në kushtet kur:

 

a) tentativa nga aktorë të huaj shtetërorë dhe joshtetërorë për të ndikuar në vendimmarrjen në Shqipëri apo për të ushtruar presion mbi vlerat demokratike, të shtetit të së drejtës, respektimit të të drejtave të njeriut, solidaritetit dhe barazisë me mjete të ndërhyrjes keqdashëse është një prirje mbarëbotërore;

b) ndërhyrja e huaj mund të shfaqet në forma të ndryshme të cilat përfshijnë fushatat e dezinformimit në mediat sociale, me synim formësimin e opinionin publik; sulmet kibernetike të cilat synojnë proceset zgjedhore dhe ndikimin në to; si dhe mbështetja e drejtpërdrejtë dhe jo e drejtpërdrejtë financiare e aktorëve politikë;

c) fushatat e dezinformimit rus, përbëjnë burimin kryesor nga i cili buron dezinformimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Europë e më gjerë;

d) aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë nga vendet e tjera, përpos atij rus, janë të përfshirë në ndërhyrje dashakeqe në debate publike të vendit tonë;

e) Rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian më 10 tetor 2019 mbi “Ndërhyrjen e huaj në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, si dhe rezoluta e 23 nëntorit 2016 mbi “Komunikimin strategjik të BE-së për t’ju kundërvënë propagandës së aktorëve të tretë”, evidentojnë nevojën për një përpjekje të bashkërenduar në përballimin e këtyre fenomeneve në hapësirën e demokracive evropiane, si dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në vendet anëtare të BE-së, “hetime të ndryshme kanë treguar që rregullat e rëndësishme zgjedhore janë shkelur ose anashkaluar, veçanërisht dispozitat ekzistuese për transparencën e financimit të fushatës, me pretendime për shpenzime politike nga organizata jofitimprurëse me burime të ardhura nga vende të treta, veçanërisht nga Rusia” vëren me shqetësim Parlamenti Evropian;

f) zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri do të zhvillohen në vitin 2021;

KUVENDI I SHQIPËRISË

1. Thekson se liria e fjalës dhe e shprehjes, mbrojtja e të dhënave personale dhe i pluralizmit të mediave, burojnë nga Kushtetuta e Shqipërisë si gur themeli i shoqërive demokratike, të cilat përbëjnë njëkohësisht angazhimin parësor të institucioneve të shtetit shqiptar për mbrojtjen dhe gëzimin e këtyre të drejtave;

2. Konsideron të nevojshëm nga ana e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave si dhe atyre të pavarura vlerësimin mbi mjedisin e sigurisë, kuadrin ligjor, kapacitetet analitike dhe operacionale të strukturave që lidhen me evidentimin, parandalimin dhe reagimin ndaj rrezikut që vjen nga ndërhyrjet e huaja në procesin zgjedhor, financimet, sulmet hibride dhe dezinformimin, në përputhje me praktikat më të mira evropiane;

3. Rithekson se ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore minojnë të drejtën e shtetasve për të thënë fjalën e tyre në qeverisjen e vendit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesve të zgjedhur, siç parashikohet në Kushtetutën e Shqipërisë dhe se një ndërhyrje e tillë nga shtetet e tjera përbën shkelje të parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare, edhe kur nuk ka përdorim të forcës ushtarake, kërcënim për integritetin territorial apo kërcënim për pavarësinë politike;

4. Inkurajon Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore që të adresojë transparencën dhe auditimin e financimeve të partive politike, përfshirë financimet e huaja në fushata zgjedhore apo gjatë ushtrimit të veprimtarisë politike;

5. Inkurajon institucionet përgjegjëse të përfshijnë në kurrikulat e tyre mësimore edukimin mediatik në kuadër të masave kundër dezinformimit, në përputhje me standardet e BE-së, KiE-së dhe UNESCO-s, si dhe të zhvillojnë fushata informuese të synuara me segmente të caktuara të popullatës që janë më të prekshëm ndaj dezinformimit;

6. I kërkon institucioneve përgjegjëse të vlerësojnë ndërhyrjet e mundshme në legjislacion, marrjen e masave ligjore dhe administrative, si dhe të ndërveprojnë me platformat e mediave sociale, me qëllim të etiketimit sistematik të përmbajtjes, rishikimin e algoritmeve në mënyrë që t’i bëjnë ato sa më të paanshëm që të jetë e mundur, dhe mbylljen e llogarive të personave që merren me veprimtari të paligjshme dhe që synojnë prishjen e proceseve demokratike ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes, duke mos kompromentuar lirinë e shprehjes;

7. I kërkon Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Sigurisë Kibernetike, Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Autoritetit të Medias Audiovizive, Autoritetit Kombëtar për Çertifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike si dhe Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kompjuterike, që të paraqesin një raport vjetor mbi sfidat dhe kërcënimet e evidentuara objekt i kësaj rezolute;

8. Vëren me shqetësim se Bashkimi Evropian e paraqet fenomenin e dezinformimit një prirje në rritje në shtetet anëtare të saj dhe dënon veprimet agresive të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

9. Beson se këto kërcënime, për shkak të rrezikut që i sjellin demokracisë, nuk mund të adresohen vetëm nga autoritetet kombëtare që punojnë në izolim dhe as nga vetërregullimi i sektorit privat, por lypset një qasje e koordinuar në shumë nivele, me shumë palë të interesuara dhe në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, SHBA-në, BE-në dhe OSBE-në.