Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Kuvendi hedh shortin për KED, Llalla ndjek skenarin që shkaktoi sherrin me Donald Lu, dërgon sërish vetëm 3 kandidatura

Postuar: 07/12/2017 - 08:13

Kuvendi do të hedhë sot shortin për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Në janar të këtij viti u përzgjodhën 9 anëtarë të këtij institucioni, por me mandat të përkohshëm, i cili u mbaron tani. Për këtë arsye Kuvendi ka vendosur të bëjë zgjedhjen e anëtarëve të rinj ditën e sotme. Ndërkohë dje, janë zbardhur edhe emrat e kandidatëve nga institucionet kryesore të drejtësisë, si Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Apelit, Gjykata Administrative dhe Prokuroria. Numri i anëtarëve të KED është 9, dy prej të cilëve vijnë nga radhët e Gjykatës Kushtetuese, 1 nga Gjykata e Lartë, 1 nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 gjyqtarë dhe 2 prokurorë nga Apeli dhe 1 gjyqtar nga Gjykata Administrative. Mirëpo ajo që vihet re nga emrat e kandidatëve është fakti që kryeprokurori Adriatik Llalla ka propozuar sërish të njëjtët emra të prokurorëve si një vit më parë. Kështu, emrat e Rovena Gashit, Gentian Trenovës dhe Fatjona Memçajt ishin prokurorët që Llalla dorëzoi edhe në vitin 2017, duke u zgjedhur automatikisht si anëtarë të KED në 27 janar të këtij viti. Mesa duket, kryeprokurori Llalla po përsërit të njëjtin skenar duke propozuar të njëjtët emra kandidatësh, duke mos lënë kështu mundësi përzgjedhje. Pra, tri nga nëntë anëtarët e KED tashmë duket se janë të vendosur, duke qenë se Prokurori i Përgjithshëm ka dërguar vetëm një listë me tri emra. Edhe pse në shkurt të këtij viti Adriatik Llalla pati një përplasje me ambasadorin e SHBA, Donald Lu sa i takon emërimeve të anëtarëve të KED, sërish kryeprokurori ka vendosur të veprojë në të njëjtën formë. Kujtojmë që ambasadori Lu e kritikoi ashpër këtë lëvizje të Llallës në janar të 2017. Donald Lu e cilësoi si antikushtetues dorëzimin e listës me vetëm tri emra për anëtarë të KED nga ana e Llallës, pasi sipas tij, në këtë mënyrë kryeprokurori i ka përzgjedhur vetë tri anëtarët e KED.

Ngërçi në sistemin e drejtësisë

Mirëpo çështja e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KED ka futur në një ngërç sistemin e drejtësisë sepse Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, që do të jenë institucionet kompetente për kandidatët e KED, nuk janë ngritur akoma. Në shkurt 2017 u konstituua Këshilli i Përkohshëm i Emërimeve në Drejtësi për të cilin Kushtetuta kishte parashikuar dispozita transitore. Sipas këtyre dispozitave, vetëm për Këshillin transitor, kandidaturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të propozoheshin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm. Më tej, kandidatët do të propozoheshin nga KLGJ dhe KLP. Ndërkohë, sot situata është tërësisht e bllokuar, pikërisht se mungojnë KLGJ dhe KLP. Në bazë të Kushtetutës, shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të KED-së zhvillohet nga Presidenti i Republikës, por Ilir Meta, hoqi dorë pak ditë më parë nga zhvillimi i shortit, për shkak të vakuumit ligjor që ekziston për krijimin e këtij institucioni. Këtë shqetësim Presidenti ia përcolli Kuvendit përmes një shkrese ku argumenton pamundësinë ligjore për të zhvilluar shortin për anëtarët e KED-së, si edhe kërkoi nga Parlamenti që të menaxhojë situatën e krijuar. Zyra juridike e Parlamentit e ka interpretuar se Presidenti i Republikës ka hequr dorë nga shorti, duke ia kaluar këtë kompetencë administratës së Kuvendit. Në bazë të këtij interpretimi, Parlamenti përcaktoi datën 7 dhjetor për t’u zhvilluar shorti për anëtarët e KED. Kuvendi kërkoi propozimet për kandidatë nga KLD dhe Prokurori i Përgjithshëm, ndërkohë që këto dy institucione nuk kanë mundësi ligjore për t’u angazhuar në këtë drejtim.

Mimoza Ibra

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 22:57

I ftuar në studion e lajmeve të “AbcNews”, ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta në drejtim të ambasadorit amerikan Donald Lu pas apelit që bëri sot se politika duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri.

Postuar: 12/12/2017 - 22:50

I ftuar në emisionin “Studio e Hapur” në News24, avokati Spartak Ngjela ku është diskutuar zgjedhja e kryeprokurorit të ri.

Postuar: 12/12/2017 - 22:35

Avokati Spartak Ngjela thotë se mes shtatë kandidaturave të paraqitura për garën për Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm, ka emra të vlerësuar.

Postuar: 12/12/2017 - 22:18

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, i ftuar ne emisionin “Studio e Hapur” në News24 komentoi zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, pas mbarimit të mandatit të Adriatik Llallë

Postuar: 12/12/2017 - 21:32

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka takuar anëtarë të shoqatës më të vjetër të diasporës shqiptare në Amerikë ”Vatra”.