Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive për axhendën e përbashkët integruese, pas Prizrenit radhën e ka Vlora

 Mbledhja e përbashkët e dy qeverive për axhendën e përbashkët integruese, pas Prizrenit radhën e ka Vlora

Postuar: 11/01/2014 - 22:07

Parneriteti i ri strategjik mes Kosovës dhe Shqipërisë, synon të krijojë rezultate konkrete në çdo fushë, të përfitimeve të qytetarëve të dy vendeve. Kryeministrat Rama dhe Thaçi, pas nënshkrimit të dokumentit dhe marrëveshjeve të bashkëpunimit, nënvizuan se bashkëpunimi do të përfshijë të gjithë fushat institucionale dhe në interes të qytetarit. Rama e ka cilësuar deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik, si gurin e themelit të një strategjie të përbashkët. 
 
Fjala e kryeministrit Rama, pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës:
 
“Përshëndetje të gjithëve. Me lejoni që në fillim të shpreh emocionin tonë të posaçëm për këtë ditë dhe për këtë moment, duke shprehur në radhën më të parë, përulësisht, mirënjohjen për të gjithë ata që nuk janë më, apo ata që sot janë dëshmitarë të kësaj dite dhe që u përpoqën, u sakrifikuan, dhanë edhe jetën që rruga e shqiptarëve të mbërrinte edhe te ky stacion, ku ne sot jemi mbledhur, në Prizrenin simbol. Simbol shqiptar, por edhe simbol evropian; simbol shqiptar i bashkimit; simbol evropian i bashkëjetesës së historive, të kulturave, të besimeve dhe të etnive. Nga ana tjetër, me lejoni të nënvizoj se kjo mbledhje ishte një mbledhje pune dhe një mbledhje që vuri një gur themeltar, duke çelur një rrugë të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në dy shtetet tona dhe në mbarë hapësirën shqiptare që përkufizojnë këto dy shtete. Dua ta filloj nga deklarata e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik, që është guri i themelit i një strategjie të përbashkët për hartimin, miratimin dhe zbatimin e politikave të përbashkëta në planin politik, ekonomik, social dhe kulturor. Të gjitha këto politika janë në funksion të përmirësimit të jetës, të jetës së përditshme të qytetarëve tanë, të jetës së përditshme në dy shtetet tona, në funksion të jetës të gjeneratave të tjera dhe në përputhje me objektivin e përbashkët të dy shteteve shqiptare, për t’u bërë pjesë e BE-së.
 
Deklarata e përbashkët mbështetet në katër shtylla kryesore: Bashkëpunimi në fushën e politikes së jashtme dhe sigurisë; çështjet e brendshme; ekonomia, arsimi e kultura, së bashku. Dokumenti i përbashkët është po ashtu konfirmim i vullnetit tonë për të forcuar dhe thelluar marrëdhëniet me aleatet dhe me partnerët tanë të mëdhenjtë strategjik, SHBA dhe BE, si dhe i vullnetit tonë për t’u bërë përçues të një modeli të ri bashkëpunimi dhe zhvillimi për mbarë rajonin. Marrëveshjet po ashtu që sapo u firmosën, shënojnë një cilësi krejt të re në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe hapin një kapitull të ri integrimi dhe modernizimi për të dy shtetet tona. Ekonomitë në të dy anët e kufirit, përmes kësaj deklarate dhe këtyre marrëveshjeve e hapave të paracaktuar në vijim, do të përfitojnë duke mos u ndërtuar vetëm mbi bazën e konkurrencës, padyshim, por dhe mbi bazën e përplotësimit e komplementaritetit.
 
Do të veçoja këtu mes të tjerash, edhe pse është e vështirë për të thëne kush është më e rëndësishme, kush është me pak e rëndësishme, sepse konsiderojmë që të gjitha këto marrëveshje dhe ato që do të pasojnë në vijim janë komplementare dhe për ketë arsye të gjitha kanë rendësin e tyre, marrëveshjen në fushën e energjisë. “Kush nuk kontrollon burimet e veta energjetike, nuk ka asnjë kontroll mbi të ardhmen e vet” - thotë Presidenti Obama. Dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se është koha për një siguri energjetike të garantuar bashkërisht në të gjithë hapësirën e përcaktuar nga kufijtë e dy shteteve tona. Dhe me vendimin për nisjen e ndërtimit të linjës së interkonjeksionit 400KW në Prizren, në 21 dhjetor të vitit që sapo mbyllem, si dhe me nënshkrimin sot të marrëveshjes për ndërtimin e linjës 110 KW mes Shqipërisë dhe Kosovës, kemi vendosur gurin e parë shumë të rëndësishëm për atë që më të drejtë ministri i Energjisë së Kosovës e pagëzoi si “autostrada energjetike”, mes dy shteteve tona.
 
Po ashtu, sot kemi firmosur një marrëveshje të rëndësishme që është pjesë e të tërës dhe që ka të bëjë me transportin dhe me infrastrukturën, ndërkohë që kemi vendosur në mbledhje që t’i japim formë përfundimtare dhe shumë shpejt ta bëjmë publik kalendarin e përbashkët të jetës sonë kulturore, duke marrë edhe iniciativën e parë të dy qeverive, bashkëfinancimin e DokuFest-it të Prizrenit, që nga një aktivitet me jehonë jo vetëm brenda Kosovës, por edhe më gjerë, të kthehet në një aktivitet me vulën e përbashkët të dy qeverive tona.  Duke e mbyllur, dua të theksoj që referenca që bëra në fjalën time hapëse të mbledhjes për vendet e BENELUX-it, mbetet për ne një referencë frymëzuese. Ne sot kemi bërë një mbledhje të parë të përbashkët, e cila do të pasohet nga një e dytë. Data mbetet për t’u përcaktuar nga Ministrat e Jashtëm, mes fundit të majit dhe fillimit të qershorit, në qytetin e Vlorës. Ku nga njëra anë do të bëhet një bilanc i punës së kryer deri atëherë, dhe nga ana tjetër do të përcaktohen hapat e mëtejshëm dhe kantieret e reja të punës së përbashkët që ne do të bëjmë. E pra, duke ju referuar vendeve të BENELUX-it kam pasur qartësisht parasysh domosdoshmërinë që ky bashkëpunim dhe kjo qasje të përbëjë dhe një shembull, por edhe një shtysë për të shkuar më tutje dhe për ta luajtur gjithnjë e më fort atë rol që Shqipëria dhe Kosova kanë pasur dhe kanë, rolin e shembujve të paqes, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit ndër rajonal.
 
Ne jemi të vetëdijshëm se kjo kohë e re paqeje në rajon, ky vit i parë i hapur për rajonin tonë, pa fqinjë me pushkën drejtuar njëri – tjetrit, është një horizont i ri mundësish. Dhe ne së bashku, Shqipëria dhe Kosova, dy qeveritë tona, jemi të vendosur që të shkojmë përpara për t’i shfrytëzuar të gjitha këto mundësi. Nga ana tjetër, ne jemi krejtësisht të vendosur dhe vullnetmirë për të mirëpritur çdo ide, çdo sugjerim, çdo risi që do të vijë nga të gjitha nivelet e shoqërisë sonë. Historia apo rasti e sollën që të jemi ne sot të pranishëm që ta hapim këtë faqe, por ky bashkëpunim, kjo fazë e re, nuk është ekskluziviteti i dy qeverive. Dhe pavarësisht kundërshtive të natyrshme demokratike, politike që ne kemi, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, ne jemi të vetëdijshëm që pjesë e këtij procesi është edhe opozita, bashkë me të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga ne. Ashtu sikundër janë të gjitha nivelet e shoqërisë, sepse jemi të bindur që përtej të gjithë kundërshtive, ne ndajmë jo vetëm një gjuhë, por edhe një ëndërr, edhe një qëllim, edhe një vullnet të përbashkët për të bashkuar rrugët tona në rrugën e BE-së”. 
 
Përsa i përket Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik, a përfshihet në të bashkimi i shërbimit diplomatik mes Kosovës dhe Shqipërisë?
Rama: Është me rëndësi të theksohet se do të avancojmë për të sinkronizuar burimet tona financiare në aspektin e shërbimit konsullor. Kjo është me rëndësi të theksohet, për të racionalizuar shfrytëzimin e këtyre burimeve dhe për të lehtësuar shërbimet për bashkëqytetarët tanë përmes konsullatave tona.
 
Ju sot i dhatë mbështetje të gjithë qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës. A do të vazhdojë përkrahja nga të dy qeveritë, për qytetarët e Luginës së Preshevës?
Rama: Ne sot i kemi dhënë formën përfundimtare një angazhimi të marrë, një zotimi që ka qenë i përbashkët, për të asistuar dhe finalizuar përpjekjen për të ndërtuar maternitetin dhe për t’u dhënë mundësi nënave të reja në Luginë, që ta marrin shërbimin e nevojshëm brenda komunave përkatëse dhe përkatësisht duke filluar nga komuna e Preshevës. Është një domosdoshmëri, por është njëkohësisht edhe një xhest sa simbolik, aq edhe i nevojshëm për të krijuar kushtet që fëmijët në atë Luginë të lindin normalisht, pa krijuar detyrimin për nënat e reja që të marrin dhjetëra e dhjetëra kilometra të tëra jashtë Luginës, për një shërbim që nuk është vetëm shërbim vetëm i një dite, por është shërbim në vazhdimësi. Nga ana tjetër, kemi rënë dakord edhe për krijimin e një fondi zhvillimor, një fondi me natyrë humanitare, që në vijimësi do të asistojë në funksion të lehtësimit të kushteve jashtëzakonisht të vështira, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve të Luginës dhe sigurisht, në koherencë të plotë me angazhimin tonë kushtetues, por angazhimin tonë edhe politik dhe publik, besoj të përbashkët, është e qartë, të tё dy qeverive për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë.
 
Cili dhe çfarë ndryshimi do të sjellë ky Partneritet Strategjik për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe sipas jush, çfarë impakti do të ketë në rajon dhe në rrugën e Shqipërisë dhe të Kosovës drejt Integrimit Evropian?
Rama: Në qoftë se ka një dallim esencial midis atij që ka qenë “bashkëpunim i derikëtushëm” dhe atij që do të jetë bashkëpunimi që këtu e më tutje, është pikërisht se bashkëpunimi “që këtu e më tutje” do të jetë bashkëpunim i bazuar në domosdoshmërinë për të krijuar rezultat. Rezultat konkret në çdo fushë; rezultat konkret në përfitim të qytetarëve tanë këtej dhe andej kufirit; rezultat konkret në funksion edhe të bashkimit të rrugëve tona në rrugën e BE-së. Padyshim, edhe rezultat konkret në forcimin e imazhit të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dy shtete që promovojnë mbrojtjen e pakicave, promovojnë shumëllojshmërinë e besimeve, promovojnë pa as më të voglin dyshim, një demokraci dhe një tolerancë, për të cilën jo vetëm popujt tanë në të gjithë rajonin, por edhe vetë Evropa ka nevojë të vazhdueshme.
 
Zoti Rama, thatë se mbledhja e ardhshme do të jetë në Vlorë. A do t’i ftoni edhe përfaqësuesit e Maqedonisë, kryeministrin e Maqedonisë, apo do të prisni që edhe një kohë e gjatë të shkojë, derisa të vijë në pozitën e kryeministrit apo të jetë homolog një shqiptar?
Rama: Ne do të bëjmë mbledhje të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Nuk kuptoj çfarë hyn kryeministri i Maqedonisë në një mbledhje të përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndërkohë që, siç e thashë edhe unë, edhe kryeministri Thaçi, ne duam dhe do të bëjmë mbledhje të kësaj natyre edhe me qeveri të tjera, por është e kotë që ta fshehim se në formë, kjo është formë e njohur dhe e replikueshme, kurse në thelb, mbledhja e përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës është unikale dhe e pareplikueshme.
 
Përse dy shtete shqiptare janë më pak të integruara se vendet e tjera të rajonit?
Rama: Besoj se kjo i takon një emisioni me analistë, është debat shumë i gjerë. Megjithatë, besoj po ashtu se kjo mbledhje, Deklarata jonë e Përbashkët e Bashkëpunimit dhe Partneritetit Strategjik, hapat e përcaktuara prej nesh i japin përgjigje konkrete, me punë konkrete dhe me rezultate që do të vijnë konkretisht, edhe shqetësimit tuaj. Ne besojmë që jo vetëm në afatin e gjatë të gjeneratës tjetër, por edhe në afatin e shkurtër, të përkohshmërisë demokratike të qëndrimit tonë në detyrë, këto rezultate do të forcojnë pikërisht edhe në këtë aspekt, të dyja shtet tona.
 
Sa do të jetë fondi që do të dedikohet për Luginën, kur dihet se një qeveri serbe dedikon miliona euro për serbet e Veriut të Kosovës?
Rama: Ne nuk besoj se jemi në garë duke numëruar milionat. Ne jemi në garë për kohën e humbur dhe fondi që ne do të dedikojmë lidhur me maternitetin është mbulimi i të gjitha nevojave për pajisjen e maternitetit të Preshevës. Ashtu sikundër, kur flasim për fondin zhvillimor, ai do të jetë një fond i hapur ku jo vetëm qeveritë, por edhe të tjerë, institucione, sipërmarrje, individë do të mund të japin kontributin e tyre, në funksion të asaj natyre që ka fondi në fjalë, që e përcaktoi fare mirë kryeministri Thaçi duke e quajtur një fond humanitar, për t’i ardhur në ndihmë e për të lehtësuar kushtet jashtëzakonisht të vështira, ekonomike dhe sociale, në të cilat jetojnë vëllezërit dhe motrat tona në Luginë.
 
Zoti Rama, nëse është e mundur të na saktësoni diçka më shumë lidhur me marrëveshjen përsa i përket infrastrukturës, pasi kemi dëgjuar nga ministri Haxhinasto për një taksë rreth 5 euro për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. Kjo ka qenë një deklaratë e ministrit në një intervistë. Nuk e di a keni menduar për një zgjidhje alternative apo jo?
Rama: Ajo që ju keni dëgjuar nga ministri nuk ka lidhje as me mbledhjen e sotme, as me marrëveshjen e sotme të bashkëpunimit, ka lidhje me komunikimet tona të mëtejshme në Tiranë, ku ju jeni gjithmonë i mirëpritur dhe ku me siguri do të merrni përgjigjen e merituar, që do të thotë në transparencë të plotë me publikun.
 
Zoti Rama, ju folët vetëm për fondin, por më intereson të di sa është shuma që është ndarë për Luginën e Preshevës dhe përse nuk janë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, me cilësinë e përfaqësuesve të atyre qytetarëve?
Rama: Për të mos ju lënë edhe pa përgjigje për pyetjen insistuese, ne kemi akorduar bashkërisht 100 mijë euro, të ndara në mënyrë proporcionale mes dy qeverive, për maternitetin. Por e përsëris dhe kjo është më e rëndësishmja, nuk është një shumë e vendosur aty ashtu rastësisht, por është një shumë që do të mbulojë të gjitha shpenzimet e parashikuara, në bazë të analizës së bërë nga dy ministritë tona të Shëndetësisë, për nevojat që do ta fusin në funksionim maternitetin e Preshevës. Përsa i përket pse nuk ishte i pranishëm këtu, njëri apo tjetri, unë ju siguroj se mbledhja e dy qeverive, ku të pranishëm janë ministrat e të dy qeverive, kishte të pranishëm që të gjithë, përmes angazhimit të plotë e vullnetit të mirë të të dyja qeverive për t’i përfaqësuar që të gjithë. Dhe pikërisht sepse ishin të përfaqësuar, ishin edhe të pranishëm ata të cilët me plotë të drejtë do të përfitojnë nga ky angazhim i përbashkët i dy qeverive.
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/07/2019 - 23:55

Lidhur me dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, ka reaguar edhe avokati Spartak Ngjela.

Postuar: 19/07/2019 - 23:54

Avokati Spartak Ngjela, duke komentuar zhvillimet e reformës në drejtësi dhe ngritjen e instituci

Postuar: 19/07/2019 - 23:26

Kreu LZHK, Dashamir Shehi e ka konsideruar gjest shtetari vendimin e kryeministrit kosovar Ramush

Postuar: 19/07/2019 - 22:58

Avokati Spartak Ngjela tha se Sali Berisha duhet të ndërrojë lidershipin e Partisë Demokratike pa

Postuar: 19/07/2019 - 22:51

Deputetja e PD-së Rudina Hajdari ka reaguar për miratimet e dy ligjeve në kuvend për Reformën në

Postuar: 19/07/2019 - 22:00

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ka zhvilluar një takim në sheshin e qytetit

Postuar: 19/07/2019 - 21:50

Kryebashkiakja në ikje e Shkodrës Voltana Ademi thotë se padia e bërë nga Shoqata e Bashkive në G