BREAKING NEWS

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas gabimit të pafalshëm që...

Ervin Bushati i jep mesazhin e fortë Bashës dhe Kryemadhit: Pas
x

Politike

Kushtetuesja e bllokuar edhe këtë vit, afatet e ankimimeve në Apel mbajnë peng rihapjen e garës nga Kuvendi dhe Presidenca

Kushtetuesja e bllokuar edhe këtë vit, afatet e ankimimeve në

Gjykata Kushtetuese edhe këtë vit pritet të mos jetë funksionale. Edhe pse është një kusht i Bashkimit Europian, sinjalet janë se numri i nevojshëm prej 6 anëtarësh do të dojë shumë kohë të arrihet. Më 17 korrik Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi nga gara të gjithë kandidatët, duke bërë që gjithçka të nisë nga zeroja. Gazeta u interesua pranë KED mbi rrugët që do të ndiqen dhe a janë njoftuar Kuvend me Presidencën për të rihapur garën. U mësua se një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të afateve të ankimimit. Secilit prej të shkarkuarve i lind e drejta që brenda 5 viteve nga zbardhja e vendimit të arsyetuar të bëjë ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit. Për shkak të këtyre afateve institucionet janë ende larg rihapjes së garës. Nëse askush nuk i drejtohet gjykatës, po nëse kjo e fundi nuk pranon animimet, siç ka ndodhur deri më tani në të gjitha rastet e tjera, atëherë KED do të kërkojë nga institucionet e emërtesës të hapin garën. Por sipas ligjit, si Kuvendi ashtu dhe Presidenca do të duan rreth një muaj të përmbyllin listat e tyre dhe më pas t’i dërgojnë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i cili do të bëjë verifikimet e nevojshme. Tradita ka treguar se KED do rreth 3 muaj që të mbyllë procesin e verifikimit, intervistimit dhe përzgjedhjes. Pra edhe sikur Kuvendi me Presidencën të hapin garën në gusht, emrat do shkojnë në shtator. Nga ana tjetër në fillim të dhjetorit do të ndryshojë përbërja e KED. Sipas ligjit do të hidhet shorti për të zgjedhur anëtarët e tjerë dhe kjo pritet të krijojë vonesa në vijimin e punës. Pra me gjasë edhe këtë vit Kushtetuesja do të ketë vetëm 3 anëtarë, përfshirë Vitore Tushën që është pa mandat. Nga ana tjetër kemi një vakancë të shpallur nga Presidenti për të cilën KED ka shtyrë vendimmarrjen, por nuk është çudi që dhe aty të kërkohet rihapja e garës, çka do e bënte akoma më të vështirë plotësimin e 6 emrave. Por vonesa më e madhe vjen nga Gjykata e Lartë. Sipas ligjit, 3 anëtarë të Kushtetueses i zgjedh Kuvendi, 3 presidenti dhe 3 Gjykata e Lartë. Por kjo e fundit nuk bën dot asgjë pa pasur kuorumin e nevojshëm prej ¾ e anëtarëve. Gjykata e Lartë ka 19 anëtarë dhe duhet që të jenë 14 anëtarë që të votojnë. Ky proces pritet të hajë shumë kohë dhe me gjasë as vitin tjetër Kushtetuesja nuk do të ketë 9 anëtarë.

Procedura e zgjedhjes nga Presidenti

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe të kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve nga zhvillimi i mbledhjes harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. Nëse ka më shumë se një vend vakant, Këshilli harton dy lista të veçanta, një prej të cilave është me kandidatët që vijnë nga radhët e gjyqësorit. Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi

miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Presidenti brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Dekreti i emërimit shpallet i shoqëruar me arsyet e përzgjedhjes së kandidatit. Nëse

Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.

Procedura e zgjedhjes nga Kuvendi

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nëse Kuvendi nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar.