Politike

Mbyllet numërimi, ja kush do të jenë drejtuesit e rinj në universitetet e vendit, Universiteti i Tiranës drejt një fryme të re

Mbyllet numërimi, ja kush do të jenë drejtuesit e rinj në

Është mbyllur ditën e djeshme numërimi i votave për postet drejtuese në universitetet e vendit. Janë zbardhur emrat e rektorëve në të gjitha universitet e vendit, si dhe dekanët në disa prej fakulteteve kryesore në vend. Sakaq në bazë të emrave që janë zgjedhur duket se Universiteti i Tiranës po shkon drejt një fryme të re. Në krye të rektoratit të Universitetit të Tiranës është zgjedhur Artan Hoxha. Ndërkohë në Universitetin e Durrësit, është zgjedhur rektore Kseanela Sotirofski për një mandat 4 vjeçar. Sotirofski është e rizgjedhur në këtë post pasi edhe para zgjedhjeve, ishte ajo që e drejtonte Universitetin e Durrësit. Rektor në Universitetin e Gjirokastrës “Eqerem Çabej”, është rizgjedhur Bektash Mema. Rektor në Universitetin e Shkodrës,u zgjodh pas zgjedhjeve universitare të mbajtura në datën 30 Korrik, Suzana Golemi. Nga numërimi i votave të pedagogëve ajo ka dalë fituese me 2 vota diferencë. Përballë saj në këtë garë ishte Adem Bekteshi, rektori në detyrë. Roland Zisi është rizgjedhur rektor i Universitetit “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës. Zisi është zgjidhur rektor me 119 vota. Ai la pas Yllka Stramarkon me 63 vota dhe Shyqyri Hysin me 30 vota. Sakaq, Fatbardh Sallaku është zgjedhur rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës. Rektor në Universitetin e Korçës, u zgjodh Dhimitër Bello, i cili është rektori i ri i universitetit “Fan S. Noli Korçë” dhe do e drejtojë atë për 4 vitet e ardhshme. Reagimet ndaj zgjedhjes së tij si rektor kanë qenë pozitive. Profesori i gjuhë-letërsisë ka fituar me 95 vota, ndaj 54 votave të kandidatit për rektor Lorenc Ekonomi. Bello ka fituar ndaj Ekonomit në të katërt fakultetet e këtij universiteti. Ndërkohë rektor në Universitetin e Elbasanit, u zgjodh Skënder Topi, i cili ishte dhe rektori aktual, pra është rizgjedhur në këtë post. Ai ishte i vetëm në garën dhe ka arritur të sigurojë 89.4% të votave. Topi është votuar nga shumica e stafit dhe studentëve, duke e marrë sërish postin e Rektorit të Universitetit të Elbasanit. Universiteti i Arteve ka zgjedhur për rektor sërish Prof. Kastriot Çaushin. Ndërsa Universiteti i Sporteve ka zgjedhur rektor Agron Kasën. Universiteti i Mjekësisë ka zgjedhur sërish Arben Gjatën për rektor.

Universiteti i Tiranës drejt një fryme të re

Ndërkohë që janë zgjedhur rektorë të rinj në të gjitha universitet e vendit, Universiteti i Tiranës është ai që pritet të ketë një frymë të re, pas zgjedhjes së Artan Hoxhës në krye të tij. Gjatë drejtimit nga ish rektori Mynyr Koni, Universiteti i Tiranës u ballafaqua me probleme të mëdha, si pasojë e konflikteve personale të rektorit, i cili gjatë 4 viteve e “fundosi” Universitetin e Tiranës, që është universiteti më i rëndësishëm në vend. Në fund të mandatit të tij Mynyr Koni i dha goditjen finale universitet, duke tentuar bllokimin e zgjedhjeve, por që nuk arriti ta bënte, pasi zgjedhjet u zhvilluan si moralisht dhe tashmë në krye të UT është Artan Hoxha. Por tani pritet që rektori i ri ti japë një frymë tjetër universitetit. Ai ka një karrierë të pasur akademike, dhe është një figurë e shquar në fushën akademike dhe në atë të drejtësisë. Sakaq ai ka drejtuar Fakultetin e Drejtësisë ku ka një reputacion të mirë dhe gëzon mbështetjen e shumë studentëve, të cilët në datë 30 korrik u shprehën se po votonin vetëm se besonin që Hoxha do reformojë universitetin. Objektivi i tij dhe qëllimi shprehën mjaft qartë dhe në platformën që ai paraqiti gjatë fushatës zgjedhore, ku në qendër të saj ishte stafi akademik, studentët dhe kërkimi shkencor. Artan Hoxha u zgjodh në krye të rektoratit të Universitetit të Tiranës me 54% te votave, ku ka marrë 348 vota nga pedagogët.

Më të lexuarat